Për kritikë nga e majta dhe e djathta, ajo është simbol i politikanëve që ngulen në Kongres dhe nuk e lëshojnë më postin – Pelosi do të mbetet gjithësesi në historinë amerikane si një nga ligjvënëset më të shquara.
(Fotografia e parë është marrë në zyrën e saj si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, me veprimtarin shqiptaro-amerikan Harry Bajraktarin, kryetarin e ri të Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongres, miku i shqiptarëve Eliot Engel dhe bashkëshorten e tij Pat Engel.)
Nga Ruben Avxhiu
Javën që shkoi, kongresistja veterane demokrate, Nancy Pelosi njoftoi se nuk do të kandidojë më, duke i dhënë fund një karriere gati 40-vjeçare në Kongres.
Ajo ka hyrë në histori si gruaja e parë dhe e vetme në histori që ka shërbyer si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, jo një herë por dy herë.
Si udhëheqëse e demokratëve në Kongres ka krijuar profilin e një gruaje të fortë që di të bëjë marrëveshje dhe është e zonja të mbajë nën kontroll rryma të ndryshme të partisë.
Megjithatë, përpjekjet e saj për të kufizuar krahun e ri të majtë të partisë, me figura si Alexandria Octavia-Cortez kanë patur sukses të kufizuar. Megjithë manovrat mbrapa skenave, të dy palët kanë shmangur përplasjen e drejtëpërdrejtë në publik.
POLITIKANË QË NUK SHKULEN NGA POLITIKA
Republikanët e kanë pasur një kundërshtare të fortë. Ndonëse shumë prej tyre dërguan mesazhe nderimi për karrierën e gjatë dhe të suksesshme në Kongres, Presidenti Donald Trump reagoi pa kortezi duke e quajtur “një grua të poshtër”.
Për shumë kritikë nga e majta dhe e djathta, 85-vjeçarja Pelosi është simbol i politikanëve që ngulen në Kongres dhe nuk e lëshojnë postin derisa dalin në pension.
Nga ana tjetër, ajo vazhdoi pjesëmarrjen e suksesshme në politikë në një epokë kur figurat kryesore që kandiduan për në Shtëpinë e Bardhë ishin gati po aq të moshuar sa ajo: Joe Biden, Bernie Sanders, Donald Trump e të tjerë. Ndoshta është më e saktë të thuhet që ky është një brez i tërë politikanësh që ka sfiduar kufijtë e moshës në politikë. (Për hir të saktësisë, Trump ndonëse i moshuar hyri vonë në politikë.)
Qarkullon shpesh një fotografi në internet që tregon një vajzë të re me emrin Nancy Pelosi që ka takuar Presidentin John F Kennedy. Fotografia shpesh ka dhënë përshtypjen e guar se ajo ka qenë në politikë që nga ajo kohë. (Ka fotografi të sajuara për humor, që tregojnë kongresisten Pelosi duke biseduar me Presidentin Abraham Lincoln).
Në fakt, Pelosi hyri vonë në politikë, kur ishte 45 vjeç, pas një karriere profesionale dhe pasi kishte rritur si nënë pesë fëmijë.
Demokratja nga California është ngritur ngadalë në shkallën e hierarkisë në Kongres, por në mënyrë të vendosur dhe u shqua gjithësesi, për të keqen e Republikanëve, si një nga kryetaret më efektive të Dhomës.
Rivalët e saj republikanë e kanë respektuar dhe shpesh kanë bashkëpunuar pavarësisht nga dallimet ideologjike.
Pelosi lë pas gjithësesi, një parti më të përçarë, më të majtë se ajo që gjeti kur u zgjodh për herë të parë në Kongres.
MIRËNJOHJE PËR NDIHMËN QË DHA PËR KOSOVËN
Për ne shqiptaro-amerikanët, politikanët në Washington nuk maten vetëm me punën që kanë bërë për Amerikën, apo nëse janë të majtë apo të djathtë, por edhe nga kontributi dhe pozicionet që kanë mbajtur për tema që lidhen me shqiptarët dhe Ballkanin.
Në këtë kontekst, Pelosi përpara se të ketë qenë një politikane demokrate apo nga California, për shqiptarët ka qenë një aleate e rregullt me votë dhe me fjalë.
Mbi të gjitha është dalluar në vitin kyç 1999. Në atë kohë, u bë një nga anëtarët e rrallë të Kongresit që udhëtuar për të takuar refugjatët e Kosovës.
Përpara dhe gjatë luftës në 1999, mbështeti fuqimisht ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s, si dhe misionin paqeruajtës pas çlrimit, me fjalime e vota në Kongres.
Duke marrë pjesë në debatin përpara votimit për të mbështetur sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbi, në 1999, Nancy Pelosi veç të tjerash u shpreh: “Zoti kryetar, le të kumbojë një votë Pro për këtë rezolutë sot, sa ta dëgjojë edhe Millosheviqi sa ta dëgjojnë edhe avionët tanë në atë zonë, le ta bëjmë për fëmijët e shpërngulur të Kosovës”.
Gjatë një debati tjetër për Kosovën, pas kthimit të saj nga Ballkani, ku u takua me refugjatët shqiptarë të luftës dhe oficerë të NATO-s, ajo tha: “Ajo që po ndodh në Kosovë është një sfidë ndaj ndërgjegjes së vendit tonë… Isha vetë aty, mbajta fëmijët kosovarë në krahët e mi dhe fola me një grua 95-vjeçare që ishte detyruar ta kalonte kufirin në këmbë.”
“Nuk ka njeri në këtë Kongres që nuk mendon se Millosheviqi është një kriminel lufte”.
Duke iu përgjigjur kongresistit Kasich nga Ohio, me origjinë nga Jugosllavia, i cili kishte thënë se zhvillimet në Kosovë nuk rrezikojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara, domethenë ndërhyrja amerikane aty ishte e tepruar, Nancy Pelosi u shpreh: “Ajo që po ndodh në Kosovë është një sfidë ndaj ndërgjegjes së vendit tonë, një sfidë ndaj të ardhmes së NATO.s Prandaj do të doja t’i thoja kolegut tonë, zotërisë nga Ohio, se kjo është interes vital kombëtar për ne, interesi për fatin e NATOs.”
Duke rrëzuar argumentin se SHBA nuk kishte punë të çonte paqeruajtës në Kosovë, Nancy Pelosi tha: “Nuk mund të ketë marrëveshje pa trupa amerikanë në terren. Kosovarët nuk do të pranonin asnjë forcë paqeruajtëse që nuk përfshin trupa amerikane. Nuk mund të ketë marrëveshje pa NATO-n në Kosovë dhe NATO nuk do të shkojë aty pa trupat amerikane. Prandaj përfshirja jonë është themelore për çdo marrëveshje për të mbajtur paqen në Kosovë”,
Në vitet e mëvonshme mbështeti pavarësinë e Kosovës.
Një nga parrullat e saj që e kanë orientuar të mbajë qendrime parimore në fushën ndërkombëtare kaq qenë: “Amerika është e madhe, kur është e mirë”. Vërtet, rrallë ka qenë Amerika aq madhështore sa në 1999 dhe në 2008./Express