Gjysmëshekulli i Baletit – histori sakrificash, arritjesh e festash
Gjysmëshekulli i Baletit – histori sakrificash, arritjesh e festash 11.10.2022 | 12:00
Përvjetori i themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës nuk është thjesht një jubile, por një histori e tërë sakrificash, arritjesh, dëbimesh prej institucionit, rikthimit e ringjalljes së baletit pas luftës.
 
Qe një grup të rinjsh që do të shkollohej në Shkup, për t’u kthyer në Prishtinë e për ta nisur një histori që si pikënisje ka vitin 1972. Po prej atij grupi, si Ahmet Brahimaj me shokë, do t’i prinin edhe ringjalljes së baletit fill pas luftës.
 
Sot Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin, dhe për të festuar risjell një pjesë të shfaqjes “Halili dhe Hajrija”, por edhe duke kujtuar e nderuar ata që ia vunë themelet
 
Në Kosovën e vitit 1968 njëzet e pesë të rinj vërtiteshin për të nisur vitin e parë në ndonjë shkollë të mesme, apo në Normalet e kohës. Por ndryshimi i rrethanave kishte bërë që autoritet e kohës të mendonin pak më shumë për artin e ngritjen e institucioneve të reja. Në korrik të vitit 1966, Plenumi i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, që u mbajt në ishujt kroatë, vendosi që të shkarkojë numrin dy të regjimit, Aleksandër Rankoviq, i cili deri atëherë ishte nënkryetar i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme. Me rënien e Rankoviqit, në njëfarë forme u dënuan edhe veprat e tij.
 
Si funksionar, në raport me shqiptarët kishte qenë më i egri. Shtypja e shqiptarëve të Kosovës ishte evidente nëpërmjet krejt institucioneve e organeve të kohës që kishin të bënin me punët e brendshme të ish-Jugosllavisë. Rënia e Rankoviqit shënoi pikën e kthesës në raport me zhvillimet në Krahinën e atëhershme që përbënte pjesën më të varfër të ish-Jugosllavisë. Realisht u shtyp koka praktike e nacionalizmit serb.
 
Midis të tjerash u vërejt edhe hovi arsimor e kulturor. Instituti Albanologjik i Prishtinës u rihap në shkurt të vitit 1967. Qe mbyllur më 1955, veç dy vjet pas hapjes. Tash pushteti i atëhershëm i Kosovës kishte nisur të merrte masa me avancimin e jetës kulturore.
 
Xheladin Topçiu si udhëheqës i Bashkësisë Krahinore të Kulturës dhe Vahide Hoxha si udhëheqëse e Këshillit Kulturor të Kosovës, midis të tjerash kishin vendosur që ish-Krahina të kishte edhe një trupë baleti në kuadër të atij që ishte Teatri Popullor Krahinor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës.
 
Hapi i parë duhej të ishte shkollimi i kuadrove. Si mundësi më e përshtatshme u pa Shkolla e Mesme e Baletit në Shkup.
 
Pasi u negociua me autoritet e atjeshme, u vendos që të krijohej një klasë paralele në gjuhën shqipe për të shkolluar gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës. Ndihmesë të madhe në këtë rast kishte dhënë edhe drejtori i Teatrit Popullor Krahinor, Azem Shkreli.
 
Një komision i përbërë nga vendës e përfaqësues të Shkollës së Mesme të Baletit në Shkup do të niste hulumtimet në shkollat e mesme të Kosovës. 
 
 
“Shkuam dhe u bëmë balerinë...”
 
Asokohe Januz Beqiraj nga fshati Saradran i Istogut kishte lënë Gjimnazin e Pejës shkaku i kushteve ekonomike. Kishte nisur të punonte zdrukthëtar në qytetin perëndimor. Kishte marrë vesh se po hapej një audicion për të shkuar në shkollë baleti.
 
“Ne nuk dinim gjë për balet, por kur mora vesh se ka bursë thashë se të paktën nuk do t’i bëhem barrë familjes”, kujton ai. Radha për të hyrë në sallën e fizkulturës në Gjimnazin e Pejës ishte shumë e gjatë. Fushata pozitive e kishte bërë të veten. Por pjesa dërrmuese e konkurrentëve ishin djem. Vajzat në atë kohë e kishin goxha të vështirë që ta vazhdonin shkollimin në Kosovë e lëre më t’ia mësynin Shkupit.
 
Zhurma në ambientet e korridorit ishte e madhe. Në një moment Ivela Judita, mësimdhënëse e baletit në Shkup, do t’ua tërhiqte vërejtjen që të mbanin qetësi në korridorin e ngushtë. Të gjithë, brenda mundësive kishin zgjedhur edhe rrobat më të mira për t’i veshur në audicion. Bile, disa prej tyre edhe do t’i huazonin ato.
 
Përgatitjet me rroba të mira nuk do t’u hynin në punë. Kërkesa e parë me të hyrë në sallë ishte që të zhvisheshin deri në brekë. Juria ku bënte pjesë edhe mësimdhënësja tjetër nga Shkupi, Tatjana Petkovska, donte të shihte format trupore të konkurrentëve. Midis kërkesave ishte edhe që të hipin mbi një tavolinë e të kërcenin në dysheme.
 
“Donin me pa se si po kërcejmë. Pak më bukur apo vetëm hajt ashtu”, kujton Beqiraj.
 
U testohej pak edhe zëri nëse ishte muzikal apo jo. E ndonjë pyetje për baletin a shkollimin e deriatëhershëm edhe bëhej aty-këtu. Përshkrim të njëjtë bën edhe kolegu i tij Gani Loshi, që tash jeton në Belgjikë.
 
“Ne ishim të rinj shumë. Nuk e kishim idenë për balet. Shkuam dhe u bëmë balerinë”, tregon Loshi ndërmjet telefonit. Katër vjetët e Shkupit mbesin ndër eksperiencat më të mira të grupit. Kishin hyrë në botën e artit e edhe po provonin veshje të stilit perëndimor.
 
Dalja në skenë me “Ritme të zgjuara”
 
Më 1972 do të ktheheshin në Prishtinë për t’u bërë pjesë e atij që ishte Teatri Popullor Krahinor. Balerinët e rinj i vendosen që të banojnë në konvikte. Udhëheqës i Trupës së Baletit u bë Abdurrahman Nokshiqi.
 
Nën koreografinë e Nokshiqit, Trupa e Baletit do të përgatiste edhe premierën e parë si njësi institucionale e TPK-së.
 
“Ritme të zgjuara” titullohej shfaqja, muzika e së cilës ishte një kombinim midis krijimtarisë së gjermanit Johann Sebastian Bach dhe dy shqiptarëve, Rexho Mulliqi e Akil Koci. Me skenografi të Nuredin Loxhës, kostume të Violeta Zariqit, premiera do të jepej më 15 qershor 1973.
 
Kjo premierë kishte bërë që balerinëve t’u kthehej entuziazmi. Kishin dëshmuar se mund të përgatisnin shfaqje dhe njëkohësisht vazhdonin të kërkonin kushte më të mira.
 
Shpërthimi me “Halili dhe Hajrija”
 
Në dekadën e parë Trupa e Baletit do të përballej me shumë sfida. U mungonin shumë edhe profesionistët sa u përket ushtrimeve dhe përgatitjes së shfaqjeve. Por me relaksimin e marrëdhënieve midis ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë komuniste, sidomos autoritet kulturore të Kosovës dhe ato të Tiranës kishin nisur të komunikonin. Pas disa vizitave u vendos që nën koreografinë e Panajot Kanaçit, Trupa e Baletit të Kosovës të realizonte shfaqjen “Halili dhe Hajrija”.
 
Paraprakisht në Kosovë për t’i bërë përgatitjet kishin ardhur asistentët e tij Zoica Haxho, Ganimete Vendresha dhe Pullumb Agalliu, tash profesor në Akademinë e Baletit në Azerbajxhan.
 
Kishin ushtruar për katër muaj, në mënyrë që të bëheshin gati për premierë më 9 tetor 1979. Rreth dy javë para premierës do të vinte edhe vetë mjeshtri Kanaçi. Shfaqja ishte pritur shumë mirë nga kritika. Kishin raportuar edhe shtëpi mediatike të njohura në ish-Jugosllavi. E në vitin 1980 shfaqja do të jepej edhe në Tiranë.
 
“Ata kanë punuar shumë me ne dhe na kanë dhënë përvojë dhe energji për të vazhduar tutje. Disi na kanë dhënë kurajë që të vazhdojmë punën”, kujton balerina Sabrije Spahiu. Ajo periudhë mbetet e veçantë edhe për koreografin Agalliu. Ai ishte lidhur fort me balerinin e asaj kohe Ahmet Brahimaj, i cili më 1985 do të bëhej shef i Trupës e pas luftës së fundit edhe rithemelues i saj.
 
“Balerinët e Kosovës kishin nevojë për përgatitje dhe ne mundoheshim që të japim maksimumin. Ishin kohë të mira ato pasi punonim me zell si vëllezër”, kujton Agalliu. Asokohe Halili luhej nga Elez Nikçi e Hajrija nga Nexhmije Selca.
 
Kapitujt e rinj dhe masat e dhunshme
 
Dekada e parë e balerinëve nuk ishte aspak e lehtë. Ndërsa e dyta do të përmbyllej duke i larguar nëpërmjet masave të dhunshme. Më 1985 drejtimin do ta merrte balerini Ahmet Brahimaj. Nëpër ish-Jugosllavi prezantoheshin suksesshëm. Mediat e kohës e paraqitnin Trupën si një formacion me perspektivë.
 
Synimi për t’ia marrë Kosovës autonominë brenda Federatës u konkretizua më 23 mars të vitit 1989, kur delegatët e Kuvendit nën shtetrrethim votuan në shumicë pro ndryshimeve që e kthenin Kosovën veç në një krahinë të Serbisë. Këtu u shemb arritja e vitit 1974, kur Kosova u bë njësi konstituive e Federatës.
 
Prej asaj dite e më pas, shqiptarët nisën të ishin të padëshiruar në institucione. Në shumë raste u nxorën jashtë edhe me dhunë.
 
Gjatë vitit 1990 dhe 1991 filloi edhe largimi masiv nga puna. Ato që njohën si masa të dhunshme nisën të implementohen rreptësishtë. Shqiptarët duhej të nënshkruanin se pranojnë masat e dhunshme dhe t’u nënshtroheshin urdhrave të politikës serbe, në mënyrë që të mbanin pozitat.
 
Teatri Popullor Krahinor nuk i shpëtoi valës së re dominuese të serbëve. Më 4 janar të vitit 1991 u nxor vendimi për të larguar prej Teatrit, Asllan Hasajn. Vendimi qe nënshkruar nga drejtori i Organit të Përkohshëm Drejtues të Teatrit, Mirko Zhariq. Tash drejtor real ishte Zhariqi, të cilin në këtë pozitë e kishin sjellë masat e dhunshme. Paraprakisht qe gazetar kulture në “Jedinstvo”. Shfaqjet si “Viktimat e Tivarit”, nën regji të Ekrem Kryezit e “Vdekja më vjen prej syve të tillë” nën regji të Fadil Hysajt u larguan nga repertori i Dramës Shqipe. Abdurrahamn Nokshiqi po përgatiste një shfaqje me Trupën e Baletit. Premiera ishte ndalur dhunshëm.
 
Urdhri për largimin e Trupës së Baletit nga Teatri
 
Ahmet Brahimaj dhe Mirko Zhariq njiheshin mirë. I pari shef i Trupës së Baletit, kurse i dyti punonte si gazetar. Por me masat e dhunshme Zhariqi do të bëhej drejtor edhe i Brahimajt. Brahimaj veç e kishte parë se në ato kushte nuk ishte e lehtë të punohej.
 
Një ditë ishte ftuar nga Zhariqi për të marrë direktiva për punën. Do t’i kërkohej që Trupa e Baletit të përgatiste një shfaqje të re. Bëhej fjalë për “Banoviq Strahinja”, rrëfimi për një trim serb që në poemat serbe kishte rënë duke luftuar për të mbrojtur popullin e tij në qershor të vitit 1389, kohë kjo që veçmas për historiografinë serbe njihet si datë e Betejës së Kosovës. Por shfaqja kësaj radhe nuk duhej realizuar midis prijësit Strahinja e osmanëve me fes, por kundër shqiptarëve me plisa. Reagimi i Ahmet Brahimajt do të ishte i ashpër. Gati sa nuk kishte shpërthyer në konflikt fizik gjatë kundërshtimit të tij. E Zhariqi do ta kërcënonte si pushtetar. Më 1 tetor 1991, Zhariqi do të nxirrte urdhrin për largimin e Trupës së Baletit nga Teatri. Drama Shqipe do të vazhdonte të punonte nën masa të dhunshme.
 
 
Ahmet Brahimaj në krye të ringjalljes së baletit
 
Deri në pjesën e dytë të vitit 1999, për balet as që dëgjohej në këto anë. Trupën e vjetër e kishte shpërndarë lufta nëpër botë. Ahmet Brahimaj ishte në Kanada. Kishte vendosur të kthehej, dhe ende pa u nisur nga Kanadaja kishte porositur kolegët e tij që të vendosnin një njoftim në ballë të Teatrit që balerinët të mblidheshin pasi Trupa e Baletit duhej të riformohej. Pasi ishte kthyer, kolegët do t’i kërkonin që ta vendosnin në krye.
 
“E rizgjodhëm udhëheqës, pasi asnjëri prej nesh nuk mund të bënte sa ai. Ai e shtynte bjeshkën me gjoks”, përsërit disa herë Januz Beqiraj. Teatri i atëhershëm kishte gati një dekadë që kishte funksionuar pa Trupën e Baletit dhe ishte mësuar me këtë lloj rehatie. Andaj kthimi i baletit nuk ishte fort i mirëpritur. Pastaj jo krejt balerinët ishin në Kosovë. Lufta kishte bërë që disa refugjatë të mos ktheheshin më nga shtetet ku kishin mbërritur.
 
Telash më vete ishte pauza për gati një dekadë. Balerinët sipas praktikave profesionale e sidomos në bindjen e Brahimajt duhej të ishin aktivë në ushtrime çdo ditë. Problem tjetër ishte mosha që kishin arritur balerinët. Trupa nuk kishte të ardhme, pasi anëtarët silleshin rreth moshës 50-vjeçare.
  
Me makinë të shkrimit nëpërmjet tri faqeve, si shef i Ansamblit të Baletit, Ahmet Brahimaj do t’i drejtohej Ministrisë së Kulturës. Bile i ishte drejtuar me emrin “Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës”. Kishte shpjeguar gjatë historinë e themelimit të Ansamblit, më pas sukseset që kishin korrur gjithandej Jugosllavisë. Kishte përmendur edhe faktin se pjesë e tyre ishin edhe balerina nga disa vende të botës. Kishte sqaruar situatën e viteve ’90 e po ashtu edhe rrethanat e pasluftës së fundit. Krejt në fund kishte renditur tri kërkesa: “Të krijohen kushte normale në TK të Kosovës; Të plotësohet me kuadër të ri përkohësisht nga Shqipëria; Të hapet shkolla profesionale e baletit në Prishtinë”. Shpejt do të merrte vesh se kërkesa ishte zor e realizueshme.
 
Që menjëherë pas luftës të hapej një shkollë baleti, për pushtetarët vendës dhe ata ndërkombëtarë ishte diçka ekzotike. Kjo çështje diskutohej midis Brahimajt, Elez Nikçit e Januz Beqirajt. Nikçi ishte pjesë e stafit të presidentit Ibrahim Rugova dhe mundohej që t’u jepte rrugë kërkesave nga ajo anë. Sikurse të gjitha shkollat, punën e kishte nisur edhe ajo e muzikës në Prishtinë, “Prenkë Jakova”. Ajo drejtohej nga Ramadan Sopi. Brahimaj i kishte mbledhur kolegët dhe kishin vendosur që të bënin një kërkesë që në kuadër të asaj shkolle të hapej edhe një paralele për balet. Kjo duhej kërkuar Ministrisë së Arsimit e Komunës së Prishtinës. Realisht në administratën e asaj kohe, termi ministri nuk ekzistonte. Ato që tash janë ministri ishin departamente. Kishte arritur që miratimi për paralelen e baletit të merrej në muajin gusht të vitit 2000. Nëpërmjet një shkrese të ditës së 15 të gushtit 2000, Naim Rrustemi si bashkëdrejtues i Departamentit të Arsimit dhe Shkencës do t’i tregonte Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës se mund të hapej paralelja e baletit në kuadër të shkollës së mesme të muzikës “Prenkë Jakova”. E në shtator të po atij viti do të hapej audicioni për pranimin e nxënësve. Konkursi kërkonte nxënës që kanë përfunduar shkollën tetëvjeçare, të jenë të moshës 14 ose 15 vjeç. Audicioni do të mbahej më 25 shtator të vitit 2000.
 
Gjenerata e balerinëve në kohë paqeje
 
Gjenerata e parë profesorë për lëndët profesionale të baletit do t’i kishin dy balerinët, Nexhmije Selca e Hysen Podrimçaku. Më pas mësim aty do të jepnin edhe Elez Nikçi, Ahmet Brahimaj e Jonuz Beqiraj. Prej atyre katër vjetëve të parë edhe dolën gjenerata e re e balerinëve, shumica e atyre që sot janë anëtarë të Baletit Kombëtar të Kosovës. Por krahas edukimit të gjeneratës së re, Ansambli duhej të dukej se ekzistonte. Gjenerata e vjetër ishte bërë bashkë për të realizuar një shfaqje. “Fyelltari” do të realizohej edhe duke marrë të tjerë nga jashtë formati i balerinëve, përfshirë një të ri që tash është një prej aktorëve më të njohur që sot ka Kosova, Alban Ukajn i cili jeton në Sarajevë dhe sivjet ishte në Festivalin e Cannes me filmin “Tori and Lokita” nën regjinë e vëllezërve Dardenne.
 
Festa e përvjetorit dhe e nderimit të themeluesve
 
Nxënësit e rinj të baletit kishin nisur të dilnin në skenë. Ngadalë e me buxhet shumë të limituar nisën të përgatiteshin shfaqje. Më pas Trupa do të shndërrohej në institucionin e Baletit Kombëtar të Kosovës. Sidomos prej vitit 2010 e më pas, sukseset morën hov. Në stacione të shfaqjeve u shndërruan Turqia, Franca, Gjermania, Finlanda, Austria, Zvicra e Bullgaria. Shfaqjet në vendet e rajonit u bënë diçka krejt normale.
 
E sivjet BKK-ja ka vendosur që ta nderojë gjeneratën e parë në 50-vjetorin e themelimit të Baletit. Është përzgjedhur që bash me një tablo të “Halili dhe Hajrija” të festohet rrumbullakimi i dekadës së pestë (sonte) e diel.
 
 
Bazuar në koreografinë e Panajot Kanaqit, shfaqja vihet në skenë nën realizmin e koreografes Alisa Gjoni. Tash Halili do të jetë Fisnik Smani e Hajrija i është besuar Mërgime Morinës.
 
“Është një nder dhe një privilegj shumë i madh, po ashtu edhe një përgjegjësi që ta luaj rolin e Halilit në kremtimin e 50-vjetorit të Trupës së Baletit te Kosovës, duke marrë parasysh që është baleti i parë shqiptar nga mjeshtri i koreografisë Panajot Kanaçi dhe rolet kryesore janë kërcyer nga mjeshtrit e baletit si Ilir Kerni, Pullumb Agalliu e të tjerë”, ka thënë Smani. Sipas tij, është bërë një punë e mrekullueshme nga Alisa Gjoni duke i bashkuar forcat me balerinët nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.
 
“Besoj që do të jetë një shfaqje e paharrueshme për publikun dhe një emocion që përjetohet një herë në jetë. Të gjitha sukseset dhe arritjet e BKK-së i dedikohen profesorit Ahmet Brahimaj dhe të gjithë e ndiejmë mungesën e tij, sidomos në këtë përvjetor të BKK-së që ai e meritoi më së shumti që ta kremtonte”, ka thënë Smani. Brahimaj vdiq në maj të vitit 2020. Si prijës i rithemelimit të Baletit pas luftës bashkë me udhëheqjen që ka bërë, BKK-ja është duke e përgatitur një monografi kushtuar veprimtarisë së tij.
 
Drejtori i tanishëm i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë të jetë tejet i lumtur që në këtë gjysmëshekulli jetë të BKK-së, ka arritur që përkundër vështirësive me mbylljen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, të organizojnë gala mbrëmjen e shënimit të 50-vjetorit të BKK-së, ku si pjesë kryesore e kësaj mbrëmjeje do të jetë shfaqja e baletit “Halili dhe Hajrija”.
 
“Po ashtu, audienca do të ketë mundësi të shohë në skenë edhe gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës, të cilët 50 vjet nga sot kanë qenë themeltarët e institucionit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Jemi kujdesur që të ndajmë mirënjohje e vlerësim për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në forma të ndryshme për Baletin Kombëtar të Kosovës, gjatë këtij gjysmëshekulli jetë”, ka thënë Kajtazi.
 
BKK-ja vazhdon të jetë një prej institucioneve kulturore më të suksesshme në Kosovë. Për këtë është punuar shumë. Dhe Ahmet Brahimaj mbetet shtylla e ngritjes së institucionit. Kurse “Halili dhe Hajrija” do të jetë festa e gjysmëshekullit./Koha.net
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave