Një përshëndetje plot ngrohtësi, entuziazëm dhe thirrje për unitet. Pas Meshës së kremtuar në Kordobë, Papa Leoni XIV doli në ballkonin e Rezidencës së Argjipeshkvit për të përshëndetur mijëra besimtarët që kishin dalë në rrugë për ta takuar. Ati i Shenjtë i ftoi argjentinasit ta falënderojnë Zotin për dhuratën e jetës, të fesë dhe të bashkimit, duke u kujtuar se «kur jemi të bashkuar, mund të arrijmë gjithçka».
Ishte një takim spontan, por plot emocion. Pas Meshës së kremtuar në ambient të hapur, të martën paradite, në Kordobë, Argjentinë, Papa Leoni XIV u shfaq në ballkonin e Rezidencës së Argjipeshkvit, ku mijëra njerëz e prisnin për ta përshëndetur. Një turmë e madhe besimtarësh kishte mbushur rrugët, duke e shoqëruar Atin e Shenjtë me brohoritje dhe entuziazëm.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Papa i falënderoi për mikpritjen dhe përzemërsinë, por mbi të gjitha i ftoi të ngrinin së bashku një lutje falënderimi ndaj Zotit.
«Shikoni sa shumë njerëz kanë dalë në rrugë! Ju falënderoj për mikpritjen, ju falënderoj për këtë përshëndetje, por mbi të gjitha, ta falënderojmë Zotin për dhuratën e jetës, për dhuratën e këtij entuziazmi – për entuziazmin e të rinjve!», u shpreh Leoni XIV.
Në fjalët e Leonit XIV, përshëndetja mori edhe një kuptim më të thellë: një ftesë për të ruajtur unitetin dhe për ta jetuar fenë si një dhuratë që bashkon njerëzit. Papa i nxiti argjentinasit ta falënderojnë Zotin për këtë dhuratë dhe të mos lejojnë që lidhjet e bashkësisë të dobësohen.
«Kur jemi të bashkuar, mund të arrijmë gjithçka. Zoti është pranë jush dhe do të jetë gjithmonë i pranishëm», theksoi Ati i Shenjtë Prevost, duke ua besuar besimtarëve këtë mesazh shprese dhe bashkimi.
Para se të kthehej në Rezidencën e Argjipeshkvit për drekë, Papa u la argjentinasve një ftesë të thjeshtë, por domethënëse: ta jetojnë fenë e tyre. Një thirrje që e përmblodhi takimin e shkurtër në ballkon, duke e kthyer përshëndetjen në një mesazh për të gjithë popullin argjentinas./Radio Vatikani