Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një adresimi për media në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian që po mbahet në Danimarkë, ka theksuar se ky samit është një mundësi e madhe për të diskutuar rreth kërcënimeve që vijnë nga Rusia.
Ajo ka përmendur edhe Serbinë si një ndër dy kërcënimet kryesore me të cilat përballet rajoni, duke e quajtur atë “satelit të Rusisë”. Sipas saj, nuk mund të trajtohet njëri si agresor e tjetri si partner i paqes.
“Duhet të themi se vetëm uniteti nuk mjafton, ka nevojë të vazhdueshme për konsistencë për t’u marrë me agresorë dhe diktatorë. Janë aktualisht dy rreziqe kyç të sigurisë që janë duke ardhur kundër shteteve në kontinentin tonë, një vjen nga Rusia, tjetra veçanërisht në rajonin tonë vjen nga sateliti i Rusisë, zgjatja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia. Mendoj që është e nevojshme konsistenca nga BE-ja që të merren me të dy agresorët sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe tjetrin si partner të paqes”, ka thënë Osmani.
Ajo ka akuzuar Serbinë se i ka trajtuar shtetet fqinje si vende që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme dhe ka vepruar si agresor ndaj tyre.
Duke folur para gazetarëve të huaj, presidentja ka rikujtuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, duke theksuar se Serbia dhe Rusia përdorin metoda të ngjashme për të kërcënuar stabilitetin në rajon.
“Natyrisht që është kopje e Rusisë. Fatkeqësisht Rusia e mbështetë Serbinë, kështu që tradicionalisht e kanë përdorur këtë koncept: Rusia flet për Rusinë e Madhe ndërkaq Serbia flet për Serbinë e Madhe dhe përdorin të dyja metodat e njëjta të kërcënimit. Ne sapo kemi shënuar dy vjet të agresionit të Serbisë në veri të vendit tonë, Bashkimi Evropian vazhdimisht ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe kanë pasur zero përgjegjësi”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po përpiqet të kopjojë taktikat e Vladimir Putinit përmes agresionit dhe destabilizimit të rajonit. Sipas saj, është e domosdoshme që shtetet e BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë që bashkëpunon me Rusinë nuk është rruga e duhur.
“Është e rëndësishme që shtetet që janë 100 për qind të rreshtuara nga BE-ja të shpërblehen”, ka theksuar ajo.
Duke folur për Ukrainën, presidentja ka thënë se populli ukrainas është i vendosur për liri dhe paqe.
“Ata do ta fitojnë luftën, do ta fitojnë paqen. Për Bashkimin Evropian dua të them se historia tregon diktatorët kënaqen kur nuk çon te paqja e qëndrueshme. Thirrja jonë është që të jenë të kujdesshëm që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë të trajtohet dhe të mos lejohen që ta vazhdojnë dhunën”, ka shtuar ajo.
Osmani ka ritheksuar se integrimi në Bashkimin Evropian është rruga e vetme për Kosovën, duke kujtuar se 97 për qind e popullit të saj mbështet anëtarësimin në këtë union.
Megjithatë, presidentja ka pranuar se nuk mund të japë një afat për anëtarësimin e Kosovës, pasi kjo nuk varet nga vendi ynë. Ajo ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se do të punojë për t’i bindur të gjitha shtetet anëtare se Kosova nuk është barrë për Bashkimin Evropian./GazetaSinjali/