Mbi tri orë protestë para Kryeministrisë, Berisha e Meta paralajmërojnë Ramën: Do jesh shumë shpejt para drejtësisë. Të pret burgu!
Mbi tri orë protestë para Kryeministrisë, Berisha e Meta paralajmërojnë Ramën: Do jesh shumë shpejt para drejtësisë. Të pret burgu! 12.11.2022 | 12:00
Është mbajtur sot në Tiranë protesta e opozitës së bashkuar. Mbi 3 orë qytetarët nga e gjithë Shqipëria dhe kryeqyteti u mblodhën sot në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që i mbajnë përgjegjëse për situatën e vështirë ekonomike dhe largimin e të rinjve, por jo vetëm, nga vendi.
 
Në sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, u mblodhën qindra mijëra qytetarë.
 
Ata mbanin pankarta me mesazhe kundër qeverisë. “Rama është brand (markë) në korrupsion”, shkruan njëra prej tyre, teksa slogani i protestës ishte thirrja “Edi Rama o hajdut boll vodhe shko ne burg!”. Përveç disa momenteve në fund të protestës, kur protestuesit hipën në shkallët e Kryeministrisë dhe hodhën bojë si dhe shoqërimit të një protestuesi, protesta nuk pati incidente.
 
Në podiumin e ngritur para Kryeministrisë folën 20 përfaqësues të opozitës, mes tyre kreu i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Dy liderët paralajmëruan kryeministrin Rama se do të shkojë në burg.
 
“Tradhtori e ndjek këtë miting të fitores nga charteri luksoz”, Meta mesazh nga protesta: Do jetë shumë shpejt para drejtësisë
 
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dhënë një mesazh të fortë sot duke iu drejtuar protestuesve.
 
Pasi përshëndeti kreun e PD-së Sali Berisha dhe protestuesit duke i cilësuar shqiponja, Meta tha se ‘tradhtori e ndjek këtë miting të fitores nga charteri luksoz dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë.
 
“Mirëmbrëma Tirana, mirëmbrëma Shqipëria. Mirëmbrëma lideri i PD-së zoti Berisha e gjithë shqiponjave që janë këtu. Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, por ekziston fjala tradhtor, nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhtor. Sot tradhtori e ndjek këtë miting të fitores, të lirisë, të triumfit, të demokracisë nga charteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë, sipas ligjeve të tij, sipas firmave që ka hedhur vetë ai”, deklaroi Meta.
 
“Shqipëria s’do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë”, Berisha: “Edi Rama shko në burg”, do të bëhet realitet
 
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha po mban fjalën në protestën e opozitës.
 
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që mendojnë se shqiptarët largohen nga vendi të mos i japin fonde kësaj qeverie, pasi do përfundojnë si taksat e shqiptarëve që vidhen nga kryeministri Rama dhe qeveria e tij.
 
“Shqipëria s’do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.
 
Stabiliteti e vota, stabiliteti e shpresa, besimi dhe e ardhmja do jenë të pandara.
 
Miqtë e mi, atyre që shohin shqiptarët të largohen me mijëra nga vendi e që mendojnë se vërtetë largohen nga varfëria u them njerëzisht, ruani fondet e taksapaguesve mos ja jepni kësaj qeverie sepse do kenë fatin e fondeve e taksave që shqiptarët paguaj në e vidhen nga qeveritarët.
 
Shqiptarët, çdo krizë e përjetojnë se tragjedi kombëtare, kjo vetëm për një arsye, se Rama e vjedh. Më 26 nëntor Shqipëria u godit nga një tërmet ku vdiqen 51 qytetarë, të gjithë në dërtesa të bëra të pabanueshme nga tërmeti i 3 muajve më parë, në shtator. U lanë aty fondet e caktuara u vodhën.
 
Shpirtrat e tyre sot kërkojnë drejtësi. Para 3 ditësh Rama urdhëroi drejtësinë e tij të shpallë të pafajshëm, sot dhjetëra mijëra qytetarë që 3 vite humbën banesat jetojnë në cadra e kushte të jashtëzakonshme, vetë ai udhëton me charter me dhomë gjumi ultra luksoze. Vjedhin, vjedhin, vjedhin”, tha ai.
 
Sipas Berishës “Por e vërteta është se vjedhja më e madhe e shpresës dhe e besimit, i topiti, i bëri që të mbeten në hallin e tyre.
 
Ndaj edhe ky miting madhështor i jashtëzakonshëm është sirenë e fuqishme e shpresës për çdo shqiptar. Të bashkoheni me ne, në mënyrë që Edi Ramës t’ia shkurtojmë ditët. T’i presim biletën. Për ku? Për aty ku e ka vendin. Ndaj dhe ju përshëndes ju, slogani juaj: Edi Rama, o hajdut, boll vodhe, shko në burg, do bëhet realitet”.
 
Përplasje te Kryeministria, shtohen forca e policisë, hidhet bojë e goditen dyer
 
Sapo ka mbyllur fjalën e tij kreu i PD-së Sali Berisha, protestuesit kanë mësyrë shkallët e Kryeministrisë. Ata kanë hedhur bojë të kuqe në muret e kryeministrisë dhe kanë goditur dyert.
 
Forcat e policisë kanë forcuar radhët dhe efektivët e rendit janë zëvendësuar me forcat shqiponja. Policia ka shoqëruar protestuesin që goditi dyert e Kryeministrisë.
 
Bulevardi ndriçohet nga celularët e protestuesve
 
Pas fikjes së dritave të ndriçimit, qytetarët kanë ndezur bulevardin me dritat e celularëve të tyre.
 
Protestuesit brohorasin: Edi Rama o Hajdut boll vodhe shko ne burg! Edi Rama o hajdut boll vodhe shko ne burg!
 
“Protestojmë për mister charterin, jahtin dhe inceneratorin”, regjisori Budina mesazh të fortë: Protesta kundër mafies së pushtetit. Mosbindje civile deri në fitore!
 
Regjisori Edmond Budina ishte i pari që e mori fjalën në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar.
 
“Përshëndetjen këtij populli opozitar që e ka shembur frikën dhe ka mbushur këtë shesh. Vëllezër ne nuk jemi këtu vetëm për keqqeverisjen e këtij pushteti, por për të treguar forcën tonë kundër mafies, mafies në pushtet, e cila e ka uzurpuar pushtetin. Është mister charteri i 22 mln-ve. Është mister jahti i 2 mln, apo mister inceneratori i 4.3 mln. Ne jemi këtu për kundërshtuar qeverinë. Jemi ‘pa fe, pa atdhe, pa flamur’, por ne nuk jemi si ai. Ai atdhe ka paranë. Ai fe ka drogën. Ai flamur ka shitjen e interesave të atdheut. Ne jemi kundër të gjitha këtyre. Vëllezër dhe motra mos të mendojë asnjëri se prijësit tanë do të na zbresin nga qielli. Duhet të luftojmë të gjitha bashkë që ne luftën tonë do e vazhdojmë deri në fund. Ata që thonë se duhet të presim një udhëheqës që të zbresë nga qielli, duan të mbajnë në pushtet Ramën. Mosbindje civile deri në fitore”, tha Budina.
 
Protestuesit kanë zgjedhur një simbolikë për ikjet e qytetarëve nga Shqipëria drejt Anglisë me gomone.
 
Tashmë gomonia është drejtuar për tek Kryeministria, si simbol i të rinjve që detyrohen të braktisin vendin për shkak të kushteve të këqija të jetesës
Në anët e gomonet shihen flamujt e Shqipërisë dhe Britanisë.
 
“We the people”/ Protestuesit citojnë Kushtetutën e SHBA, me flamuj shqiptarë, amerikanë dhe të PD-së, shihni çfarë po ndodh në bulevard
Nuk kanë munguar flamujt amerikanë në protestën e sotme të thirrur nga opozita e bashkuar. Qytetarët janë mbuluar me flamujt shqiptarë, amerikanë dhe ata të PD-së në bulevard.
 
Një nga protestuesit mban në dorë një pankartë me citimin e Kushtetutës amerikane “We the people”.
“Të mos shitet Shqipëria”, qytetarët në protestën e opozitës: Të ikë kjo qeveri! Ta marrin në dorë të rinjtë e shkolluar
 
Ditën e sotme po mbahet protesta e thirrur nga opozita.
 
Qytetarët kanë bërë të ditur për kameran e News24 arsyet që i kanë nxjerrë sot në shesh.
 
“Protestoj për korrupsionin galopant që ka pllakosur Shqipërinë, për kapjen e pushtetit lokal e qendror nga qeveria. Ne si pensionistë kemi paga të ulëta, 171 mijë lekë ç’mund të bësh me këto çmimet që janë tani. Shpresa tek opozita e të rinjtë më sjell këtu. Shpresoj që të rinj të shkolluar ta marrin në dorë.
 
Të ikë kjo qeveri. Kërkoj rritje pensionesh, të kemi fëmijët në Shqipëri, të mos shitet Shqipëria”, tha njëra prej protestueseve.
 
Gazetarja Klodiana Lala tha se arsyeja se përse nuk prononcohen moshat e reja, është se disa kanë deklaruar se janë në punë shtetërore.
 
“Fëmijët janë larguar me gomone, na lanë vetëm”, protestuesi tregon pse iu bashkua tubimit: Marrim pension qesharak!
 
Një nga protestuesit të cilët ndodhen në selinë e Partisë Demokratike në tiranë ka shpjeguar arsyet e tij se pse i është bashkuar tubimit të lajmëruar nga opozita sot.
 
Ai tregoi se ka punuar si minator prej shumë vitesh në zonën e Martaneshit,dhe se sipas tij kryeministri Rama i ka barazuar ata me një ‘pastruese pazari’ duke u dhënë vetëm 100 lekë të vjetra për çdo vit pune si pension.
 
“Arsyet e mia janë se kam punuar minator në Martanesh, vetë i pesti kemi punuar aty, kam ardhur se Rama i ka gënjyer minatorët dhe nuk ua ka dhënë statusin, i ka barazuar minatorët me një pastruese pazari. Ata që i kanë dhënë mijëra ton minerale vendit janë shtresa më e varfër sot, fëmijët na kanë ikur në emigracion me gomone në Angli, ne marrim një pension qesharak, na ka dhënë 100 lek të vjetra për 1 vit pune. Ai është një mashtrues që gënjen popullin, janë rritur të gjitha çmimet, me pensionin tonë nuk mund t’i përballojmë. Populli duhet të ngrihet për mirëqenien e tij, për të hequr nga qeveria Edi Ramën”, tha ai.
 
Pankarta me thirrje kundër qeverisë, prindërit e fëmijëve të kopshtit ‘Zybejde Hanim’ në protestën e opozitës së bashkuar
 
Pjesë e protestës së thirrur nga opozita janë bërë dhe prindërit që kishin fëmijët në kopshtit turk ‘Zybejde Hanim’, i cili është mbyllur pas një urdhri të qeverisë.
 
Ata kanë zgjedhur që përmes pankartave kundër qeverisë të përcjellin mesazhin e tyre.
 
Kujtojmë se protesta pritet të nisë pas pak, ku do të flasin kryetarët e partive opozitare, si kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
 
“Nëse të majtët thotë se janë shqiptarë, duhet të dalin të mbrojnë atdheun sot”, qytetarët nisen nga Elbasani për në protestë: Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për popullin
 
Qytetarë të shumtë janë nisur nga Elbasani pasditen e sotme për të marrë pjesë në protestën e opozitës.
 
Ata shprehen se të gjithë duhet të dalin në protestë kundër kësaj qeverie që nuk do t’ia dijë për popullin, teksa flasin për kushte të vështira ekonomike.
 
Nga qyteti i Elbasanit thuhet se do të jenë në protestë rreth 2500 persona. Nisja nga Elbasani filloi në orën 14:30 pranë selisë blu me autobusë, por sipas burimeve zyrtare do të ketë dhe organizime në grupe të vogla edhe nga njësitë administrative me automjete private.
 
“Popullin sot e ka çuar në pikën më të fundit. Populli shqiptar po vuan nga një kriminel. Unë vij nga Italia enkas për të protestuar”, tha një qytetar.
 
“Nuk do të ketë shqiptar sot që mos të dalë në Tiranë kundër kryekriminelit të kombit shqiptar të të gjitha kohërave, kryetradhtarit të kombit shqiptar, kryehajdutit të kombit shqiptar të të gjithë kohërave, Edvin Kristaq Rama.
 
Arsyeja kryesore fukarallëku i kombit. Si nuk e ndiejmë, gjysmë pesnioni apo jeton me miliarda vetë ai.
 
Po qe se elektorati i majtë thonë se jemi shqiptar, duhet të dalin të mbrojnë atdheun sot. Ne themi Shqipëria në rrezik, ai po shet gjithë asetet themelore të kombit shqiptar, të ekzistencës së kombit. Unë kam shumë për të folur, nesër mbaroj po të më lësh. E di çfarë po i bën gjuhës shqipe ai i biri i Kristaq Ramës.
 
Gjuha dhe gjaku janë kolonat ku mbështetet ekzistenca e një kombi. I kanë vajtur Gjinushit gjuhëtarë me emër që mbrojnë gjuhën shqipe, i ka nxjerrë përjashta me forcë”, tha një i moshuar.
 
“Ne shkojmë në protestë për këtë krizë të madhe që ka pllakosur vendin dhe nga kjo udhëheqje kriminale e kësaj qeverie që nuk duan t’ia dinë për popullin shqiptar. Vetëm vjedhin, pasurohen për vete dhe nuk kemi asnjë lloj shprese nga këta.
 
Unë jetoj me një fëmijë, jam pensionist. Vajza ime ka mbaruar shkollën për infermieri tash 3 vjet, me master e të gjitha, ka marrë licencën e para në provimin që dha në Tiranë dhe nuk e punësohet se je demokrat i djathtë. Në kohën e Enver Hoxhës kam qenë i persekutuar, kurse tani jemi më të persekutuar se jemi djathtas.
 
Ne shpresojmë që secili prej nesh dhe gjithë populli shqiptar ta kuptojë se shteti shqiptar nuk ka qeverisje për popullin, ka qeverisje për veten.
 
Një minutë e më parë kjo qeveri duhet të rrëzohet”, u shpreh një pensionist.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.