Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar pas raportimeve se Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për buxhetin.
Krasniqi tha se Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë Projektligjin për Buxhetin Vjetor për legjislaturën e re.
“Ndërsa qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
Sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë”, shkroi ai mes tjerash.
“Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë Projektligjin për Buxhetin Vjetor për legjislaturën e re.
Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë.
Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar.
Çdo shmangie nga kjo procedurë është shkelje e qartë e Rregullores. Neni 123 lejon vetëm shmangie nga afatet procedurale, por jo nga veprimet thelbësore si shqyrtimi në komisione apo propozimi nga qeveria legjitime”, tha Krasniqi.
Në ndërkohë sot është raportuar se VV ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së radhës.