Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar projektbuxhetin, duke thënë se ai nuk paraqet një plan strategjik për zhvillimin e ekonomisë, por vetëm një plan kontabël.Gjatë diskutimit në Kuvend, Hoti ka kritikuar edhe deklarimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili rritjen ekonomike, siç tha ai, e kishte cilësuar si “rritje organike”.
Hoti ka thënë se ky përshkrim lë të kuptohet se Qeveria nuk ka pasur rol në rritjen ekonomike.“Më bëri përshtypje deklarimi i ministrit në veçanti, që e cilëson rritjen ekonomike si rritje organike. Që nuk ka asgjë të keqe, por çka nënkupton rritja organike? I bie që unë s’kam pasur kurrfarë roli në këtë punë, vetvetiu është rritur ekonomia. Kështu nënkupton kjo punë. Rritje organike nënkupton rritje e natyrshme, ku ti s’ke rol fare”, ka deklaruar Hoti.
Gjatë fjalimit të tij, deputeti i LDK-së i është drejtuar edhe ministrit Murati, duke i kërkuar të mos e ndërpresë gjatë diskutimit.“Të lus mos me fol prapa derisa e kam fjalën, ministër, disiplinohu pak të lutem”, ka thënë Hoti.
Më tej, Hoti ka vlerësuar se projektbuxheti nuk përcakton objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik dhe nuk shpjegon arsyet e shpërndarjes së mjeteve buxhetore.“E keni bërë këtë buxhet jo plan strategjik, por plan kontabël. Buxheti nuk është plan kontabël, por plani strategjik që orienton kah do të shkojë ekonomia.
Nëse e shihni me kujdes edhe shifrat edhe pjesën tekstuale, nuk gjeni përgjigje pse bëhet kjo shpërndarje e buxhetit, pra cilat janë objektivat që duam t’i arrijmë?”, ka deklaruar Hoti.