Maria Teresa Conte: Koha shkon dhe identiteti arbëresh është gjallë
Maria Teresa Conte: Koha shkon dhe identiteti arbëresh është gjallë 20.04.2023 | 09:35
E flasin gjuhën shekullore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut duke e ruajtur veshjen, traditën dhe gjithçka tjetër, këta janë arbëreshët e Italisë.
 
Këtyre ditëve në vizitë te Arbëreshët ishte presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani e cila u prit ngrohtësisht nga arbëreshët, por edhe nga krerët e institucioneve kalabreze si me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë z. Antonio Tajani.
 
Përveç fotografive të publikuara nga ana e presidentes Osmani, megjithatë nuk është treguar asgjë lidhur me thelbin e takimit apo për ndonjë marrëveshje mes institucionesh Kosovë-Itali për kërkesat e arbëreshëve lidhur me ruajtjen e gjuhës dhe përdorimit të arbërishtes në shkolla, ashtu siç është e mbrojtur formalisht me ligjin 482/1999 dhe ashtu siç po e kërkojnë arbëreshët tash e sa kohë, sepse gjuha arbëreshe është në rrezik zhdukje.
 
Znj.Osmani në profilin e saj në ‘Facebook’ kishte shkruar: “ Me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm italian u ritakuam në Romë, për të diskutuar konkretisht si të ecim përpara në fuqizimin e raporteve tona bilateral si dhe duke e falënderuar Italinë për mbështetjen, e Kosova do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm me kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
 
Pas kësaj vizite të presidentes Osmani te arbëreshët, gazetarja Behare Bajraktari në emisionin ON AIR realizoi sot një intervistë me arbëreshen Maria Teresa Conte nga Cozenza, e cila jeton në Santa Sofia d'Epiro.
 
Maria Teresa tha se presidenten Osmani e pritën me veshje dhe këngë tradicionale arbëreshe. “Presidentja ka dashur të falënderojë dhe të nënvizojë sa i fort është vullneti për të krijuara ura dhe lidhje në mes Kosovës dhe Italisë dhe se arbëreshët janë krenaria e shqiptarëve të cilët ruajtën gjuhën dhe traditën”.
 
Maria Teresa tha se Kosova është një vend evropian dhe vullneti i presidentes është për të krijuar lidhje. “Po, sepse traditat arbëreshe nuk ndryshojnë dhe kanë qenë pesë shekullore që kur erdhëm në Itali dhe për ne është shumë me rëndësi të mbajmë këto tradita, sidomos gjuhën për gjeneratat e reja sepse ka shumë fëmijë që nuk e flasin më arbërishten”.
 
Maria Teresa Conte e cila ka studiuar gjuhën shqipe në intervistë për Radio Kosovën tha se edhe nëse jemi në modernitet, tradita mund të rrijë bashkë me modernitetin dhe të ruhet për të gjithë arbëreshët në botë dhe shqiptarët në botë gjithashtu.
 
Arbëreshët e Shën Sofisë së Epirit në komunën e Frasnitës e nderuan presidenten Osmani me çmimin “Gjergj Kastrioti”.
 
Maria e cila ka studiuar gjuhën shqipe thotë se arbërishtja ka lidhje me shqipen e Kosovës dhe kjo është për shkak të dialektit gegë. Ajo thotë së “përmes muzikës ne po duam që ta ruajmë gjuhën tek gjeneratat e reja, sepse tash më pak po e flasin fëmijët” .
 
Maria Teresa Conte:  “Koha shkon dhe identiteti arbëresh është gjallë”.
 
Arbëreshja Maria Teresa përveçse si drejtuese artistike e shoqatës kulturore “Grupi Folklorik Shqiponjat”  që në fëmijëri, ajo kujdeset për projekte të ndryshme që synojnë rritjen e gjuhës dhe traditave arbëreshe në çdo fushë artistike.
 
Siç thotë për emisionin ON AIR po provojmë në shkolla përmes projekteve të personalizuara për fëmijët që përmes muzikës ta ruajmë gjuhën, duke kënduar këngët arbëreshe shekullore.
 
Për Maria Teresen është më lehtë të flas arbërisht sepse është gjuha e saj.  “Në Itali ashtu si unë edhe një shoqe e imja jemi njësoj, por kur unë veshi veshjen tradicionale unë jam arbëreshe”, thotë Maria Teresa. Veshja tradicionale është një nder për mua dhe kur të vishem me to ndihem vërtet Maria Teresa”.
 
Maria Teresa Conte: “ Veshja arbëreshe është tradita ime historia ime, është e rëndësishme dhe do të jetë gjithmonë kështu”.
 
Në intervistë mund të dëgjoni se si Maria Teresa flet edhe arbërisht dhe fjalët identike me shqipen e Kosovës, fjalë të tilla si:  Gjindja në arbërisht – njerëzit, pastaj mot- viti,  gjegji- të dëgjoj, flietni – flisni e të tjera fjalë që janë pjesë e arbëreshëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Sish thotë vetë Maria janë të përbashkëta arbërishtja dhe shqipja e Kosovës, sepse varieteti i gegës është shumë i vjetër dhe gjuha arbëreshe është e vjetër.
 
Për arbëreshët është jetike ruajtja e identitetit arbëresh 5 shekullor në veçanti ruajtja e gjuhës e cila po shkon drejt zhdukjes . Kohë më parë komunitetit i Arbëreshëve të Italisë ishte shprehur kundër paradave të vazhdueshme turistike të përfaqësuesve të institucioneve shqiptare në Arbëri.
 
Ata po kërkojnë vëmendje ndaj situatës së rëndë që po kalojnë e që po çon drejt zhdukjes së gjuhës e kulturës shqiptare. Lëvizja politike “Arbëria e Re” i ishte drejtuar me një letër kryeministrit Rama e qeverisë shqiptare “Është koha e të drejtave dhe jo e sfilatave!”
 
Edhe pas më shumë se 20 vite nga miratimi i ligjit nga Parlamenti italian, ky komunitet rrezikon zhdukjen e tij, pasi nuk ka asnjë mbrojtje reale në nivel kombëtar e rajonal, ndryshe nga ç’ndodh me minoritetet të tjera në Itali. Me rezultate të kënaqshme e të frytshme ka qenë puna e Republikës së Sllovenisë, pakicat e të cilave në Itali janë shumë më të pakta se ato arbëreshe, por që rregullisht mbrohen me masa të jashtëzakonshme e efikase nga shteti italian me fonde për të mësuar gjuhën sllovene, shërbim publik i radio televizionit, me përfaqësi parlamentare të garantuar e me iniciativa specifike legjislative, thotë lëvizja “Arbëria e Re”.
 
Studiuesit: Arbërishtja dhe Arvanishtja, dy variante të gjuhës shqipe rrezikojnë të humbasin
 
Që prej vitit 1991, një gjuhëtar amerikan ngriti alarmin në konferencën vjetore të gjuhësisë për gjuhët që rrezikojnë të zhduken deri në vitin 2100.
 
Mes tyre janë edhe këto dy derivate të shqipes, të shtrira në territorin e Greqisë dhe të Italisë së jugut.“Edhe nga Komiteti i Gjuhëtarëve në përgjithësi, u pranua sepse kishte arritur si të thuash një konstatim i tillë.
 
Ndërsa një publikim i UNESCO-s, i përditësuar në vitin 2010, e përfshin arvanitëshen dhe arbërishten në grupin e gjuhëve të rrezikuara, ku arvanitshja renditet në cakun e fundit.
 
Maria Teresa Conte pas diplomimit për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Angleze, punon si mësuese e anglishtes dhe bashkëpunon me Bashkinë Santa Sofia d'Epiro. Ajo ka qenë tre herë në Prishtinë për Seminarin e Gjuhës Shqipe dhe shpreson të kthehet verën e ardhshme.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave