Nga: Agim Vuniqi
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të visit 2024 ka shënuar një kthesë të re në politikën amerikane – si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Republikanët kanë rifituar kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, duke krijuar një qeverisje të unifikuar që synon të zbatojë një agjendë të qartë konservatore dhe nacionaliste, me theks në politikën e brendshme ekonomike, kufijtë dhe fuqizimin ushtarak.
Presidenti Trump është kthyer në pushtet me një narrativë të qartë për “rikthimin e Amerikës” – një slogan që tejkalon diskursin tradicional dhe shpreh një ndjenjë të thellë të dëshirës për rend dhe dominim global. Me ndihmën e një Kongresi republikan të konsoliduar, ai ka filluar me shpejtësi të rishqyrtojë politikat e administratës Biden, përfshirë ato mbi mjedisin, migracionin, kujdesin shëndetësor dhe marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare.
Në planin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin mbi Kinën dhe Iranin, duke forcuar pozicionin ushtarak në Indo-Paqësor dhe duke thelluar përkrahjen për Izraelin në konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme. Po ashtu, është shtuar qasja më e ashpër ndaj Bashkimit Evropian, sidomos në fushat ku interesat ekonomike dhe politike amerikane perceptohen të sfiduara.
Në politikën e jashtme, presidenti Trump ka deklaruar një rishikim të mëtejshëm të përkushtimeve të SHBA në NATO, duke kërkuar që vendet anëtare të rrisin kontributin financiar. Kjo ka ngjallur shqetësime te aleatët evropianë, të cilët kanë filluar të konsiderojnë më seriozisht alternativat për sigurinë e tyre kolektive.
Në planin e brendshëm, polarizimi politik mbetet i thellë. Retorika politike është ashpërsuar, ndërsa diskursi mediatik është bërë më i ndarë se kurrë. Pavarësisht kësaj, institucione si Gjykata e Lartë dhe sistemi gjyqësor kanë treguar pavarësi, duke vepruar si balancë në një klimë politike të ndezur. Reformimi i ligjit për sigurinë kufitare, ulja e taksave për bizneset, dhe rritja e buxhetit për mbrojtjen janë ndër prioritetet që tashmë po shtyhen përpara nga administrata e re.
Jetesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një vend ku sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes janë ende themel i rendit kushtetues, mbetet privilegj dhe përgjegjësi. Sfidat që i janë shtuar shoqërisë amerikane – nga migracioni e deri te debati mbi të drejtat civile – kërkojnë reflektim të thellë, maturi dhe një qasje të balancuar.
Në këtë sfond të ri politik, komuniteti shqiptaro-amerikan është thirrur që të luajë një rol më të dukshëm dhe më të unifikuar. Shqiptarët në SHBA nuk janë vetëm dëshmitarë të këtyre zhvillimeve, por pjesëmarrës aktivë në proceset politike dhe publike. Lidhja e natyrshme mes shqiptarëve dhe amerikanëve, e ndërtuar në themele miqësore dhe historike, ka nevojë të ripërtërihet dhe të forcohet në këtë fazë të re.
Përballë sfidave globale dhe vendore, është jetike që shqiptaro-amerikanët të dalin me një platformë të përbashkët, e cila mbështet vlerat demokratike, interesat kombëtare të shqiptarëve dhe thellimin e partneritetit të përhershëm me SHBA-në. Pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet, miqësia shqiptaro-amerikane është konstante dhe burim krenarie për të gjithë ata që vijnë nga viset shqiptare.
Zëri i shqiptarëve në Amerikë – nga Nju Jorku në Çikago, nga Detroiti në Dallas – mbetet i fuqishëm dhe i përkushtuar për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe të drejtën për të jetuar të barabartë në një shoqëri që përkundër sfidave, është shembulli më i lartë i mundësisë njerëzore.
Zoti e bekoftë Amerikën dhe shqiptarët
/Bota Sot