Kreditë në Kosovë kanë arritur në 6.96 miliardë euro në fund të muajit prill 2026, duke shënuar rritje prej 103.3 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vetëm gjatë muajit prill, vlera e kredive të reja të lëshuara ishte 235.72 milionë euro. Norma e interesit për kreditë e reja arriti në 6.88 për qind, shkruan Gazeta Metro.
Me çmime që vazhdojnë të rriten dhe me paga që nuk po e përballojnë jetën, qytetarët e Kosovës po futen gjithnjë e më shumë në kredi.
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë një varësi gjithnjë e më të madhe të qytetarëve ndaj borxhit bankar.
Në fund të muajit prill 2026, vlera e kredive bruto ka arritur në 6.96 miliardë euro, ose afro 7 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 103.3 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Vetëm gjatë muajit prill, qytetarët dhe bizneset kanë marrë kredi të reja në vlerë prej 235.72 milionë eurosh, ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e reja ka shënuar rritje.
“Kreditë bruto në fund të muajit prill 2026 kanë arritur vlerën në 6.96 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 103.30 milionë euro ose 1.51% krahasuar me muajin paraprak. Vlera e kredive të reja në muajin prill 2026 ishte 235.72 milionë euro. Norma mesatare e interesit në kredi të reja në muajin prill 2026 ishte 6.88%”, thuhet në raportin e BQK-së.
Edhe depozitat e qytetarëve kanë shënuar rënie.
Sipas statistikave të BQK-së, depozitat e klientëve në fund të prillit kanë rënë në 7.84 miliardë euro, me një ulje prej 23.75 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
“Depozitat e klientëve në prill 2026 arritën në 7.84 miliardë euro në fund të periudhës, duke shënuar një rënie prej rreth 23.75 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Depozitat e reja të pranuara gjatë muajit prill, arritën vlerën prej 119.41 milionë euro. Norma mesatare e interesit në depozita të reja në muajin prill 2026 ishte 3. 29%”.
Margjina mes normës së interesit në kredi dhe asaj në depozita ishte 3.60%, derisa raporti kredi-depozita ka arritur në 88.71%, një tregues tjetër i rritjes së varësisë nga huamarrja.
Ndërkohë, asetet e bankave komerciale në fund të prillit kanë arritur në 9.76 miliardë euro, ndërsa kapitali i tyre ka shkuar në 1.15 miliardë euro.
“Asetet e bankave komerciale në fund të muajit prill 2026 kanë arritur vlerën në 9.76 miliardë euro, duke shënuar një zvogëlim prej rreth 19.29 milion euro krahasuar me muajin paraprak. Raporti kredi-depozita në muajin prill 2026 ishte në nivelin 88.71%. Gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit prill 2026 arriti vlerën në 1.15 miliardë euro. Ndërsa, provizionet për kredi kanë shënuar rritje prej rreth 1.51% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 161.04 milionë euro”, ka treguar BQK në këtë raport.
Çmimet në anën tjetër kanë shënuar rritje të madhe.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave, vetëm gjatë muajit prill është shënuar edhe një rritje mujore prej 1,1 për qind, duke treguar vazhdimin e trendit të ngritjes së kostos së jetesës në vend.
Sipas raportit, rritja vjetore prej 7,5 për qind në prill 2026, krahasuar me prillin e vitit 2025, është ndikuar kryesisht nga ngritja e çmimeve në disa prej sektorëve kryesorë të konsumit.
Rritjen më të madhe e ka shënuar transporti me 16,1 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse me 15,2 për qind.
“Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,5 %në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %).”
Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 5,8 për qind, ushqim dhe pije joalkoolike me 5,6 për qind, si dhe në grupin e pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5,1 për qind.
Rritje është evidentuar edhe në sektorin e shëndetësisë me 4,7 për qind, te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 3,6 për qind, si dhe te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore me 3,1 për qind./gazetametro.net