Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje të re për paqen në vendet, që përjetojnë dhunë, si Mianmari, Ukraina, Palestina dhe Izraeli.
"Lufta është gjithmonë disfatë, fitojnë vetëm prodhuesit e armëve"
Në përshëndetjet e tij pas Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi tek Mianmari, popullsia e të cilit "vazhdon të vuajë nga dhuna dhe shtypja". Në veri të vendit, vijojnë prej javësh luftimet ndërmjet ushtarëve të juntës ushtarake, e cila mori pushtetin me puç, në vitin 2021, dhe grupeve të armatosura rebele.
Françesku u lut “që popullata të mos shkurajohet dhe të besojë gjithmonë në ndihmën e Zotit”, ashtu siç vazhdoi të lutet për Ukrainën e martirizuar, flamujt e së cilës në Sheshin e Shën Pjetrit ishin të shumtë, siç vërejti vetë Papa, i cili, më pas, pati fjalë inkurajuese edhe për Palestinën e Izraelin.
“Paqja është e mundur. Duhet vullnet i mirë. Paqja është e mundur. Të mos dorëzohemi para luftës! E, të mos harrojmë se lufta është gjithmonë, gjithmonë, disfatë: fitojnë vetëm prodhuesit e armëve”./Radio Vatikani