Marrëveshja e Rambujesë, Williams: Rugova s’ishte negociator, por kishte rol kyç për pavarësinë
Marrëveshja e Rambujesë, Williams: Rugova s’ishte negociator, por kishte rol kyç për pavarësinë 18.09.2025 | 13:37
Juristi Paul Williams, në vazhdimin e dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka folur mbi anëtarët e delegacionit kosovar në Rambuje dhe Paris.
 
Fillimisht gjyqtari e pyeti juristin për numrin e anëtarëve të këtij delegacioni.
 
Ai tregoi se aty ishin 16 veta, megjithëse e pati të vështirë t’i kujtonte të gjithë emrat.
 
“Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Veton Surroi, Hashim Thaçi, Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Blerim Shala, Dukagjin Gorani, ka pasur edhe vende për t’u ulur këshilltarët shqiptarë të Kosovës. Ishte edhe Bajram Kosumi poashtu anëtar”.
 
Se nëse pjesë e delegacionit ka qenë edhe Kadri Veseli, kjo nuk i kujtohej juristit.
 
Më tej, gjykatësi pyeti ish-këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, se pse Thaçi u zgjodh si kryetar.
 
“Me aq sa di unë, tre prej tyre ishin përzgjedhur me konsensus dhe kjo vjen nga një proces verbal nga takimi i 7 shkurtit që më tregoi Edita Tahiri.
 
Gjithashtu më është dhënë dokumenti që më lejonte të futesha në Kështjellë. Rugova ishte LDK, Qosja LDK dhe Thaçi UÇK. Vendimi u mor dy me një, Qosja për Thaçin, Thaçi për veten, dhe kjo ishte mënyra se si u zgjodh Thaçi. 2 pro tij, dhe një kundër”, tha Williams.
 
Në vazhdimin e pyetjeve, gjykatësi kërkonte nga juristi të dinte se pse Hashim Thaçi ishte fytyra e negociatorit për UÇK-në.
 
“Ideja ishte që ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje ishte me shtresa. Rugova ishte pacifist, ishte pro-pavarësisë.
 
Bukoshi më shumë punonte me amerikanët dhe evropianët, kishim edhe veprimin e aktorëve jo-shtetërorë, kishim një dimension tjetër të vetëvendosjes, strategjisë për pavarësinë. Donin një UÇK që të tregonte përmes veprimeve dhe fjalëve dhe angazhimeve të veta, që ky person i UÇK-së të ishte negociator dhe diplomat që mund të ishte i besueshëm. Duhej të kishte karaktere të ndryshme, në mënyrë që negociatori të jetë figura kryesore, të sillet në mënyrë të caktuar dhe si dikush që nuk lëshon pe. Kur ndërton një ekip duhet të marrësh parasysh karakteristikat e personave”, deklaroi dëshmitari Williams.
 
Amerikani poashtu zbuloi dy fjalët më të shpeshta të Ibrahim Rugovës.
 
“Rugova ishte personi i parë që ia kam ofruar shërbimet e mia, pra që e kam këshilluar, e respektonte shumë dhe admironte shumë çdo bisedë që një ndërkombëtar bënte me të dhe gjithmonë ai përfundonte me dy fjalë: ‘pavarësia dhe mospërdorimi i forcës’”.
 
“Rugova kishte luajtur rol të rëndësishëm në Rambuje. Roli i tij ishte i rëndësishëm, aspiratat e tij për pavarësi, por nuk ishte negociator, nuk negocionte. Njëri dimension është ky. UÇK-ja shikohej si një dimension shumë i rëndësishëm i përbërjes politike të Kosovës”, u shpreh juristi Paul Williams.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.