Nëntori i përgjegjësisë kombëtare
Nëntori i përgjegjësisë kombëtare 05.11.2025 | 14:36
Nga: Prof. Dr. Skender Asani
 
Politikbërja shqiptare nuk mund të mbijetojë më me glorifikimin ceremonial të historisë; ajo duhet të përballet me llogaridhënien që ia kërkon Nëntori ai i Manastirit dhe ai i Vlorës dy akte themelore që i dhanë drejtim dhe dinjitet kombit shqiptar.
 
Nëntori i Kongresit të Manastirit unifikoi alfabetin dhe, bashkë me të, ndërgjegjen kombëtare, duke i dhënë zë një populli që kërkonte të fliste me një gjuhë, të mendonte me një ideal dhe të vepronte me një qëllim. Ky unifikim shpirtëror e kulturor solli si pasojë të natyrshme Kuvendin e Vlorës, ku ideja u shndërrua në akt shtetformues.
 
Por në tragjedinë e historisë sonë, Konferenca e Londrës copëzoi trungun shqiptar, duke e ndarë kombin në pjesë të shpërndara, të cilat megjithatë ruajtën frymën e përbashkët të lirisë. Ndërsa Konferenca e Versajës, nën hijen e interesave të mëdhenj, njohu shtetin shqiptar të cunguar, duke lënë jashtë trungut pjesët veriore e lindore të banuara me shqiptarë, të cilët vijuan me përpjekje të pandërprera për çlirim dhe bashkim. 
 
Qershori i vitit 1999, me flakën e lirisë së Kosovës, riktheu shpresën e një epoke të re kombëtare dhe hapi portat e shtetësisë së saj si përmbushje e një kapitulli të mohuar për dekada. Por kjo liri, nëse nuk ushqehet me përgjegjësi politike, rrezikon të shndërrohet në stagnim institucional dhe në kriza që dëmtojnë vetë substancën e shtetësisë.
 
Prandaj fillimi i këtij nëntori duhet të shënojë një kthesë të re për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, ku pas dështimeve për krijimin e qeverisë, kërkohet kthjelltësi, bashkërendim dhe përgjegjësi për misionin historik që Kosova përfaqëson.
 
Në Maqedoninë e Veriut, pas përfundimit të procesit zgjedhor lokal, hapet një periudhë e re reflektimi politik, që kërkon tejkalimin e logjikës së ngushtë partiake dhe ngritjen e një vizioni të ri kombëtar. Shqiptarët i pret detyra historike për ta rikthyer dhe avancuar shtetformësinë e tyre, duke ndërtuar një Platformë të Re të Shtetformësisë që të projektojë një vizion të qëndrueshëm euroatlantik, të bazuar në barazi reale dhe përfaqësim dinjitoz në të gjitha nivelet e arkitekturës shtetërore.
 
Ky proces duhet të jetë i mençur, gjithëpërfshirës dhe strategjik, në mënyrë që shqiptarët të mos jenë vetëm pjesëmarrës formalë në jetën politike, por bashkëhartues të rendit të ri institucional dhe garanci e stabilitetit afatgjatë të shtetit. Vetëm përmes një platforme të tillë, që ndërthur idealin kombëtar me përgjegjësinë shtetërore, mund të ndërtohet një balancë e re e fuqisë politike, që do ta bëjë barazinë jo premtim elektoral, por realitet të prekshëm në përditshmërinë e qytetarëve.
 
Në këtë mozaik sfidash rajonale, Tirana zyrtare duhet të marrë rolin udhëheqës që historia dhe pozita gjeopolitike ia ngarkojnë. Në këto momente të ndjeshme ajo duhet të jetë jo vetëm qendër politike, por edhe qendër orientuese e kombit shqiptar në rajon.
 
Tirana nuk mund të heshtë përballë krizave politike në Prishtinë apo vakuumit institucional në Shkup, sepse heshtja e saj përkthehet në pasivitet kombëtar. Në vend të neutralitetit të ftohtë diplomatik, duhet të ringjallet një diplomaci aktive, gjithëpërfshirëse dhe e mençur, e cila do ta pozicionojë faktorin shqiptar si element stabiliteti dhe jo si reflektim i krizave të brendshme.
 
Në këtë rrugëtim historik e politik, marrëdhëniet me aleatin tonë natyror Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten themel i qëndrueshmërisë dhe garanci e orientimit strategjik të kombit shqiptar.
 
Amerika, që dikur ndihmoi në ringjalljen e shpresës shqiptare dhe në realizimin e ëndrrës së lirisë për Kosovën, mbetet sot busulla e sigurisë dhe mbrojtëse e aspiratave tona euroatlantike. Po aq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet me miqtë tanë evropianë, me të cilët ndajmë një vizion të përbashkët për paqe, demokraci dhe integrim.
 
Këto aleanca nuk janë vetëm lidhje diplomatike, por shtylla të domosdoshme të rrugëtimit tonë kombëtar dhe të orientimit tonë strategjik drejt Perëndimit. Vetëm përmes këtij bashkërendimi me partnerët ndërkombëtarë, Tirana, Prishtina dhe Shkupi mund të ndërtojnë një bosht të ri shqiptar të stabilitetit rajonal dhe të sigurisë euroatlantike, duke e bërë faktorin shqiptar jo vetëm kombëtar, por edhe strategjik për të ardhmen e Ballkanit.
 
Ky nëntor, pra, nuk duhet të jetë muaj i festave, por muaj i reflektimit dhe i llogaridhënies. Nuk duhen më ceremoni me flamuj, por përgjigje për drejtimin e çështjes shqiptare në shekullin e ri.
 
Nga Manastiri në Vlorë, nga Londra në Versajë, nga Tirana e Prishtina në Shkup çdo hap i historisë sonë kërkon sot një përgjigje politike, të mençur dhe të përgjegjshme: ku po shkon kombi shqiptar dhe kush mban përgjegjësi për drejtimin e tij?
 
Vetëm atëherë, Nëntori do të jetë jo kujtesë romantike, por tribunë kombëtare e ndërgjegjes politike shqiptare./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave