Kryeministri në ikje Albin Kurti, teksa ka marrë pjesë në një aktivitet në Podujevë, nuk ka shpëtuar nga pyetjet lidhur me deklarimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, që e quajti “shkurtpamësi” moscertifikimin e Listës Serbe nga VV’ja në KQZ, shkruan Gazeta Metro.
Por si gjithmonë, sërish Kurti duke ikur nga mediat tha shkurt se është “çështje e ambasadës” deklaratën e tyre që me zë të ashpër kërkuan mos përzierjen e politikës në zgjedhje.
“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai teksa mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të stadiumit në Podujevë.
Më 3 dhjetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë reagoi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për mos-certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes një njoftimi, Ambasada thotë se përpjekjet e VV’së për bllokimin e certifikimit të Listës Serbe janë “shkurtpamëse” dhe “përçarëse”.
Ndër të tjera, Ambasada tha se ky veprim ndikon në rifillimin e dialogut strategjik, i cili është pezulluar nga SHBA’ja.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe ato të Kosovës”, thuhej në njoftim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës me dy dhjetor nuk e ka certifikuar Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.
Ndërkaq Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) veç tre ditë pas ka ndryshuar vendimin e KQZ-së dhe e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjen e parakohshme të 28 dhjetorit./gazetametro.net