Kuvendi i Kosovës, me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata e inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës u harmonizua me të gjitha grupet parlamentare shqiptare.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë dhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi, me këtë deklaratë, e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës. Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.
Deklarata rikujton se lufta e UÇK-së lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre.
Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.
Më poshtë, teksti i plotë i Deklaratës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 3, paragrafi 1, pika 1.6, të Rregullores së Kuvendit, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026, miraton këtë:
DEKLARATË
PËR
AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;
Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;
Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;
Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.
Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit;
Zvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.
I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.
Miraton këtë deklaratë:
- Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
-
- Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
-
- KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
-
- Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
-
- Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
-
- KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
-
- E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.