Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj marrëveshjes së nënshkruar nga ministria e Drejtësisë për transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka, për në burgjet e Kosovës.
Përmes një njoftimi për media KMDLNJ thotë se kjo marrëveshje e nënshkruar është trafikim me qenie njerëzore.
Nga Këshilli po ashtu kanë thënë se asnjë nga 300 të burgosurit nuk janë danez, por janë të dënuar për krime të rënda në Danimarkë dhe kryesisht janë nga Afrika apo shtetet e tjera problematike të botës.
“Të dënuarit që do të transferohen në Kosovë kundër vullnetit të tyre janë të dënuar për krime të rënda në Danimarkë dhe kryesisht janë nga Afrika apo shtetet tjera problematike të botës. Danimarka, në pamundësi që t’i resocializojë dhe shkaku i politikave raciste ndaj të huajve , po ia shet Kosovës sipas parimit : ‘ çdo gjë 99 cent ..’. Kosova, si një shtet që ende nuk është liruar nga mendësia kolonialiste të vartësisë ndaj të huajve, këtë marrëveshje e plasoi në opinion si diçka jashtëzakonisht të mirë dhe përfituese, materialisht dhe politikisht. Opinioni u mashtrua nga një ministre mashtruese që i fshehu faktet e vërteta sikur që edhe deputetët të papërgjegjshëm të Kuvendit të Kosovës e votuan këtë marrëveshje pa e lexuar fare”, kanë reaguar nga KMDLNJ.