Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të suspendoj Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetajn, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferrin, ndaj të cilave do të zhvillohet procedurë disiplinore lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Vendimi u mor në një takim të jashtëzakonshëm të KPK-së, ku u shqyrtua kërkesa e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj dy prokuroreve.
Sipas njoftimit të KPK-së, është themeluar edhe një panel hetimor për trajtimin e rastit.
Vendimet janë marrë në bazë të të gjeturave të paraqitura në raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, i cili ishte pjesë e kërkesës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e hetimit disiplinor.
Ndërkaq, KPK-ja ka vendosur që ushtruese e detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë të caktohet Valbona Disha-Haxhosaj.
Këshilli Prokurorial ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar në garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.