Na dogji malli, seç na vrau-në udhët p`ej sh`pie
Na dogji malli, seç na vrau-në udhët p`ej sh`pie 26.07.2021 | 11:57
Zot na jep forcë!!! 
 
Nga Halil Matoshi
 
1.
Ata dhetë shpirtna që s’u kthyen dje nga udhët, i vajton sot Atdheu.
Kosova në Zi kombëtare!
Atdheu i shqiptarëve âsht gjuha shqipe.
Siç âsht për çdo shkrimtar gjuha në të cilën shkruen.
Porse për shqiptarët gjuha shqipe rëndom âsht e mbytun n’lot.
Gjuha e vajtimit.
Kânga epike “Kush i pari bâni more djalë kurbeti... “ duhet me pas lind krahas Odiseas së Homerit.
Mallkim dhe kângë e k’putun në gjysëm!?
Vajtimi duhet të jetë ritual antik i ballkanasve që nga drama eskiliane deri te Iliada, kur Priami qau për trupin e Hektorit, që kur Ajkuna qau Omerin, Leka Skënderbeun, Avdinë e motra në Vraninë, Nasim Elshanin nâna më 1990, për me mbrri në ditët tona.
Ryvije Elshani (që vdiq në tetorin e vitit 2020), kishte kthyer sytë e botës nga Kosova përmes një fotografie ku shihej tek vajtonte vëllain e saj të vrarë nga serbët, Nasimi Elshanin.
Fotografia e saj e zânun nga syni dhe aparati i Georges Mérillon nê 29 janarin e vitit 1990 paraqet imazhin e trishtimit të përmasave të tragjedive antike.
Groteskën e trishtimit!?
Koncepti i mërgimit në gjuhë, njihet që nga Pesoa e Joyce,  e deri tek Danilo Kiš. Dhe nga Mate Matevski e Abdulah Sidran;
Ky âsht tregimi për njerëzit që kanë shkue në nji botë ma të drejtë, mas nji cope buke dhe që, s’kanë mujtë me u kthye kurrë!?
Ata dhetë kanë mërgu në gjuhën e vajtimit, sepse përjetësisht do të jenë në rrugën e kthimit: P’ej shpie!?
 
2.
Fshatna të tana po zhduken, e shkollave po u eper dryni. Sikur shkollës së Tygjecit, ku më 1977 kam mbaru filloren, sepse njerëzit dëshpërimisht kërkojnë një jetë më të mirë dhe më të drejtë.
Ngarendjën me u kthy n’Atdhe për pushimet e verës, âsht e vështirë për me e kuptu në Perëndim.
Ashtu siç na zor e kuptojmë traumën e ikjës së miliona njerëzve të dëshpëruar për të ardhur në Evropë nga Afganistani, Afrika e Veriut, Siria, Iraku ose Irani.
Mbi 800 mijë kosovarë llogaritet të jenë jasht Kosove.
 
3.
Historia na qiti udhëve të botës!
Udha e kthimit seç na vrau...
Netve pa hânë tue kapërcy alpet n’kâmë për ma shumë shpresë, koha u ngatrru dhe u ndal;
Tue u ecun brigjeve t’liqeneve e tue u ra me not detnave, për me kalue andej ku jeta na afronte ma shumë buzëqeshje;
 
4.
Tue shku me tren për Gjermani, si më 30 gusht, 1974 në Zagreb;
Atje humbën jetën 166 njerëz nga Ballkani, p’ej tyne dheta kosovarë.
41 viktima nuk janë identifiku kurrë.
 
5.
Tue kapërcy malet, lumejt e prrojt, si në Tisa në nandor 2009, për me ble andrrat tona. Atje humbën jetën 11 shqiptarë të Kosovës, ndër ta edhe Florian Ademin, mosha e të cilit me saktësi është 11 muajsh!?
 
6.
Tue udhëtu me autobusë, si në Zurich, më 16 dhjetor 2018, ku humbë. jetën dy kosovarë që punon atje për një copë bukë e ma shumë kundësi me i rritë fëmijtë!?
 
7.
Në një aksident trafiku në Gjermani, midis Meersburg dhe Uhldingen-Mühlhofen (Bodenseekreis) më 16/10/2020 humbën jetën tre qytetarë kosovarë e nji u lëndu rand. Ata jetojshin në Zvicër dhe u aksidentyen tue u kthye nga Kosova.
 
8.
Tue u kthye n’Atdhe, si mjesin e djeshëm në Slavonski Brod me 25 korrik, 2021.
Ata dhetë që s’u kthyen dje nga udhët, i vajton sot Atdheu.
Kosova në Zi kombëtare!
 
9.
Na bijt e kurbetit që kurrë shpirtin rahat s’e bâmë, tue u rropatun me e përmbush idealin e kthimit n’Itakën tonë shéjte, Kosovën që na jep dashtuni dhe shumë dhimtë e vrragë shpirti!
Ulyssus i James Joyce kurrë nuk kthehet në Itakën e tij. Ai mërgon në gjuhë.
 
10.
Leopold Bloom është protagonisti dhe heroi imagjinar i romanit Uliksi të James Joyce, shkru më 1922, që kurrë nuk kthehet në shtëpi.
Ai migron në gjuhë.
I gjithë veprimi i Bloom/Uliksit zhvillohet në dhe përreth Dublinit në një ditë të vetme (16 qershor 1904). Tre personazhet qendrorë - Stephen Dedalus (heroi i Portretit të mëparshëm të Artistit si Joyce i Joyce); Leopold Bloom, një puntor reklamues hebre; dhe gruaja e tij, Molly - synojnë të jenë homologë modernë të Telemakut, përkatësisht Uliksit (Odiseut) dhe Penelopës, dhe ngjarjet e romanit paralelisht paralajmërojnë ngjarjet kryesore në udhëtimin e Odysseus në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Ata dhetë kurrë nuk kthehen në Atdhe.
Jetojnë në nji udhëtim të përjetshëm, të përvajshëm!
Ata janë malli jonë i pashuem.
E nuk kanë me shkue mâ.
Kemi me i vorrosë njerëzit tanë n’dheun e ksaj toke që aq shumë e deshtën.
Lamtumirë, miqtë e mi.
Në fund të dramës ua mësova edhe emnat!
Shekujt do t’ju gjejnë në kangët elegjiake të kurbetit, e ju do të jeni përjetësisht në udhën e kthimit...
 
P.S.
 
Jam me familjet e viktimave, me shpirt e mendje dhe lutem bashkë me ta!
Zot, na jep forcë!
Mos na raftë me harrue!
 
Lutem me familjet e t’lënduemve, që ata të  çohen shpejt n’kâmë e të kthehen në sh’pi!
Amen!
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave