Imami Bashkim Aliu nga Maqedonia e Veriut, për të cilin Gazeta Nacionale raportoi për largimin nga pozitat e larta fetare në Zvicër, pas publikimit të informacioneve për qëndrimet dhe kontaktet e tij, përfshirë pjesëmarrjen në një konferencë ku foli edhe udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit, Ismail Haniyeh, po del të ketë qenë edhe kryetari i parë i Forumit Rinor Islam (FRI), organizatë kjo ku se fundi u shpall terroriste nga Egjipti, pasi siç raportohet ka lidhje me Vallzërin Myslimane.
Bashkim Aliu nuk po del të jetë thjesht një predikues i zakonshëm islamik. Nga drejtimi i parë i Forumit Rinor Islam, te fotografitë përkrah predikuesit kontrovers Zakir Naik, e deri te pjesëmarrja në konferencën e Dohas ku foli kreu i atëhershëm i Hamasit, Aliu rezulton të ketë pasur kontakte me figura dhe organizata që kanë qenë objekt i kritikave ndërkombëtare për qëndrimet dhe lidhjet e tyre me qarqe ekstreme islamiste.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një paraqitje të rastësishme në një aktivitet. Aliu shfaqet në disa momente të ndryshme në shoqërinë e figurave të tilla, ndërsa organizata që ai drejtoi në fillimet e saj, FRI, është përmendur në raportimet për vendimin e Egjiptit për shpalljen e një organizate rinore islamike nga Maqedonia e Veriut si organizatë terroriste. Një varg zhvillimesh që ngre pikëpyetje serioze për rrethin e tij të kontakteve fetare dhe ideologjike.
FRI në listën e organizatave terroriste të Egjiptit
Gazeta Nacionale, mëson se Aliu ka qenë kryetari i parë i Forumit Rinor Islam (FRI), organizatë e themeluar në vitin 2000, me seli në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.
Më 10 nëntor 2026, Gjykata Penale e Kajros vendosi për përfshirjen e 35 organizatave dhe 36 individëve në listat egjiptiane të entiteteve terroriste dhe terroristëve, për një periudhë pesëvjeçare.
Në mesin e organizatave të përmendura ndodhet edhe një organizatë rinore islamike nga Maqedonia e Veriut, e regjistruar në listën egjiptiane me emrin arab “Tajammu al-Shabab al-Islami”, që përkthehet si “Shoqata Rinore Islame”.
Mediat në Maqedoninë e Veriut e kanë lidhur këtë emërtim me Forumin Rinor Islamik, të njohur si FRI.
Vendimi i gjykatës egjiptiane është publikuar në Gazetën Zyrtare të këtij shteti, në kuadër të çështjes nr. 11108 të vitit 2026.
Ali përkrah predikuesit Naik që arsyetonte Osama bin Ladenin
Nacionale ka raportuar edhe për shoqërimin e Bashkim Aliut me predikuesin indian Zakir Naik, i cili është kritikuar ndërkombëtarisht për deklaratat e tij në lidhje me terrorizmin dhe Osama bin Ladenin.
Nacionale publikoi një fotografi ku Aliu shfaqet përkrah Naikut, themeluesit të televizionit “Peace TV”.
Naikut Britania e Madhe ia kishte ndaluar hyrjen në vitin 2010, pas shqyrtimit të deklaratave të tij, përfshirë edhe ato në të cilat kishte shprehur mbështetje për bin Ladenin nëse ky i fundit po luftonte armiqtë e Islamit.
Pjesëmarrja në konferencën ku foli udhëheqësi i Hamasit
Një tjetër raportim i Nacionales kishte zbuluar pjesëmarrjen e imamit Aliu në Asamblenë e Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, të mbajtur në Doha të Katarit, në janar të vitit 2024.
Në këtë konferencë kishte folur edhe Ismail Haniyeh, udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit.
Sipas hulumtimit të gazetës zvicerane “SonntagsZeitung”, organizata që organizoi konferencën kishte lidhje të afërta me Vëllazërinë Myslimane.
Pjesëmarrja e Aliut në këtë aktivitet dhe flirtimi me qarqe ekstreme islamike, ishte njëra nga çështjet e ngritura dhepas publikimit të hulumtimit zviceran, krahas qëndrimeve të tij për komunitetin LGBT.
Në një postim në Facebook, në vitin 2017, Aliu kishte cilësuar Paradën e Krenarisë në Prishtinë si “paradë të turpit”.
Këto raportime shkaktuan reagime në organizatat ku ai mbante pozita drejtuese në Zvicër.
Nga drejtues i Komisionit të Imamëve te largimi nga të gjitha funksionet
Deri në fillim të nëntorit 2026, Bashkim Aliu drejtonte Komisionin e Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike të Zvicrës (FIDS), ndërsa ishte autoriteti kryesor teologjik i Bashkimit të Organizatave Islamike të Cyrihut (VIOZ).
Pas publikimit të raportimeve, FIDS e largoi nga përgjegjësitë e tij me efekt të menjëhershëm, ndërsa Aliu dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në VIOZ.
Rasti mori vëmendje edhe për shkak të financimit publik të organizatave islame në Cyrih. Sipas raportimit të “SonntagsZeitung”, VIOZ kishte përfituar rreth 2.5 milionë franga zvicerane nga kantoni i Cyrihut gjatë periudhës 2017–2025 për projektin e përkujdesjes shpirtërore islame në institucionet publike.