Në javën pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, mes disa banorëve të tjerë të Mitrovicës së Veriut, në vend të euforisë dhe optimizmit, mbizotëron heshtja dhe dyshimi.
Gjatë katër vjetëve të ardhshëm, kjo komunë, si dhe tri të tjerat me shumicë serbe në veri – Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – do të udhëhiqen nga Lista Serbe, e cila rreth tre vjet më parë i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë në Prishtinë.
Në dy raste, kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, me mbështetje edhe nga Beogradi – u kërkoi mbështetësve të saj t’i bojkotonin zgjedhjet, gjë që u mundësoi kryetarëve shqiptarë të merrnin pushtetin.
Një nga të rrallët që pranon të flasë publikisht, është një banore e Mitrovicës së Veriut, e cila thotë se e thërrasin Muna. Por, ajo nuk dëshiron të tregojë emrin e plotë dhe mbiemrin.
“Të ketë vetëm paqe, ndoshta atëherë do të jetë pak më mirë. Vetëm të ketë paqe dhe liri”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
E, për një jetë më të mirë thotë se nevojiten punë dhe “pak më shumë para”.
“Kjo nuk është jetë, kjo është vetëm mbijetesë. Çfarë të bëj me 25.000 dinarë (rreth 220 euro)?”, pyetet Muna.
Pensionin e merr në Serbi, pasi autoritetet e Kosovës e hoqën nga përdorimi dinarin serb, si mjet pagese, dhe mbyllën Postën e Serbisë me arsyetimin se aktiviteti i saj ishte i paligjshëm.
Kjo është vetëm një nga arsyet për të cilat pjesëtarët e komunitetit serb janë të pakënaqur.
Institucione të tjera serbe u mbyllën gjithashtu, ndërsa në vend të tyre u hapën ato të Kosovës.
Autoritetet lokale i morën edhe objektet në pronësi të tyre, ndërsa Agjencia e Privatizimit e Kosovës u dha me qira disa lokale biznesmenëve shqiptarë.
Megjithatë, shumica e serbëve i bojkotojnë dyqanet, restorantet apo ëmbëltoret e reja, sepse ndiejnë se “u imponohen gjëra pa pëlqimin e tyre”.
Millenkoja nga Mitrovica e Veriut beson se ardhja në pushtet e Listës Serbe mund të sjellë edhe kthimin e institucioneve serbe në veri të Kosovës.
Sipas tij, kjo çështje duhet të jetë prioriteti kryesor i kryetarit të ri të komunës.
Beogradi zyrtar nuk i mbylli institucionet e veta në Kosovë, por vetëm i zhvendosi në qytetet kufitare brenda territorit të Serbisë.
Punonjësit, gjithashtu, vazhdojnë të paguhen.
“Pres disa ndryshime, që të bëhet më mirë për popullin serb që të mbijetojë në Kosovë; nëse nuk ka ndryshime, populli serb do të largohet nga Kosova”, thotë Millenkoja.
Dragojlloja, në anën tjetër, nuk beson se pushteti i ri lokal do të sjellë përmirësime.
“Kështu do të mbetet. Asnjë vendim i marrë nuk mund të ndryshohet”, thotë ai dhe shton: “Zoti na ndihmoftë”!
“Ne, me ta [shqiptarët] nuk kemi pasur kurrë probleme. Gjithçka bëjnë autoritetet”, sipas tij.