Leoni XIV, koreanëve: «Jini rojtarë të kujtesës, dëshmitarë të shpresës dhe artizanë të paqes»
Leoni XIV, koreanëve: «Jini rojtarë të kujtesës, dëshmitarë të shpresës dhe artizanë të paqes» 05.10.2026 | 03:30
Në Romë, takimi me meshtarët, murgeshat dhe rregulltarët e Koresë. Papa kujton martirët, pajtimin e gadishullit dhe Ditën Botërore të Rinisë në Seul 2027: «Mos u lodhni kurrë duke bërë të mirën, edhe kur askush nuk e sheh».
 
Papa Leoni XIV priti sot, 5 tetor, meshtarët, murgeshat dhe rregulltarët koreanë, në Sallën Klementine në Vatikan.Ardhur në Romë nga Koreja, ata u pritën nga Ati i Shenjtë si shtegtarë, që kthehen në rrënjët e fesë, pranë Varreve të Shën Pjetrit e të Shën Palit apostuj. «Vini nga larg, është e vërtetë, por këtu jeni në shtëpinë tuaj», u tha Papa.
 
Një takim, që sheh drejt Seulit 2027, kur Koreja do të organizojë Ditën Botërore të Rinisë, nga 3 deri më 8 gusht, e dyta DBR në Azi pas asaj të Manilës në vitin 1995.
 
Një Kishë e lindur nga kërkimi i Zotit dhe nga martirizimi
 
Historia e Kishës koreane, vërejti Leoni XIV, është e veçantë: feja lindi përmes kërkimit të sinqertë të njerëzve që, pasi lexuan tekstet e krishtera, deshën të njihnin Jezu Krishtin dhe arritën të kërkonin Pagëzimin. Prej këtu, Papa vuri në dukje dy fjalë: kujtesë dhe shpresë.
 
Kujtimi i martirëve nuk është nostalgji, por mirënjohje dhe përgjegjësi. Shpresa, nga ana tjetër, nuk është optimizëm, por siguria se Krishti i ringjallur e ka mposhtur tashmë errësirën.
 
Ndër dëshmitarët e kësaj feje, Leoni XIV kujton të nderuarin Tommaso Choe Yang-Eop, «martirin e djersës», i cili për njëmbëdhjetë vjet përshkoi pa u lodhur Korenë për t’ua çuar Fjalën e Zotit dhe Sakramentet bashkësive të largëta e të fshehura. Një martirizim i përditshëm, nënvizoi Papa, ai i njeriut, që «e dhuron jetën me dashuri, çdo ditë».
 
Guximi konkret i dashurisë
 
Ky është guximi për të cilin ka nevojë koha jonë: t’u afrohemi atyre që janë vetëm, të mbështesim të lodhurit, të kërkojmë ata që janë larguar, të falim dhe të fillojmë përsëri. E mira, kujtoi Leoni XIV, nuk njihet gjithmonë dhe shpesh kërkon mundim. Por, pikërisht kjo dashuri e përditshme e bën të besueshëm kumtimin e Ungjillit.
 
Gurra nga buron e gjithë kjo është miqësia me Krishtin: në Eukaristi, në Fjalën e Hyjit, në lutje dhe në heshtjen para Zotit. Nga kjo miqësi lind edhe vëllazërimi ndërmjet njerëzve, dioqezave, instituteve dhe kongregatave të ndryshme: jo rivalë, por shokë udhe.
 
Plaga e ndarjes
 
Mendimi i Papës shkoi më pas te Gadishulli Korean, ende i shënuar nga plaga e dhimbshme e ndarjes. «Të jeni burra dhe gra të pajtimit», kërkoi Leoni XIV. Paqja, nënvizoi ai, fillon në zemër dhe në marrëdhëniet e përditshme: të dëgjojmë në vend që të gjykojmë, të falim në vend që të ushqejmë mëri, të zgjedhim bashkimin në vend të konfliktit.
 
«Të jeni të bashkuar dhe të bëheni artizanë të paqes»: kjo, thirrja e Atit të Shenjtë. Një paqe, që duhet arritur edhe përmes lutjes, në mënyrë që të hapen rrugë të reja takimi dhe Ungjilli të shpallet lirisht në të gjithë gadishullin.
 
Nga tokë misioni në tokë misionarësh
 
Dikur tokë misioni, sot Koreja është bërë atdhe misionarësh. Për Leonin XIV, ky është një nga frytet më të çmuara të fesë dhe të sakrificës së atyre, që i kanë paraprirë brezit të sotëm: «Kujtesa lind misionin dhe misioni hapet ndaj shpresës».
 
Është kjo trashëgimi, që duhet t’u dorëzohet të rinjve të DBR-së në Seul. Papa u kërkoi të shuguruarve koreanë t’i dëgjojnë dhe t’i shoqërojnë, duke i ndihmuar të zbulojnë se ndjekja e Krishtit nuk e kufizon lirinë, por e bën atë të plotë. E pastaj, u rikthye tema, që do të shoqërojë takimin e vitit 2027: «Mos u trembni: unë e munda botën!».
 
«Asnjë gjest i bërë me dashuri nuk humbet»
 
Në përfundim, Papa ia besoi udhën e Kishës koreane Zojës së Papërlyer, Pajtores së Koresë, si edhe martirëve koreanë Andrea Kim Tae-gon e Paolo Chong Ha-sang. Meshtarëve, murgeshave dhe rregulltarëve u besoi një detyrë të thjeshtë, por vendimtare: të jenë rojtarë të kujtesës, dëshmitarë të shpresës dhe artizanë të paqes.
 
Sepse, përfundoi Leoni XIV, nuk duhet të lodhemi «kurrë duke bërë të mirën, edhe kur kushton e edhe kur askush nuk e sheh»: para Zotit, asnjë gjest i bërë me dashuri nuk humbet./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.