Seminari mbyll punimet me paralajmërimet për madhështinë e edicionit jubilar të themelimit
Seminari mbyll punimet me paralajmërimet për madhështinë e edicionit jubilar të themelimit 28.08.2023 | 12:00
“Unë nuk dua të flas për Seminarin që po e mbyllim tash dhe këtu, dua të jap një premtim. Rini, priteni Seminarin 42, në 50-vjetorin e themelimit. Atë që e kemi ëndërruar së bashku drejtoria në Prishtinë dhe bashkëdrejtoria në Tiranë është vërtet e madhe dhe punën për realizimin e punës, ëndrrës, do ta nisim menjëherë nesër”, ka thënë drejtori i Seminarit, Bardh Rugova.
 
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbyllur punimet e edicionit të 41-të me rreth 150 studiues. Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës, referime e koncerte kanë qenë prej praktikave të eksplorimit të temave të sivjetme. Ky edicion ka pasur për qëllim që të gërmojë mbi temat “Letërsia shqipe dhe intertekstualizmi” për letërsinë dhe “Shqipja në rrezik” për gjuhën. Veçanti sivjet kanë qenë edhe vizitat në institucionet e qyteteve si dhe përgatitja e ushqimeve tradicionale e prezantimi i veshjeve kombëtare si gjurmim nëpër kulturën shqiptare. Ende pa arritur fundin ceremonia përmbyllëse, organizatorët veçse kanë premtuar madhështinë e vitit të ardhshëm, kur shënohet edicioni jubilar i gjysmëshekullit të themelimit të Seminarit.
 
Pak minuta kanë ndarë sesionet shkencore të gjuhësisë e ato të letërsisë me ceremoninë përmbyllëse të punimeve të Seminarit të 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Për aktivitetin intensiv përgjatë 12 ditëve, dëshmi ka qenë edhe dita e fundit, kur 16 studiues prezantuan kumtesat e tyre në gjuhësi dhe 15 të tjerë në kuadër të sesionit të letërsisë, të mbajtura paralelisht në dy hapësira.
 
Nëse merret njësi matëse publiku i mbledhur në njërin sesion të programit të Seminarit që është zhvilluar në amfiteatrin e Fakultetin të Filologjisë, interesimi ka qenë më se i madh për ngjarjen sivjet. Shpesh ka ngjarë sikurse në të premten. Në mbyllje, organizatorët i kanë konsideruar të tepërta shpjegimet për një edicion të suksesshëm.
 
Drejtori i Seminarit, profesori universitar, Bardh Rugova, në fjalën e tij ka përmendur fillet e nisjes së ngjarjes.
 
“Kur e nisëm këtë sipërmarrje e dinim se është e vështirë, por brenda drejtorisë, me sekretarët Avdullah Rexhepin, Liridona Bërkollin, Jeta Abazin, kishim besim. ‘Nëse mund ta ëndërrosh, mund ta bësh’, mendonim. Në bashkëpunim me bashkëdrejtorinë në Tiranë, drejtuar nga profesori Shezai Rrokaj, menduam dhe më pas edhe e realizuam atë që e kishim synuar e ëndërruar”, ka thënë anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
 
Ai ka paralajmëruar për një edicioni të ardhshëm madhështor kur do të shënohet 50-vjetori i themelimit dhe i 42 me radhë i punimeve. Në vitet ’90 Seminari ishte ndërprerë përkohësisht, shkaku i gjendjes së atëhershme pasi Kosova ishte praktikisht nën okupim. Rugova ka bërë të ditur se data e hapjes së edicionit të 42-të do të jetë 19 gushti.
 
“Unë nuk dua të flas për Seminarin që po e mbyllim tash dhe këtu, dua të jap një premtim. Rini, priteni Seminarin 42, në 50-vjetorin e themelimit. Atë që e kemi ëndërruar së bashku drejtoria në Prishtinë dhe bashkëdrejtoria në Tiranë është vërtetë e madhe dhe punën për realizimin e punës, ëndrrës, do ta nisim menjëherë nesër”, ka thënë profesori Rugova.
 
Mes falënderimesh për pjesëmarrësit e mbështetësit e Seminarit, Rugova ka vënë në pah atë që e ka quajtur “shpërfillje të shpeshtë administrative për Seminarin dhe shqipen” nga shteti.
 
Bashkëdrejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, profesori Shezai Rrokaj e ka konsideruar Seminarin si historik.
 
“Për Kosovën, Prishtinën e Fakultetin e Filologjisë këtu, ky Seminar ka një rëndësi të veçantë, është Seminar historik dhe të gjithë që kanë qenë pjesë e tij e kanë parë me seriozitetin më të madh. Është pjesë e një historie të gjatë, që do të thotë se është edhe pjesë e një përkushtimi e impenjimi të secilit prej nesh”, ka thënë Rrokaj, profesor në Universitetin e Tiranës.
 
Sipas tij, Universiteti i Prishtinës ka qenë tejet bashkëpunues me institucionin homolog si dhe e ka vlerësuar këtë edicion si më të veçantë. “Nga vetë pjesëmarrja dhe cilësia, u shënua një gjë e re sepse natyrisht ne duhet t’i ikim kohës së mërzitshme të ujit rozë, pa vlerë. Falënderojmë të gjithë kumtuesit, atë që ngritën tema, mësimdhënësit, studentët që përfituan dhe përvetësuan më mirë gjuhën shqipe. Ne mund të marrin sugjerime të reja prej jush se si do ta donit më shumë këtë që po bëjmë edhe pse sot u bë një tjetër variacion për herë të parë”, ka thënë Rrokaj, profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë.
 
Profesori Rrahman Paçarizi, pjesë e stafit organizativ e ka vlerësuar këtë edicion prej më të suksesshmëve që ka ndjekur.
 
“Ka qenë prej Seminareve më të suksesshëm që unë i kam ndjekur, pa dyshim. Ka pasur kumtesa që e kanë trajtuar rrezikun që i kanoset shqipes nga aspekte të ndryshme. Jo thjesht si një situatë sociolinguistike ku gjuhët rrezikojnë të vdesin, të shuhen, por edhe në kuptimin e qasjeve, metodave të studimit, sa një gjuhë, në këtë rast shqipja, mund të ndihet e rrezikuar nga studimet jo të duhura, nga mungesa qoftë e integrimit të qasjeve të ndryshme, aplikimeve të metodave të reja shkencore në gjuhësi e kështu me radhë”, ka thënë profesori Paçarizi.
 
Derisa i është referuar njërës prej temave bosht – “Shqipja në rrezik” – ka thënë se aktiviteti i Seminarit ka mbërritur të përcaktojë, identifikojë e definojë rreziqet kryesore me të cilat përballet gjuha shqipe. Sipas tij, Seminari ka shënuar hapa edhe në cilësinë e prurjeve shkencore.
 
“Mendoj se ka pasur një kapërcim cilësor në kuptimin e pjesëmarrjes së studiuesve të huaj të cilët janë marrë me shqipes, por një pjesë e njerëzve, por edhe e studiuesve të tjerë, nuk e kanë ditur kontributin e tyre. Për studimet e shqipes ka shumë rëndësi edhe nga një këndvështrim tjetër, le të themi pak më të ftohtë në raport me studimet e shqipes”, ka thënë Paçarizi.
 
Të ftuarit të këtij edicioni kanë qenë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë. Akademiku Ranko Matasoviq, historiani Oliver Schmitt e gjuhëtari Michiel de Vaan kanë qenë pjesë e programit të Seminarit sivjet. Akademiku Rexhep Ismajli gjithashtu ka qenë një prej atyre që e kanë përmbushur sivjet Seminarin.
 
Të premten në sesionet e fundit të edicionit të 41-të të Seminarit, në atë të gjuhësisë kanë prezantuar kumtesat Ledi Shamku Shkreli, Blertë Ismajli, Bardh Rugova, Rrezarta Draçini, Teuta Toska, Edmond Cane, Alexandra Dugushina, Dinos Koubatis dhe Luljeta Nuraj-Koubatis si dhe Naile Mala-Imami. Në pjesën e dytë të sesionit shkencor të gjuhësisë kanë prezantuar punimet e tyre edhe Shezai Rrokaj, Bahri Koskoviku, Kadire Binaj, Shpëtim Elezi, Flamur Shala, Rijetë Simitçiu, Ardita Berisha dhe Qëndresa Jakupi.
 
Ndërkohë në sesionin shkencor të letërsisë kanë prezantuar punimet Ernestina Gjergji dhe Kastriot Gjika, Albulena Blakaj-Gashi, Asta Sula, Albanë Mehmetaj, Esma Dodaj, Vebi Bexheti, Mimoza Hasani-PlIana e Eraldo Hatija. Në pjesën e dytë të kanë qenë edhe Nerimane Kamberi, Anila Mullahi, Avdi Visoka, Antonio Çikollari, Anila Mullahi, Valbona Berisha-Gashi, Loreta Loli dhe Brunilda Zadeja.
 
Seminari është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë (atë kohë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Për çdo vit, ky seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare, si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi.
 
Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20 të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 
Vitin e kaluar në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studiues e mysafirë nga shtetet e Evropës kishin sjellë studimet e tyre, derisa për dallim nga edicionet e mëparshme kishin munguar studiuesit rusë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Sivjet referent në Seminar ka qenë studiuesi rus, Alexander Novik. “Filigrani i argjendarëve shqiptarë: ekspozita etnografike e Muzeut Kunstkamera 2021-2022” ka qenë tema e tij.
 
Seminari organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë. Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore vjet kanë qenë “Shqipja në kontakt”, “Letërsia shqipe në kontekstin komparatist” dhe “Dezinformimi e propaganda në mediat sociale”./Koha.net
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave