Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar të hënën një takim në Bruksel me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, shkruan Gazeta Sinjali.
Në fokus të diskutimit ishin një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sorensen bëri të ditur se së shpejti planifikohet organizimi i një takimi trepalësh.
“Prita kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim në përgatitje të një takimi trepalësh në dialog sot në Bruksel. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh”, shkroi Sorensen në platformën “X”.
Ndërkohë, Bislimi tha në një prononcim për media se ndonëse ishte paraparë një takim trepalësh, ai nuk u zhvillua për shkak të problemeve logjistike me delegacionin serb.
“Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!/GazetaSinjali/