Ndeshja Kosovë–Turqi ka nxitur edhe komunat që të organizojnë shikime publike në qendrat e qyteteve, shkruan Gazeta Metro.
Përballja kryesore e Kosovës, e cila në rast fitoreje i hap rrugë për në Amerikë, do të transmetohet në pothuajse të gjitha qytetet e vendit, duke u mundësuar tifozëve të mblidhen dhe ta ndjekin së bashku.
Prishtina ishte ndër të parat që mori këtë iniciativë, e cila më pas u ndoq edhe nga komuna të tjera.
Deçani, Mitrovica, Vushtrria, Obiliqi, Juniku, Drenasi, Kaçaniku, Ferizaj, Prizreni, Gjilani, janë disa nga komunat që kanë organizuar shikime publike.
Një nismë e ngjashme është ndërmarrë edhe nga organizatat studentore në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, duke u dhënë mundësi edhe studentëve ta ndjekin këtë përballje.
Nesër me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luhet finalja e madhe mes Kosovës dhe Turqisë.
“Dardanët” synojnë ta shkruajnë historinë duke marrë pjesë për herën e parë në Kampionatin Botëror, që zhvillohet në ShBA, Kanada dhe Meksikë./gazetametro.net