Nga: Nue Oroshi
Është hera e parë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës që konstituimi i Parlamentit dështon ende pa e dhënë deputetët betimin.
Mosdhënia e betimit i lë deputetët pezull – as në tokë e as në qiell. Ata dhe ato ende nuk janë të vetëdijshëm se janë përfaqësues të popullit dhe se kanë për detyrë ta themelojnë Parlamentin e Kosovës.
Siç duket, sharra ka hasur në gozhdë te qeveritarët që i mbajnë nga dy pozita dhe po u dhimben t’i lëshojnë. Një gjë duhet kuptuar: Kryeministri dhe ministrat e qeverisë në dorëheqje, të gjithë, duhet të japin dorëheqje. Megjithatë, qeveria mbetet sërish në dorëheqje dhe vazhdon punën, por atë e vazhdojnë funksionarët tjerë të Qeverisë që nuk janë zgjedhur deputetë.
Në këtë rast, ushtrimin e detyrës së Kryeministrit e merr automatikisht Daut Bislimi, ndërsa zëvendësministrat e tjerë që nuk janë zgjedhur deputetë marrin rolin e ushtruesve të detyrës së ministrave në dorëheqje.
Të shtunën mund të zgjidhet Kryesia e Parlamentit të Kosovës, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe Rregulloren e Parlamentit të Kosovës. Prej kohësh kam dhënë disa sugjerime politike se shumica parlamentare duhet të krijohet në bazë të marrëveshjeve politike të nënshkruara ndërmjet partive, për të ndërtuar shumicën në Parlament dhe në Qeverinë e Kosovës.
Do të ishte mirë që të shtunën votimi për Kryesinë e Parlamentit të Republikës së Kosovës të bëhet në mënyrë të përbashkët – në pako – ku Kryetari dhe Nënkryetarët e Parlamentit të zgjidhen me një votim të vetëm. Pas kësaj, le të vazhdojë lufta politike, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për themelimin e Qeverisë.
Qeverinë e themelon dhe e udhëheq ai koalicion politik që grumbullon 61 deputetë. Kurse në Parlament ka një matematikë tjetër – Kryesia e Parlamentit duhet të ketë renditjen sipas votave që kanë fituar partitë politike më 9 shkurt 2025.
Moskonstituimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës e dëmton tej mase shtetin e Kosovës.
Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta ketë të qartë një gjë: Pavarësisht nëse ka apo jo dakordim ndërmjet partive politike parlamentare, pikat e rendit të ditës duhet të hidhen në votim, dhe ato duhet të votohen kur janë në sallë mbi 61 deputetë – pavarësisht se si do të votojnë ata.
Ky fillim i ngathtë tregon qartë se ky parlament do të jetë i zbehtë dhe jo produktiv. Po shihet qartë se partitë politike, interesat personale të liderëve të tyre dhe interesat politike të vetë partive janë vendosur mbi interesat shtetërore.
Deputetët duhet ta kenë të qartë një çështje: Republika e Kosovës do të vazhdojë të ekzistojë edhe atëherë kur ju, 120 deputetët që jeni zgjedhur në këtë mandat, nuk do të jeni më pjesë e Parlamentit të Kosovës.
Prandaj, hiqni për një moment rrobat e partiakut dhe vishni ato shtetërore. Sepse partitë tuaja mund edhe të shuhen e të mos ekzistojnë fare në të ardhmen, por shteti i Kosovës do të vazhdojë rrugëtimin e tij edhe pa ju./Bota Sot