Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar në një aksident masiv zinxhiror në autostradën Trakia, pranë Zimnicës në Bullgari. Kryeministri Rumen Radev ka anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare në Varna, ndërsa ka urdhëruar vënien në dispozicion të mjeteve ajrore ushtarake për transportimin e të lënduarve drejt spitaleve në Sofje.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dhjetë persona kanë humbur jetën në vendin e aksidentit, ndërsa një tjetër ka vdekur në spital. Gjithsej 46 të lënduar janë dërguar në spitalet e Slivenit, Jambollit dhe Burgasit. Njëri prej pacientëve, i shtruar në spitalin e Burgasit, ndodhet në gjendje të rëndë dhe po operohet.
Në aksidentin zinxhiror janë përfshirë 86 automjete. Operacioni për pastrimin e vendit të ngjarjes është ende në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se numri përfundimtar i viktimave do të konfirmohet pas përfundimit të tij. Pjesa më e vështirë e operacionit është largimi i automjeteve, të cilat janë grumbulluar njëra mbi tjetrën.
Kryeministri Radev ka udhëzuar ministrin e Brendshëm, Ivan Demerdzhiev, të udhëtojë drejt Burgasit për të koordinuar transportimin e të lënduarve drejt spitaleve në Sofje.
Për këtë operacion janë vënë në dispozicion dy aeroplanë ushtarakë të tipit Spartan. Ndërkaq, helikopteri mjekësor nuk ka mundur të ulet në zonën e aksidentit për shkak të mjegullës së dendur.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhej në Bullgari në kuadër të një vizite rajonale, ka shprehur mirëkuptim për anulimin e agjendës së kryeministrit.
Edhe mbledhja e Qeverisë bullgare, e planifikuar për pasditen e së martës, është anuluar.