Brexit-i dhe roli i Rusisë
Brexit-i dhe roli i Rusisë 14.10.2026 | 03:34
10 vjet pas referendumit për Brexit-in kryeministri britanik akuzon qeverinë ruse. Ai paralajmëroi se Rusia po përpiqet të ushtrojë ndikim politik jo vetëm në Britaninë e Madhe, por dhe në Gjermani dhe Francë.
 
Kryeministri britanik Andy Burnham akuzoi Rusinë se ka ndërhyrë në referendumin për Brexit-in në vitin 2016. Politikani i Partisë Laburiste tha në podkastin "The Rest is Politics” se pas marrjes së detyrës në korrik kishte kërkuar informacion nëse qeveria ruse në Moskë kishte ushtruar ndikim mbi votimin. Sipas tij përgjigjja që mori ishte e qartë: po, ka pasur ndërhyrje.
 
Me këtë deklaratë Burnham bëhet kryeministri i parë britanik që konfirmon publikisht ndikimin rus në referendumin për Brexit-in. Megjithatë ai nuk sqaroi se në çfarë forme ka ndodhur kjo ndërhyrje dhe as mbi cilat të dhëna apo fakte mbështetet pohimi i tij. Po ashtu mbetet e paqartë nëse ndërhyrja e dyshuar ka pasur ndonjë ndikim në rezultatin e referendumit. Rusia i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuza të tilla.
 
Paralajmërim edhe për Gjermaninë dhe Francën
 
Kryeministri britanik paralajmëroi njëkohësisht për ndikimin rus në proceset politike edhe në vende të tjera evropiane. Sipas tij qytetarët ende nuk janë informuar mjaftueshëm për shkallën në të cilën aktorë të huaj përpiqen të ndërhyjnë dhe të destabilizojnë proceset demokratike.
 
"Veçanërisht votuesit në Gjermanidhe Francë duhet të kuptojnë se disa zhvillime politike nxiten nga shtete armiqësore si Rusia”, tha Burnham.
 
Ai shtoi se Britania e Madhe ka përjetuar një dekadë stagnimi dhe përçarjeje pas votimit për Brexit-in. Sipas tij vendi është sot më i përçarë se sa ishte më parë.
 
A do të rikthehet Britania e Madhe në BE?
 
52 për qind e britanikëve votuan në referendumin e vitit 2016  për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Brexit-i u përmbyll zyrtarisht në vitin 2020.
 
Së fundmi kryeministri britanik, Andy Burnham, ka hedhur në diskutim mundësinë e një rikthimi të Britanisë së Madhe në BE. Sipas tij Brexit-i i ka shkaktuar vendit më shumë dëme sesa përfitime dhe është pasuar nga një dekadë me rritje të dobët ekonomike. Ai argumenton se largimi nga Bashkimi Evropian ka qenë një nga faktorët që kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe kanë thelluar përçarjejet në shoqërinë britanike./DW
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.