Thirrjet e shumta për pranimin e projektit të gazit amerikan s’po i lënë përshtypje kreut të Qeverisë në detyrë, Albin Kurtit. Madje as deklarata e ish-ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e as reagimet e partive opozitare në vend, shkruan Gazeta Metro.
Hovenier në fillim të qershorit ishte shprehur se nëse Kosova s’e pranon projektin në fjalë, administrata Trump mund ta humb interesin për bashkëpunim.
“Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar. Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës së Trumpit për LNG, atëherë administrata e Trumpit do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën, dhe çdo veprim sa i përket dialogut dhe partneritetit energjetik e forcon Kosovën si partner. Çdo veprim në kundërshtim me këtë e çon potencialin diku tjetër”, ka deklaruar Hovenier.
Partitë opozitare, përkundër VV’së, njëzëri janë deklaruar pro këtij partneriteti energjetik dhe kanë hedhur kritika të ashpra ndaj Qeverisë për rrezikim të lëkundjes së raporteve me Amerikë.
Ramush Haradinaj nga AAK ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po përgatisin njerëzit e tyre për protesta kundër projektit të gazit amerikan.
“Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, ka shkruar të dielën Haradinaj.
Ish-kryeministri në anën tjetër, Avdullah Hoti ka kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, që kishte thënë se nuk e ka parë deklaratën e amerikanëve për projektin e gazit.
Sipas Hotit protestat do ta dëshmojnë seriozitetin e situatës duke lënë të kuptohet se së shpejti do të vijë një protestë mbi këtë gjë.
“Si mund të deklarohet U.D. e Presidentes se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit? Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Deputeti i LDK-së u ka bërë thirrje edhe odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protestë në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, është deklaruar se përfshirja në projektet e LNG-së amerikane nuk ka vetëm rëndësi energjetike, por edhe strategjike e gjeopolitike, ndërsa paralajmëron se mungesa e vullnetit nga Kosova mund të ndikojë negativisht në raportet me aleatin kryesor të vendit.
Zeka tha se zgjerimi i rrjetit të gazit të lëngshëm natyror amerikan në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë prioritet i administratave amerikane për më shumë se një dekadë.
“Edhe është për keqardhje që Qeveria e Republikës së Kosovës kjo në detyrë, po natyrisht edhe ajo domethënë para saj që kishte mandat të plotë edhe nga viti 2021 e tutje, nuk arrijnë të kuptojnë këtë aspekt të rëndësishëm, këtë aspekt strategjik për administratën amerikane. E konfirmuar në një deklaratë që Departamenti i Shtetit kishte bërë, që kjo çështje mbetet ndoshta ndër shtyllat kryesore të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të kontinentit të Evropës”, tha Zeka, për EO.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, adresoi kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke u ndalur veçanërisht te çështja e gazit amerikan.
Ai theksoi se Kosova nuk ka hapësirë për refuzimin e një oferte të tillë, duke e cilësuar atë si të rëndësishme në disa dimensione.
“Në rend të parë unë besoj se ka qenë kampanjë zgjedhore dhe nuk e besoj që dikush në Kosovë e ka lluksin apo komoditetin që në këtë mënyrë ta refuzojë një ofertë të tillë amerikane. Në rend të dytë për hir të shikuesve tuaj të respektuar po e them një fjali: Edhe atëherë historikisht nuk kemi menduar që Amerika e ka keq, ka dalë që Amerika e ka pasur mirë dhe neve na ka dalë keq”, tha Gërxhaliu në Klan Kosova.
Ai shtoi se një projekt i tillë nuk ka vetëm peshë ekonomike, por edhe rëndësi më të gjerë politike dhe strategjike për vendin.
“Prandaj në këtë drejtim të refuzohet një projekt i tillë, i cili ka rëndësi jo vetëm ekonomike, jo vetëm integruese por edhe gjeostrategjike, besoj që Qeveria e Kosovës cilado të jetë nuk do ta një gjë të tillë”, shtoi ai.
Eksperti i çështjeve të energjisë, Luan Shllaku, ka thënë se refuzimi i gazit amerikan nga Kosova është ide e keqe dhe ide të cilën ai nuk mund ta arsyetoj.
Shlllaku nuk i pa bindëse argumentet e refuzimit kur benefitet e këtij projektimi janë evidente.
“MCC është organizatë si USAID-i, e cila i shpenzon paratë e taksapaguesve amerikanë për projekte zhvillimore nëpër botë dhe i vetmi vend ne Evropë ku MCC është preznete ka qenë Kosova dhe kjo ka qenë një dhurate e madhe të cilën na e kanë bërë amerikanët. MCC-ja meqenëse e ka zgjedhur mbështetjen e energjetikës kosovare, ajo i ofron Kosovës tri mundësi ku mund të ndihmonte dhe të financonte, dhe njëra prej mundësive ishte ta bënte lidhjen nga Shkupi deri në Kosovë, kudo ku ne duam ta kemi gazin”, ka theksuar Shllaku në emisionin “Konfront” në KTV./gazetametro.net