Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim, transmeton Gazeta Metro.
Ndryshimet e propozuara parashohin riformatimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë me pretendimet e përfshira në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Sipas projektligjit, periudha e juridiksionit do të përcaktohej nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa kompetenca territoriale do të kufizohej në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës.
Projektligji parasheh gjithashtu që dënimi maksimal me burgim të jetë 15 vjet.
Risi tjetër është bartja te institucionet e Kosovës e rasteve që nuk do të përfshiheshin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, si dhe mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin.
Po ashtu, parashihet mundësia që personat e dënuar t’i vuajnë dënimet në Kosovë, ndërsa në raste të caktuara të mund të përfitojnë edhe nga falja presidenciale.
Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, projektligji parasheh edhe rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve./gazetametro.net