Kreu i LDK’së në pasqyrë: Vetëkënaqësi mbi realitetin..!
Kreu i LDK’së në pasqyrë: Vetëkënaqësi mbi realitetin..! 16.01.2026 | 03:24
Shkrimi i Lumir Abdixhikut, “Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?”, e zbulon hallin e një drejtimi që ka humbur plotësisht busullën politike dhe morale.
 
Shkruan: Hafiz Gagica
 
Ai më shumë reflekton vetëkënaqësi dhe një ndjenjë të mbivlerësuar të vetes sesa reflektim mbi gjendjen reale të partisë.
 
Të flasësh për “mercenarë” dhe sulme të orkestruara, kur vet ke ardhur në krye të partisë përmes rrethanash të imponuara dhe ke rrethuar veten me individë pa përvojë dhe pa peshë reale strukturore, është një paradoks i hidhur politik.
 
Katër vite me radhë, politika opozitare e LDK-së ka qenë e përgjumur dhe pa profil shtetëror. Përjashtuar një fjalor të rastësishëm, shpesh të huaj për traditën politike të LDK-së, nuk ka pasur një opozitë serioze, koherente dhe të përgjegjshme ndaj qeverisjes. Ndërkohë, këta dhjetë muaj të fundit janë shndërruar në periudhë kalkulimesh personale të kreut të partisë, herë me flirtim ndaj një qeverie gjithëpërfshirëse, herë me vendosje të vijave të kuqe që bien ndesh me filozofinë bazike të LDK-së, pa asnjë ide konkrete në interes të shtetit. Ruajtja e interesit shtetëror është mbi çdo ego partiake, e aq më pak mbi ambicie personale. Qytetari, gjatë gjithë kësaj kohe, ka qenë vetëm vëzhgues i këtij konfuzioni politik.
 
Deklaratat boshe në studio, injorimi i strukturave dhe i bazës, mungesa e një ideje serioze fushate, kalkulimet dhe obstruksionet e vazhdueshme kanë çuar LDK-në në fragmentim, humbje të besimit të anëtarësisë dhe dobësim të autoritetit politik. Ky dobësim nuk është pasojë e kritikave të jashtme, por i një udhëheqjeje vetëkënaqëse, e larguar nga realiteti i strukturave dhe e mbyllur në botën e saj të privilegjeve dhe interesave të momentit.
Kur drejtuesit nuk dëgjojnë bazën, nuk vendosin rregulla të qarta për përzgjedhjen e kandidatëve dhe nuk sigurojnë transparencë, çdo kritikë e jashtme bëhet vetëm reflektim i mungesës së disiplinës dhe vizionit të brendshëm.
 
Një parti nuk fitohet me tituj portalesh dhe retorikë televizive; ajo fitohet me vizion të qartë, konsensus të brendshëm, angazhim të sinqertë dhe përgjegjësi morale. Reforma e brendshme nuk mund të bëhet duke vendosur individë pa përvojë në lista deputetësh, pa garë të drejtë, pa transparencë dhe pa miratimin e bazës.
 
Pa parti të reformuar demokratike, të fuqishme, me struktura të shëndosha që kërkojnë llogaridhënie dhe përgjegjësi në çdo hap, nuk ka as shtet të fortë, as politikë serioze, as zgjidhje reale për qytetarët.
 
Prandaj, LDK, si parti e parë institucionaliste e vendit, që i duhet Kosovës për politikat shtetërore dhe afirmimin e saj në botë, duhet të reflektojë thellë dhe shpejt. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme, të realizohen nga grupe pune të sinqerta dhe individë të dëshmuar që dinë, mundin dhe duan të bëjnë punë të mira.
 
Ky kryetar dhe rrethi i tij e shohin LDK-në vetëm përmes botës së tyre, si një firmë për përfitime momentale dhe si një skenë për realizimin e interesave të vetvetes. Pa një ndryshim rrënjësor në qasjen e udhëheqjes, katër vitet e ardhshme nuk do të jenë thjesht sfidë; ato mund të shndërrohen në pasoja të dhimbshme për partinë dhe për besimin e qytetarëve.
 
LDK-ja mund të rikthehet vetëm përmes bashkëbisedimit të hapur me anëtarësinë, përmes transparencës së plotë në vendimmarrje dhe përmes meritokracisë që i jep vlerë atyre që realisht kontribuojnë, jo atyre që kërkojnë privilegje pa punuar.
 
Vetëm me reforma të shëndosha të strukturave partiake, duke dhënë një pasqyrë reale të anëtarësisë bazike, krejtësisht transparente, dhe duke hapur garë konkuruese për udhëheqësit e degëve dhe nëndegëve, mund të presim rezultate reale. Me improvizimet e deritanishme, që kanë ndodhur në shumë degë dhe edhe në vetë kryesinë, nuk mund të flasim për reformë, por për përzgjedhje sipas shijes së kryetarit.
 
Forca morale dhe guximi qytetar nuk janë thjesht fjalë; ato duhet të jenë veprimi i parë i kryetarit Abdixhiku: dorëheqja menjëherë pas rezultateve të dobëta dhe dorëzimi i postit të deputetit që mori në emër të partisë, një post që nuk e meriton. Vetëm kështu mund t’i dërgohet një mesazh i qartë anëtarësisë dhe qytetarëve, se LDK është mbi ego dhe interesa personale, dhe sundimi i ligjit, transparencës dhe vlerave të partisë është mbi çdo ambicie individuale.
 
(Hafiz Gagica është një veprimtar politik dhe aktivist i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), veçanërisht për aktivitetin e tij në diasporë (sidomos në Gjermani) gjatë viteve ’90 dhe më pas.)/Gazeta Metro
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave