Në kuadër të hapjes së fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të kësaj asambleje, në panelin e diskutimit me temën “Siguri që mundëson pjesëmarrje: Gratë në hapësirat publike, online dhe në shtëpi”, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, foli për sfidat me të cilat përballen gratë në ushtrimin e të drejtave dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.
Ajo theksoi se liria dhe siguria nuk duhet të maten vetëm përmes institucioneve dhe ligjeve që ekzistojnë, por përmes mënyrës se si ato përjetohen nga gratë në jetën e përditshme.
“Por kur flasim për lirinë dhe sigurinë që kemi fituar si popull, duhet të kemi ndershmërinë të pyesim veten se në çfarë mase ato përjetohen nga secili qytetar i shtetit tonë të lirë. Çfarë kuptimi ka liria për një grua që jeton me frikë brenda shtëpisë së saj? Për një vajzë që duhet të mendojë se nga cila rrugë duhet të kthehet në shtëpi, në çfarë ore dhe në shoqërinë e kujt? Apo për një grua që heq dorë nga angazhimi publik, sepse çmimi i pjesëmarrjes së saj është kërcënimi, denigrimi dhe cenimi i dinjitetit të saj njerëzor? Këto janë kufizime reale të lirisë, edhe pse rrallëherë i trajtojmë si të tilla”, tha Kabashi-Ramaj.
Duke folur për përvojën e saj profesionale në fushën e sigurisë, kontratave dhe ndërtimit të institucioneve, deputetja theksoi se siguria duhet të vlerësohet nga perspektiva e personit që ka nevojë për mbrojtje. Ajo nënvizoi se ekzistenca e ligjeve, strategjive dhe procedurave nuk mjafton nëse institucionet nuk reagojnë në kohë dhe nuk arrijnë ta mbrojnë jetën e grave.
“Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime profesionale duke punuar në fushën e sigurisë, kontrata dhe të ndërtimit të institucioneve të cilësisë.
Një nga bindjet e mia më të thella është se siguria duhet të vlerësohet nga perspektiva e atij apo asaj që ka nevojë për të. Mund të kemi institucione me kompetenca të përcaktuara, ligje të avancuara, strategji e procedura pa fund. Por për një grua që kërkon mbrojtje, vlera e gjithë kësaj matet me atë se çfarë ndodh pasi ajo kërkon mbrojtje. A identifikohet rreziku në kohë? A ndërmerren masat e nevojshme? A bashkëpunojnë institucionet? Dhe mbi të gjitha, a mbrohet jeta e saj?”, deklaroi ajo.
Kabashi-Ramaj u ndal edhe te puna në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekarit, duke theksuar se rasti ka përforcuar bindjen e saj për rëndësinë e përgjegjësisë institucionale dhe besimit që qytetarët ia japin shtetit kur kërkojnë mbrojtje.
“Puna në komisionin hetimor parlamentar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekarit më ka përforcuar edhe më shumë bindjen për rëndësinë e këtyre pyetjeve. Për respekt ndaj Arlindës, familjes së saj dhe integritetit të etikës, nuk do të ndalem sot te hollësitë e kësaj çështjeje. Por dua të theksoj një parim: momenti kur një grua i drejtohet shtetit për mbrojtje është momenti kur ajo ia beson atij sigurinë e saj. Duhet të jemi si shtet të denjë për këtë besim”, theksoi deputetja.
Ajo theksoi se institucionet duhet të kenë kompetencat, kapacitetet dhe burimet e nevojshme për të vepruar, ndërsa Kuvendi duhet të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës për të kërkuar llogaridhënie. Sipas saj, mbrojtja e jetës së grave nuk duhet të pengohet nga ndarja e përgjegjësive apo mungesa e komunikimit ndërmjet institucioneve.
Ndërkaq, asamblistja në Komunën e Istogut, Abetare Sutaj, foli për rëndësinë e krijimit të hapësirave të sigurta për gratë në nivel lokal, duke theksuar se siguria e tyre fillon nga përditshmëria, nga rrugët, transporti publik dhe hapësirat ku ato jetojnë e veprojnë.
Ajo tha se gratë duhet të kenë mundësi të lëvizin lirshëm, të marrin pjesë në diskutime publike dhe të shprehin mendimet e tyre pa frikë, ndërsa shtëpia duhet të jetë vend i sigurisë dhe jo i frikës.
“Siguria e një gruaje fillon shumë më herët. Fillon në momentin kur ajo del nga shtëpia dhe nuk ka nevojë të mendojë se në cilën rrugë është më e sigurt të ecë. Kur kthehet në mbrëmje dhe nuk ka frikë të kalojë nëpër një rrugë të pandriçuar. Kur mund ta shprehë mendimin e saj në një mbledhje, në një debat publik apo në rrjetet sociale. Dhe mbi të gjitha, kur shtëpia e saj është vendi ku ndihet e sigurt e jo vendi ku duhet të jetojë me frikë”, u shpreh Sutaj.
Ajo theksoi se planifikimi komunal duhet të marrë parasysh nevojat dhe sigurinë e grave, duke mos i trajtuar këto çështje vetëm si tema diskutimi, por si pjesë të vendimeve dhe politikave konkrete në nivel lokal.
“Shpesh kur flasim për zhvillimin e një komune, flasim për rrugë të reja, për trotuare, parqe, ndriçim publik, transport dhe hapësira rekreative. Por sa shpesh ndalemi të pyesim se si i projektojmë gratë në këto hapësira? A është rruga e sigurt për një vajzë që kthehet nga shkolla apo nga kursi në mbrëmje? A mundet një grua që punon deri vonë të kthehet në shtëpi pa pasur frikë? A janë të sigurta stacionet e transportit publik? A janë parqet dhe hapësirat e përbashkëta të projektuara në mënyrë që të shfrytëzohen lirshëm nga të gjitha? Këto nuk janë pyetje të thjeshta apo teknike. Janë pyetje që duhet të jenë pjesë e çdo vendimi që merret në nivel lokal. Si asambleiste në Komunën e Istogut mendoj se kemi përgjegjësi që këto çështje t’i trajtojmë jo vetëm si tema diskutimi, por si pjesë e planifikimit dhe politikave komunale”, deklaroi ajo.
Sutaj gjithashtu vuri në pah rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, si trotuaret, parqet me ndriçim të mjaftueshëm dhe stacionet e sigurta të transportit publik, duke theksuar se këto projekte ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të grave.
Duke folur për sigurinë në hapësirat digjitale, ajo tha se rrjetet sociale, përkundër rolit të tyre në informim, komunikim dhe pjesëmarrje publike, për shumë gra janë shndërruar në hapësira të sulmeve, fyerjeve dhe kërcënimeve.
“Sot, një pjesë e madhe e jetës sonë zhvillohet edhe në internet, në rrjetet sociale. Rrjetet sociale janë ato hapësira të informimit, komunikimit, të punës edhe të pjesëmarrjes publike. Por fatkeqësisht, për shumë gra, ato janë shndërruar edhe në hapësira të sulmeve, të fyerjeve, të kërcënimeve në forma të ndryshme edhe të ngacmimeve. Sidomos gratë që kanë një rol publik, që flasin hapur, kështu si ne, që japin mendime ose që kritikojnë vendime të caktuara, shpesh përballen me sulme që nuk kanë të bëjnë fare me mendimin apo punën e tyre, por vetëm për faktin se janë gra”, theksoi Sutaj.
Ajo shtoi se sulmet në internet shpesh përqendrohen në pamjen, jetën private dhe familjen e grave, në vend që të vlerësohen mendimet dhe puna e tyre, duke krijuar kështu presion që mund t’i dekurajojë ato nga angazhimi publik dhe politik.
“Për një grua shprehja e një mendimi, shumë shpesh vlerësimi nuk bëhet mbi atë çka ka thënë, por mbi pamjen e saj, jetën e saj private, familjen apo çështje të tjera që nuk kanë lidhje me temën që ajo po e trajton. Kjo është një formë presioni që mund ta dekurajojë një grua të flasë, të kandidojë, të marrë përgjegjësi apo të vazhdojë angazhimin e saj publik”, shtoi ajo.