Shën Gjergji, legjenda e shenjëtorit që vrau dragoin
Shën Gjergji, legjenda e shenjëtorit që vrau dragoin 23.04.2023 | 20:38
Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mund dragoin.
 
Gjithashtu në një legjendë të shumëlakuar dhe të trajtuar larmishëm në art dhe gojëtari, në letërsi dhe në doktrinën kishtare, Shën Gjergji shpëton nga dragoi princeshën e cila kërkonte të vetësakrifikohej për të shpëtuar qytetin e saj nga asgjësimi, e cila më pas në shenjë falënderimi do të bëhej bashkëshortja e tij. Kësisoj, kalorsiakja dhe mesjetarja, zëfillin në shumëtrajtuarën luftë të një burri për të merituar atë që do të jetë përjetë në krahun e tij. Simbolika e triumfit mbi të keqen, sinjifikon tek Shën Gjergji, jo vetëm shpëtimtarin por dhe shembullin e lartë të sakrificës.
 
Legjenda e Shën Gjergjit është e shumëgjendur në veprat artistike të të gjitha zhanreve. Që nga mesjeta e hershme deri në traditën moderne të artit, figura e tij ka ngjallur interes dhe miti që përfaqëson atë është pasuruar duke forcuar veprën e tij me besimin.
 
Shën Gjergji (rr. 275/280 – 23 prill 303) ishte një ushtar i perandorisë Romake që u bë më vonë dëshmor i krishterimit. U bë i pavdekshëm në tregimin e Shën Gjergjit dhe kuçedrës. Ai është Shenjti mbrojtës i disa vendeve dhe qyteteve, si Anglia, Gjeorgjia, Katalonia dhe Moska, si edhe shumë profesioneve, organizatave dhe të sëmurëve.
 
Jeta
 
Gjergji lindi ne një familje të krishtere në fund qindvjeçarin e tretë. I ati ishte nga Kapadocia dhe shërbeu si oficer në ushtri. E ëma ishte nga Lida, e Palestinës. Ajo u kthye në vendlindje si vejushe me të birin, ku ajo e rriti dhe e seliti.
 
Edhe Gjergji ndoqi shembullin e të atit në rini, dhe hyri në shërbimin ushtarak. Ai dëshmoi që ishte një ushtar i mirë dhe u ngrit vazhdimisht në rangun ushtarak. Në moshën 28-29 vjeçare ai kishte fituar titullin e Tribunit dhe pastaj atë të Kontit. Këtë kohë Gjergji ishte vendosur në Nikomedia si anëtar i rojës (gardes) vetjake të perandorit romak Dioklecianit (qeverisi 284-305).
 
Në vitin 303, Diokleciani nxori një urdhër që lejonte përndjekjen e të krishterëve në të gjithë Perandorinë. Çezari i tij, Galeriusi, mendohet të jetë përgjegjës për këtë vendim dhe do të vazhdonte përndjekjen edhe gjatë qeverisjes së tij (305-311). Gjergji u dhuroi të varfërve të gjithë pasurinë e tij. Në Armina (Armenia) ai organizoi dhe udhëhoqi bashkësinë e krishtere të Urmit (Urumiah) si edhe vizitoi Britaninë në njërën prej fushatave perandorake.
 
Gjergji u urdhërua nga Galeriusi të merrte pjesë në përndjekje por në vend të kësaj ai tregoi se ishte vete i krishtere dhe e qortoi vendimin perandorak. Diokleciani u zemërua aq shumë saqë urdhëroi kapjen dhe torturimin e këtij tradhtari dhe vrasjen e tij.
 
Emri i Shën Gjergjit është i lidhur ngushtë me eliminimin e dragoit. Për këtë dragua thuhen shumë gjera. Disa thonë se ishte një bishë nga anët e Lindjes dhe kishte shpellën afër burimit të vetëm të një qyteti të madh dhe pengonte njerëzit të merrnin ujë. Thuhet se dragoi ndodhej në krahinën e Atalisë në qytetin e Allajas. Mbret aty ishte Selviou, një kundërshtar i të krishterëve.
 
Dragoi për shumë vite me radhë tmerronte qytetin, duke e detyruar ti jipnin ushqime por edhe njerëz, fëmijë, dhe vajza të reja. Shumë burra të qytetit u munduan ta vrisnin por asnjëri nga ata nuk ja arriti. Shpella e tij ndodhej përtej një liqeni, dhe dragoi jetonte brenda një vendi që ngjante kënetë. Erë e keqe përhapej në të gjithë vendin përreth. Ndërsa fryma e tij, e nxehtë dhe e pisët helmonte çdonjëri që ju afronte. Zgjidhja që kishte propozuar mbreti i zonës, kur banorët u drejtuan tek ai, ishte se çdo familje duhet të jepte një fëmijë për dragoin, në mënyrë që të ishte vazhdimisht i ngopur dhe në këtë mënyrë qyteti nuk do të ishte në rrezik nga sulmet e papritura të dragoit. Kështu filluan çdo ditë një familje sakrifikonte një fëmijë për dragoin, me zemër të rëndë, pasi të gjitha përpjekjet e tjera kishin dështuar. Një dite erdhi dhe radha e bijës së mbretit për të vajtur për tu sakrifikuar.
 
E zbukuruar ashtu siç i kishte hije një princeshe, u nis për të takuar vdekjen, ndërsa i ati po përgatiste anijen mbretërore që do të përshkonte liqenin që ndante qytetin nga shpella e dragoit, dhe një turmë e madhe njerëzish e ndiqnin nga pas, duke e shoqëruar në udhëtimin e tij të fundit. E vetme do të shkonte të takonte dragoin, dhe kur arriti jashtë shpellës së tij, shikoi një oficer të ri duke ardhur drejt saj mbi kalë. E pyeti se çfarë bënte atje e vetme? Princesha ju përgjigj se po priste dragoin që ta gëlltiste në këmbim me qetësinë e qytetarëve të tjerë. Shën Gjergji atëherë, pasi kërkoi ndihmën e Zotit u hodh në luftë kundër dragoit dhe arriti ta mundte atë. E nxori jashtë shpellës së tij dhe e tërhoqi zvarrë deri në sheshin e qytetit.
 
Aty pasi deklaroi se arriti të burgoste dragoin me ndihmën e Zotit, dhe kërkoi nga të gjithë të pranishmit të ndiqnin besimin e tij, vret dragoin dhe shpëton banorët nga rreziku i zhdukjes. Në këmbim për këtë të mirë që bëri, mbreti i dha vajzën e tij për grua.
 
Miti i Shën Gjergjit është një mit mijëravjeçar që ekziston në shumë mitologji dhe shumë fe në të gjithë botën. Kështu ekziston miti i lashtë grek për çlirimin e Andromedës nga Perseu, Apoloni që vret gjarprin, miti i Zigfridit në mitologjinë gjermane, Uicilopocli tek Azteket që vret gjarprin që nxjerr flakë nga goja, etj.
 
Dragoi është një simbol mbarëbotëror. Kombinon gjarprin dhe zogun, lëndën materiale dhe shpirtin njëkohësisht. Në lindje quhet i dobishëm, ndërsa në Perëndim mori kuptimin e ligësisë dhe shkatërrimit, kuptim të cilin ka marrë dhe në këtë mit. Dragoi këtu ruan burimin me ujë, simbol i diturisë brendësore dhe i pavdekshmërisë, burimi i jetës.
 
Beteja me dragoin simbolizon vështirësitë që ekzistojnë për të arritur dikush të fitojë frutet e dijes brendësore. Vrasja e dragoit është përplasja brendësore midis dritës dhe errësirës. është njeriu që lufton për të mundur natyrën e tij të erret dhe arrin Vetëzotërim. Shpëtimi i princeshës nga dragoi simbolizon çlirimin e fuqive të pastra shpirtërore si rezultat i eliminimit të fuqive negative. Simbolizon çlirimin e Shpirtit që përgatitet të ëelltitet nga pasionet inferiore dhe dëshirat.
 
I gjithë ky mit simbolizon procedurën e luftës së brendshme që çdonjëri që kërkon të përmirësohet si njeri, të bëhet më virtuoz dhe i Vetëdijshëm në mënyrë që Shpirti dhe trupi i tij të bashkëpunojnë si një njësi e vetme.
 
Dragoi në këtë mit simbolizon ligësinë, të gjitha dobësitë dhe defektet njerëzore. Princesha e burgosur simbolizon botën psikologjike të njeriut që jeton në errësirën e shpellës së Platonit dhe në një moment të caktuar del në dritën e vërtetë. Për të arritur të shkëputet nga Dragoi – defektet, nevojitet një betejë brendësore. Heroi, Shën Gjergji, simbolizon Botën Shpirtërore, të mirën, forcën pozitive, që simbolizon diellin, botën e vërtetë të dritës që na thotë Platoni.
 
Shpirti është ai që vendos ndërgjegjen – vetëdijen dhe bën njeriun të fillojë rrugën brendësore, apo udhën filozofike siç quhej nga traditat e qytetërimeve të lashtë. Një procedurë që transformon njeriun e thjeshtë në një hero, në një njeri të vetëdijshëm dhe te dobishëm si për veten ashtu edhe për kolektivin që ka përreth.
 
Nuk është rastësishme që personazhi i Shën Gjergjit është kaq i dashur dhe i famshëm nga njerëzit, pasi çdonjëri e di se e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, nuk ekziston vetëm në botën e jashtme por edhe brenda çdonjërit nga ne. është Vetvetja superiore (Shën Gjergji) i cili lufton me personalitetin tonë (dragoi), në mënyrë që të çlirojë Psikinë tonë (princeshën). Brenda nesh ndodhet një dragua por edhe një Shën Gjergj, i gatshëm për ta vrarë atë. Mjafton që ne të duam ta bëjmë një gjë të tillë…
 
Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në trevat shqiptare. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme e të brëndshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë Shëngjergjash”.
 
Në trevat shqiptarei ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug: mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit i njohur edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të reja. Së fundi theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti, Gjergj Guzzetta, Gjergj Fishta e tё tjerё.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave