Daniel: Raportet Kosovë-Izrael mund të drejtohen nga zhvillimi dhe ekonomia
Daniel: Raportet Kosovë-Izrael mund të drejtohen nga zhvillimi dhe ekonomia 13.05.2021 | 22:13
Kosova ofron mundësi të shumta për kompanitë izraelite dhe mbase ekonomia dhe zhvillimi do të jenë kahja e raporteve mes Izraelit dhe Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Remi Daniel, ekspert në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael.
 
Sipas tij, vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian.
 
Në këtë intervistë, eksperti Daniel flet edhe për situatën e fundit të shpërthimit të dhunës dhe Jerusalem mes palestinezëve dhe forcave izraelite.
 
Radio Evropa e Lirë: Ditët e fundit po shohim skena të dhunës në Jerusalem. A mund të na thoni pse ky përshkallëzim i dhunës në këtë periudhë?
 
Remi Daniel: Mendoj se ky përshkallëzim është rezultat i një sërë faktorësh, që duke u bërë bashkë po krijojnë një situatë shpërthyese në të dyja anët. Fillimisht nga ana palestineze, Muaji i Ramazanit është gjithmonë një muaj i tensionuar në politikën palestineze. Ekziston një rivalitet mes grupeve të ndryshme politike. Me siguri ju e dini se ishte planifikuar mbajtja e zgjedhjeve palestineze mes Fatahut dhe Hamasit, të cilat u anuluan. Hamasi, që është më shumë një grup islamist terrorist, po përpiqet që të fitojë më shumë fuqi në shoqërinë palestineze. Kjo ka krijuar mundësi për grupet palestineze që të krijojnë një situatë të nxehtë me Izraelin.
 
Ndërkaq, në anën e Izraelit qëndron fakti se situata politike është shumë jostabile, kemi një qeveri të dobët dhe një rritje të grupeve të krahut të dhjathtë, që kanë mbështetur krahas tjerëve kryeministrin, Benjamin Netanyahu. E gjithë kjo krijon një rikonfigurim, në të cilin çdo ngjarje mund të jetë inicuese e përshkallëzimit të situatës. Pra, kemi pasur çështjen e disa shtëpive palestineze në lagjjen Sheik Jarrah në Jerusalem, pastaj shënimin e Ditës së Jerusalemit nga ana e grupeve të nacionalistëve izrelitë, dhe e gjithë kjo solli përshkallëzimin si rezultat i problemeve afatgjate, afatmesme dhe afatshkurtëra në anën e palestinezëve dhe të Izraelit.
 
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni situatën në ditët në vazhdim. Çfarë mund të ndodhë?
 
Remi Daniel: Është bukur e komplikuar të dihet se çfarë mund të ndodhë. Është e qartë se nuk do të ndalojë sot. Të dyja palët e kanë demostruar se janë të gatshëm që të vazhdojnë dhe të luftojnë. Ushtria e Izraelit ka thënë se kjo do të zgjasë të paktën disa ditë. Megjithatë, nuk duket të jetë diçka që do të zgjasë më shumë se një javë ose dy. Askush nuk e dëshiron një gjë të tillë, por është gjithashtu e vërtetë se është një situatë që vështirë mund të kontrollohet. Çfarëdo që palët synojnë të bëjnë dhe përfitojnë nga ky raund i luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, situata mundet që shumë shpejt të dalë nga kontrolli dhe nuk mund ta dijmë se çfarë mund të ndodhë pastaj.
 
Ngjashmëritë mes raporteve Kosovë-Serbi me ato mes Izraelit dhe palestinezëve
 
Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë të rajoni i Ballkanit. Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Shumë analistë kanë thënë se nëse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të zgjasë, atëherë mund të shndërrohet në një situatë të njëjtë sikur mes palestinezëve dhe Izraelit, apo edhe mes qiprotëve grekë dhe turq. A shihni ju ngjashmëri?
 
Remi Daniel: Po, ekzistojnë disa ngjashmëri. Ndoshta se pari duhet të flasim në lidhje me atë se çfarë mendojnë këta njerëz kur thonë se situata mund të duket sikur mes palestinezëve dhe izraelitëve, thjesht një situatë në të cilën dështojnë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë dhe njerëzit mësohen me këtë, apo me një situatë në të cilët nuk ka paqe, por luftë. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë ngjashmëri, pasi bëhet fjalë për faktin se çështja është për një territor relativisht të vogël, më shumë çështje kontestuese, konflikte, pastaj çështje të legjitimitetit, pra çështje që janë shumë të ndjeshme dhe që ngjallin shumë emocione në të dyja shoqëritë. Unë shoh gjithashtu një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar për të luajtur një rol, edhe pse ai nuk është gjithmonë pozitiv. Të gjitha këto ne i kemi parë dhe ende po i shohim në kontestin e Izraelit me palestinezët. Pra, ngjashmëria mes dy rasteve është shumë relevante.
 
Ndikimi i Kinës, Rusisë dhe Turqisë në Ballkan
 
Radio Evropa e Lirë: Vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo ndikimi nga fuqitë tjera në vitet e fundit është rritur. E kam fjalën këtu për Kinën, Rusinë dhe Turqinë. Cili është qëllimi i tyre sipas jush?
 
Remi Daniel: Mendoj se është një fenomen interesant sepse Ballkani përbën një vlerë strategjike pasi për vendet që ju përmendet, Turqinë, Rusinë dhe Kinën vendet e Ballkanit janë një portë për një pjesë të Mesdheut, por më shumë të Evropës. Pra, përpjekja e këtyre fuqive për të shtrirë ndikimin në Ballkan bëhet edhe për të ndikuar në Bashkimin Evropian. Ato kanë një politikë dykuptimëshe, pasi synojnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por atyre iu duhet gjithashtu që Bashkimi Evropian të mbetet një lojtar i rëndësishëm në këtë rajon sepse ajo që këto tri fuqi dëshirojnë nga Ballkani Perëndimor, nuk është vetëm kontrolli i tyre, por edhe shfrytëzimi i tyre si një portë për në Evropë. Pra, është një lojë e komplikuar që këto vende po mundohen ta krijojnë me pak ose më shumë sukses, por është e pamundur të kuptohet synimi për të ndikuar në Ballkan pa shikuar gjithashtu edhe në Bashkimin Evropian si lojtar në këtë rajon./rel
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave