Gjuha shqype-poezi nga Gjergj Fishta
Gjuha shqype-poezi nga Gjergj Fishta 24.02.2023 | 15:55
Poezi nga Gjergj Fishta
 
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia! / KultPlus.com
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave