Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën Ndër-Amerikane për Vuajtjen e Dënimeve Penale Jashtë Vendit.
Sipas ministers së Drejtësisë, Donika Gërvalla aderimi në këtë Konventë synon forcimin e sundimit të ligjit, bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Qëllimi i kësaj Konvente është forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën e transferimit të personave të dënuar”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo ka theksuar se Konventa do të mundësonte që personat e dënuar të mund ta vuajnë dënimin në shtetin e tyre të origjinës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat themelore të njeriut.
“Ky aderim sjell përfitime konkrete për Republikën e Kosovës sepse zgjeron bashkëpunimin juridik, veçanërisht me shtetet e Amerikës Latine; mundëson vuajtjen e dënimit më afër familjes dhe shoqërisë, duke ndihmuar rehabilitimin dhe riintegrimin; si dhe lehtëson menaxhimin e sistemit korrektues dhe ul kostot përkatëse”, ka shkruar ajo.