Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” dhe organizatës France Sport Expertise, me të cilët ka diskutuar për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, përcjell Gazeta Metro.
Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për bashkërendimin institucional, infrastrukturën e nevojshme dhe planifikimin e organizimit të garave.
“Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin”, ka deklaruar Kurti.
Megjithatë, përgatitjet për ngjarjen më të madhe sportive që i është besuar ndonjëherë Kosovës janë vënë në pikëpyetje pas një letre të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, të cilën VOX Kosova e ka siguruar ekskluzivisht.
Letra, e datës 5 nëntor 2026, i është dërguar ministrit të Sportit, Blerim Gashani, dhe përmban shqetësime serioze lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Ajo fillon me ftesën për një takim në Athinë të Greqisë, mes Komitetit Ndërkombëtar dhe Komitetit Organizativ të formuar në Kosovë, në krye të të cilit është kryeministri Kurti.
Por takimi, i planifikuar për 19 nëntor, sipas Komitetit Ndërkombëtar nuk mund të zhvillohet pa u shlyer paraprakisht obligimet financiare të papaguara, të cilat Kosova i ka marrë përsipër.
Komiteti e cilëson këtë si “gjestin minimal të prekshëm të përkushtimit për respektimin e dispozitave themelore të Kartës së Lojërave Mesdhetare dhe Kontratës së Qytetit Mikpritës”.
Në letër thuhet gjithashtu se Kosova nuk i është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga Komiteti Ndërkombëtar në shtator.
“Përgjigjet tuaja gjithëpërfshirëse me shkrim për të gjitha çështjet e ngritura në letrën e ICMG-së të datës 21 shtator 2026 duhet t’i arrijnë ICMG-së jo më vonë se tri (3) ditë para mbërritjes së delegacionit në Athinë”, thuhet në letër.
Paralajmërimi më i rëndë i Komitetit lidhet me kohën e humbur. Sipas tij, kanë kaluar 38 muaj përgatitje pa u arritur përparimi i nevojshëm dhe projekti nuk mund të përballojë më vonesa të tjera.
“Duhet ta kuptoni plotësisht se tashmë janë humbur 38 muaj kohë përgatitore. Projekti nuk mund të përballojë më vonesa të mëtejshme dhe diskutimet nuk mund të kthehen në pikat fillestare apo supozimet e planifikimit që tashmë janë zëvendësuar nga vendimet e mëvonshme”, thuhet në letrën e Komitetit Ndërkombëtar drejtuar Kosovës.
Sipas materialit Kosova nuk i ka paguar obligimet fillestare të detyrueshme për organizimin e Lojërave dhe nuk u është përgjigjur komunikimeve të Komitetit.
Shqetësime ka edhe për infrastrukturën sportive. Stadiumet që planifikohen të shfrytëzohen për Lojërat Mesdhetare ende nuk janë përfunduar, ndërsa punimet në disa prej projekteve vazhdojnë të zvarriten./gazetametro.net