Andoni: Kosova po e lëshon atë që e fitoi me pavarësi, ka nisur një periudhë e vështirë
Andoni: Kosova po e lëshon atë që e fitoi me pavarësi, ka nisur një periudhë e vështirë 24.03.2023 | 14:12
Me marrëveshjen e fundit me Serbinë, Kosova “duhet ta lëshojë atë që tashmë e ka fituar me pavarësinë e saj”, sipas publicistit shqiptar, Ben Andoni, i cili në një intervistë për Gazetën Express thotë “nuk kuptoj sesi konsiderohet pozitive”.
 
“Tashmë, ka nisur një periudhë e vështirë për Kosovën dhe duket se është fillimi i një rrugëtimi, që do të nxjerrë sesa të zotët janë qeveritarët e saj, njerëzit e studimeve të së Drejtës Ndërkombëtare, por edhe sesa e vendosur është SHBA-ja, kumbari i Kosovës, ta ndihmojë në këtë cak kaq të vështirë të pas pavarësisë Kosovën”, thotë Andoni.
 
Rezultati i Ohrit, sipas tij, i duhet BE-së dhe është një tjetër mënyrë “për të tërhequr vëmendjen nga lufta e Ukrainës”.
 
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk nënshkroi, pasi Andoni thotë se kishte frikë se mos e vrisnin apo se do të mund të përfundonte në burg pasi të ndërrohej pushteti në Beograd. Në këtë mënyrë, Andoni thotë se Vuçiq po fiton edhe kohë.
 
Me “vetëmenaxhimin”, për të cilin u zotua Kosova, ai thotë se serbët do të marrin të drejta të cilat do ta bëjnë statusin e tyre më të privilegjuar sesa komunitetet tjera.
 
Andoni thekson se me marrëveshjen e fundit, nënkruptohet indirekt edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por mospërmendja, sipas tij, lë shteg që Komiteti i Përbashkët Monitorues që do të krijohet, t’i shqyrtojë disa platforma për ta zgjidhur këtë detyrim.
 
“Është për të ardhur keq”, thotë ai, që qeveritë kosovare u morën me “një luftë pa princip mes tyre”, në vend që pas vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, të shikohej drejt së ardhmes dhe të përgatitej një platformë tjetër.
 
Gazeta Express: Si e vlerësoni marrëveshjen e arritur në Ohër?
 
Andoni: Ajo që i mungon atij që duhet quajtur dakordësim i ditës së shtunë është përdorja jo e drejtë e vetë fjalës “Marrëveshje”. Megjithatë autoritete të ndryshme na kanë treguar se marrëveshjet që dakordësohen dhe nuk firmohen kanë vlerë ekzekutive, madje, për këtë përdoret logjika e Konventës së Vjenës. Kjo ndodh kur sjellja e shtetit tregon se është në pajtim me atë marrëveshje dhe duket se në parim Kurti dhe Vuçiq janë dakorduar. E mendoj se është më shumë një justifikim i punës së komisionerit Borrell dhe të dërguarit Lajçak sesa një rezultat konkret. Një rezultat që i duhet BE-së, por edhe një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga lufta e Ukrainës. Dhe, megjithëse thuhet se palët janë dakorduar, duket se krisjet e këtij dakordësimi kanë ardhur fill disa orë më pas nga reagimet serbe. Presidenti Vuçiq ka siguruar se nuk do të njohë Kosovën por edhe elementë të tjerë. Me pak fjalë, është një platformë e re, tashmë e pajisur me aneks zbatimi, që i shkon përditësimit të gjithë procesit të deritanishëm dhe një trase ku do ecet tash e tutje. Personalisht, nuk kuptoj sesi konsiderohet pozitive, kur Kosova duhet të lëshojë atë që tashmë e ka të fituar me pavarësinë e saj.
 
Gazeta Express: Çfarë ju thotë juve fakti që Vuçiq nuk e nënshkroi?
 
Andoni: E para është frika e madhe e z. Vuçiq për jetën e vet, fakt që është i vërtetë nga kërcënimet, por edhe e dyta, që vjen nga humbja e krejt investimit të tij politik, ku ai tashmë po luan me të ardhmen. Nga ana tjetër, duket se ai po e shtyn argumentin e detyrimit ligjor, pasi kjo në një ndryshim pushteti mund ta përcjellë direkt e në burg. Por, po mundohet ta lerë marrëveshjen, duke përfituar nga detyrimet që do t’i vendosen Kosovës, ashtu si parashikohet nga Konventa e Vjenës, ku edhe pa nënshkrim është e njohur, kur sjellja e shtetit në akte, veprime konfirmon se është dakord me atë marrëveshje. Por Vuçiq do ketë probleme të mëdha edhe para njerëzve të tij, paçka se serbët kanë vendosur para vetës të ashtuquajturat Vija të Kuqe. Kuptohet se Vuçiq po fiton kohë, duke kaluar nga raportet që i ka paraqitur Kuvendit Serb e tashmë në përgatitjen e dokumentit, që do të shkoj në drejtim të Gjykatës Kushtetuese serbe.
 
Gazeta Express: Çfarë do të thotë ‘vetëmenaxhimi’ në këtë marrëveshje?
 
Andoni: Pyetje e vështirë dhe për ata që e konsiderojnë këtë. Kjo, pasi komuniteti serb falë Kushtetutës së Kosovës i ka të drejtat e duhura dhe madje, ky, dokument themeltar i shtetit të Kosovës është një nga dokumentet më të mira të këtij lloji në Ballkan, pasi e ka të interferuar Kartën e Pushtetit Lokal që i atribuohet komuniteteve. Në këtë rast, që ju pyesni, serbët përveç të drejtave të tanishme, do të marrin të drejta plus që do t’i ngrejë me status më të privilegjuar dhe se komunitete e tjera në Kosovë. Dhe, bëhet fjalë, për problemet të hapësirës urbane, shëndetësisë dhe arsimit, etj. Po mendoj se ka pasur një punë jo të mirë të burokracisë komunale të Kosovës, në mënyrë që të drejtat e këtij komuniteti të implementoheshin si duhet dhe serbët me “vetëmenaxhimin” e tyre të mos ishin aq të interesuar. Mungesa e kësaj politike shtron këto problematika, që serbët me ankesat e tyre i kanë kanalizuar deri në Bruksel e më larg akoma në Uashington, duke luajtur me viktimizimin e vazhdueshëm.    
 
Gazeta Express: A nënkuptohet themelimi i Asociacionit, apo bëhet fjalë për një format tjetër të autonomisë, apo të dyja?
 
Andoni: Patjetër. Indirekt po, për shkak të detyrimeve që ka Kosova. Është për të ardhur keq, që pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri vërejtje për shumë nga nenet e dokumentit themeltar të Asociacionit dhe dha madje edhe sugjerimet e saj sesi mund të kaloheshin ato, qeveritë kosovare u morën me një luftë pa princip mes tyre. Duke ditur se aktet që firmosen nga Ministri i Jashtëm i një vendi, Kryeministri dhe Presidenti kanë fuqi zbatuese, duhet thënë se Kosova duhet të fitonte kohë, pas kësaj për të parë të ardhmen dhe përgatitur një platformë tjetër. Kuptohet se kjo nuk i interesonte Vetëvendosjes dhe z. Kurti, që e kishte një nga kauzat kryesore dhe madje shkaktoi edhe shumë probleme. Ndërkohë, pyetja juaj është e drejtë sepse mos përmendja direkt lë shteg, që komisioni që do ngrihet mes dy vendeve më vonë do shqyrtojë disa platforma sesi mund të zgjidhet ky detyrim. Dhe, për habi nga vetë vendet perëndimore janë shpalosur disa ide që nga varianti i Tirolit dhe me radhë për t’i ardhur në ndihmë këtij diskutimi. Tashmë, ka nisur një periudhë e vështirë për Kosovën dhe duket se është fillimi i një rrugëtimi, që do të nxjerrë sesa të zotët janë qeveritarët e saj, njerëzit e studimeve të së Drejtës Ndërkombëtare, por edhe sesa e vendosur është SHBA-ja, kumbari i Kosovës, ta ndihmojë në këtë cak kaq të vështirë të pas pavarësisë Kosovën. Uroj që Shqipëria të bëjë më të mirën e saj në ndihmë të Kosovës, të paktën në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo vetëm.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.