Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit iu shqiptua dënimi me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith shpalli aktgykimin dënues për të katër të akuzuarit.
Trupi Gjykues konstatoi se “të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç i mjeteve dhe strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i disa personave të cilat konsideroheshin si pengesë”.
“Shënjeshtrimi i kundërshtarëve mori formën e vrasjeve, ndalimit arrestimit, keqtrajtimit fizik dhe psikologjik dhe forma të tjera të keqtrajtimit”, tha Smith.
Ai tha se ish-krerët e UÇK-së përdorën “luftë speciale” ndaj atyre që tha se përceproheshin si kundërshtarë.
Smith tha se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi dhanë “kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të pëbrashkët”.
Pasi shqiptoi dënimet, Smith e mbylli seancën.
Pala mbrojtëse ka mundësi ta apelojë vendimin në shkallët tjera të gjykatës.
Vendimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së u prit në fund të një gjykimi që ka shkuar shumë përtej kuadrit ligjor. Në vendin ku ish-guerilasit mbeten heronj, kjo gjykatë speciale rihapi plagët e luftës.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan dhe u dërguan për në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Që atëherë, ata qëndran në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ata thanë se ndjehen më së shumti krenar.
Aktakuza i bënte përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzonte ata se kishin qenë ose duhej të kishin qenë në dijeni të këtyre krimeve të pretenduara.