Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se zhvillimi i Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.
Në një përgjigje për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog është pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025.
“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.
Megjithatë, SHBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.
Sa i përket mundësisë së rifillimit të dialogut, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se ai mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura, duke përmendur në mënyrë të veçantë zotimet e Kosovës ndaj komunitetit serb.
“Presim që Dialogu Strategjik të zhvillohet me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, dhënë për RTK-në.
Ndërkaq, të hënën presidentja e re Justina Shiroka Pula priti në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilëve ua kërkoi rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, i cili në vitin 2025 u pezullua për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti, që në atë kohë ishte në detyrë.