“Një muaj me Marinë”, fytyra e Zojës, parë nga Mikelanxhelo
“Një muaj me Marinë”, fytyra e Zojës, parë nga Mikelanxhelo 22.05.2021 | 00:00
“Zoja e Dhimbshme, e njohur me emrin “La Pietà”, la gjurmë të pashlyeshme në art. E kardinali Angelo Comastri e përqendron mbi fytyrën e Saj “të panjollë” meditimin e sotëm, një nga 31 pjesët e emisionit, që po e shoqërojnë telespektatorin në zbulimin e devocionit për Virgjërën Mari gjatë gjithë majit, muajit të cilin tradita e Kishës ia kushton Zojës, nismë e Telepaces, realizuar nga Vatican News.
 
Në Bazilikën e Shën Pjetrit ruhet njëra nga veprat më të përkryera të Michelangelo Buonarrotit. Njihet me emrin “La Pietà”, që në shqip përkthehet “Zoja e Dhimbshme”, sepse Nëna mban në prehër Birin e vetëm, të sapo zbritur nga kryqi. Plot me plagë, që kullojnë gjak. Të vdekur. Është e vetmja vepër e nënshkruar nga dora e vetë artistit, protagonist i Rilindjes italiane. Në një skaj të skulpturës së famshme mund të lexojmë: “MICHEL.A[N]GELVS BONAROTVS FLORENT[INVS] FACIEBAT”, që do të thotë “Michelangelo Buonarroti, fiorentin, e bëri”, domethënë, e realizoi. E kur e realizoi ishte vetëm 20-vjeç. E nënshkroi  sepse shumëkush nisi ta paraqesë si vepër të  skulptorit lombard Cristofore Solari. Gjë që e preku keqas në sedër autorin e vërtetë. Me hollësitë tejet interesante të kësaj historie mund të njiheni duke lexuar veprën madhore të Vasarit “Jetët e piktorëve, skuptorëve dhe arkitektëve më të shquar”, botuar për herë të parë më 1550.
 
Një kritikë - e kritikuar
 
Comastri kujton edhe një kritikë, që i bëhet shpesh veprës. Madje edhe sot e kësaj dite: skulptori i madh kritikohet sepse Zoja në këtë kompozim të pashoq, duket më e re se i Biri. Në fytyrën e Krishtit natyrisht pasqyrohet gjithë dhimbja e njerëzimit, në çastin kur ai kishte marrë mbi vete mëkatet e botës. Ndërsa rinia e pacënuar e Marisë shpjegohet me faktin se Ajo ishte “e panjollë mëkati”, e pacënueshme nga kalbja. Është po ajo  grua e paplakshme, që Dante Alighieri  e quajti:
 
“ Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore
nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë”.
 
Mund të themi, prandaj, se kjo mënyrë e paraqitjes buronte nga teologjia. Fiksonte, kështu, teologjinë e pakalbshmërisë së Marisë, mbi mermerin e bardhë, që nuk plaket as rrudhet në shekuj. Dhimbje e kthjelltësi shkrihen në fytyrën e Marisë e të duket sikur ajo nuk është në pritje të varrosjes së të Birit, por të shkëndijës së ngjalljes, pas dhimbjeve të lehonës, që pësoi mbi Mal të Kalvarit. E të gjitha këto ndjenja, që i kundërvihen njëra-tjetrës, dëshmojnë  gjenialitetin e Mikelanxhelos.
 
Në maj të vitit 2017 kardinali Comastri, asokohet kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, pati shoqëruar tek “Pietà”, presidentin Donald Trump, që ishte për vizitë në Romë. E sot kujton habinë dhe admirimin e pafund  të presidentit amerikan për këtë vepër të pashoqe, me domethënie kaq të thellë njerëzore e hyjnore!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave