Në audiencën e përgjithshme sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV vijon ciklin e katekezave mbi Kushtetutën baritore të Koncilit II të Vatikanit, “Gaudium et spes”, duke theksuar se kundërvënia ndërmjet zhvillimit të individit dhe atij të shoqërisë do të thoshte t’i zhvlerësonim të dyja. Papa nxit krijimin e marrëdhënieve të thella në epokën e rrjeteve sociale dhe të inteligjencës artificiale, si dhe vlerësimin e projekteve politike mbi bazën e kritereve të dinjitetit të personit njerëzor.
E mira e përbashkët, pra zhvillimi i njëkohshëm i individit dhe i shoqërisë, është kriteri me të cilin duhet të vlerësohet cilësia e projekteve shoqërore dhe politike. Bëhet fjalë për një rrjet marrëdhëniesh që rrezikojnë të zbehen në një kohë kur zhvillimi teknologjik po ia delegon gjithnjë e më shumë makinës veprimin njerëzor, duke e bërë jetën tepër individualiste dhe të personalizuar.
Rreziku është që ndryshimi dhe larmia të shihen jo më si mundësi pasurimi, por si kërcënim. Këto ishin disa prej temave të trajtuara nga Papa Leoni XIV në katekezën e audiencës së sotme të përgjithshme, 16 shtator, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Zhvillimi teknologjik dhe marrëdhëniet shoqërore
Reflektimi i Papës Leonit XIV është i katërti në ciklin mbi Kushtetutën baritore të Koncilit II të Vatikanit për Kishën në botën bashkëkohore, Gaudium et spes, dhe përqendrohet në kapitullin e dytë, kushtuar “bashkësisë njerëzore”.
Nga njëra anë, shpjegoi Papa, zhvillimi teknologjik, përhapja e mjeteve të komunikimit dhe e rrjeteve sociale, si dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale hapin mundësi të reja, duke kapërcyer pengesa dhe distanca. Nga ana tjetër, marrëdhëniet priren të bëhen gjithnjë e më pak personale dhe më virtuale, ndërsa ekziston rreziku që të mësohemi t’ua delegojmë algoritmeve vendime që i përkasin vetëm ndërgjegjes njerëzore. Pikërisht këtu, theksoi Papa Leoni XIV, komuniteti i krishterë dëshiron të japë kontributin e vet, duke ndihmuar që marrëdhëniet shoqërore të kenë vërtet peshë dhe thellësi njerëzore.
Njeriu “ka absolutisht nevojë për jetën shoqërore”
Duke u mbështetur në planin krijues të Zotit, i cili e sheh njerëzimin si “një familje të vetme”, Papa pohoi se përsosja e personit njerëzor dhe zhvillimi i shoqërisë janë “ngushtësisht të ndërvarura”. T’i kundërvësh apo t’i ndash ato, theksoi Ati i Shenjtë Prevost, do të thotë t’i zhvlerësosh të dyja. Historia e kohëve të fundit e konfirmon këtë dhe e bën edhe më të nevojshme të ripohohet se personi njerëzor “ka absolutisht nevojë për jetën shoqërore” dhe se duhet të jetë “parim, subjekt dhe qëllim i të gjitha institucioneve shoqërore”.
Papa nënvizoi se larmia e njerëzve dhe e popujve në botë nuk duhet parë si rrezik apo kërcënim, por si mundësi për pasurim dhe rritje. Përplasja, e cila nganjëherë degjeneron në dhunë, është fryt i fuqisë së mëkatit dhe i mënyrës se si ai kushtëzon mentalitetet dhe veprimet në çdo nivel, duke sjellë shkatërrim dhe vdekje. Prandaj, është e nevojshme të hapemi gjithnjë e më shumë ndaj logjikës së ndërsjellshmërisë, bashkëndarjes dhe kujdesit, ashtu siç ndodh edhe ndërmjet gjymtyrëve të ndryshme të trupit njerëzor.
Çfarë është “e mira e përbashkët”?
Për t’i shpjeguar më mirë këto koncepte, Papa Leoni XIV iu referua përkufizimit të së mirës së përbashkët të dhënë nga dokumenti i Koncilit të Dytë të Vatikanit Gaudium et spes: “tërësia e atyre kushteve të jetës shoqërore që u lejojnë grupeve dhe individëve të arrijnë më plotësisht dhe më shpejt përsosmërinë e tyre”.
Mbrojtja e jetës njerëzore
Nga kjo pikënisje dalin edhe disa pasoja konkrete, mbi të gjitha respekti për personin njerëzor. E Papa rikujtoi mësimin e Koncilit II të Vatikanit, sipas të cilit çdo gjë që është kundër vetë jetës, që cenon integritetin e personit apo që fyen dinjitetin njerëzor, duhet të konsiderohet e papranueshme. Në këtë kuadër përmenden vrasja, gjenocidi, aborti, eutanazia dhe vetëvrasja e vullnetshme, por edhe gjymtimet, torturat fizike dhe psikologjike, shtrëngimet psikologjike, kushtet çnjerëzore të jetesës, burgimet arbitrare, dëbimet, skllavëria, prostitucioni, trafikimi i grave dhe të rinjve dhe kushtet poshtëruese të punës, ku punëtori trajtohet thjesht si mjet fitimi dhe jo si person i lirë e përgjegjës.
Të kapërcejmë “mentalitetin individualist”
E mira e përbashkët kërkon edhe respektin ndaj atyre që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga ne, sepse çdo qenie njerëzore ka të drejtë për të njëjtën drejtësi shoqërore. Për këtë arsye, Papa bëri thirrje për kapërcimin e “mentalitetit individualist” dhe për një qëndrim përgjegjësie dhe pjesëmarrjeje.
Sipas Leonit XIV, vizioni i njerëzimit si “bashkësi personash” është një trashëgimi e çmuar që na ka lënë Koncili II i Vatikanit. Ai na ndihmon të bëjmë një shoshitje personale dhe bashkësiore, për t’i vlerësuar me përgjegjësi projektet shoqërore dhe politike të kohës sonë, mbi bazën e dinjitetit të personit njerëzor, drejtësisë shoqërore dhe pjesëmarrjes së lirë në ndërtimin e së mirës së përbashkët. E ardhmja e njerëzimit, përfundoi Papa, varet nga angazhimi i secilit për të bashkëpunuar me Hyjin dhe me vëllezërit e motrat në ndërtimin e një bote më njerëzore.
Përshëndetjet për shtegtarët
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa priti kapelanët e burgjeve italiane, të shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm, atë Raffaele Grimaldi, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për apostullatin e rëndësishëm që zhvillojnë në vendet e vuajtjes njerëzore. Leoni XIV shprehu veçanërisht mirënjohjen për Inspektoratin e Përgjithshëm të Kapelanëve dhe për bashkëpunimin e tyre me të dhe me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, në mbështetjen shpirtërore të shumë të burgosurve që i shkruajnë Papës për t’i treguar dramat dhe plagët e tyre.
Duke përshëndetur shtegtarët gjermanishtfolës, Papa kujtoi kremtimin e “Kohës së Krijimit”, duke i ftuar të gjithë “të ngrenë sytë” për ta soditur krijimin. Ndërsa, duke iu drejtuar sllovakëve, kujtoi festën e Zojës së Dhimbshme, Pajtores kryesore të Sllovakisë, e kremtuar më 15 shtator.
Në fund, duke iu drejtuar polakëve, Leoni XIV i ftoi të luten për të rinjtë, që, me ndërmjetësinë e shenjtorëve pajtorë të Qiellit, Stanislaus Kostka dhe Luigji Gonzaga, të mos kenë frikë të bëjnë zgjedhje të guximshme në jetën e tyre, duke iu kushtuar shërbimit ndaj Hyjit dhe të afërmit./Radio Vatikani