Me rastin e festës së Shën Jozefinës Bakhita po fillon në mbarë botën një sërë nismash për të luftuar plagën tragjike të skllavërisë. Të dielën, më 8 shkurt, pjesëmarrësit, do të jenë në Romë, në Sheshin e Shën Pjetrit, për të jetuar çastet prekëse të Engjëllit të Tënzot, së bashku me Papën Leoni XIV. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, afërsisht 27 milionë vetë, kryesisht gra, të mitur, migrantë dhe refugjatë janë të prekur nga plaga e trafikimit të qenieve njerëzore.
Mobilizim në Romë e në të gjithë botën nga e mërkura, 4 shkurt, deri të dielën, 8 shkurt, për Ditën e 12-të botërore të lutjes dhe reflektimit kundër trafikimit, me temën "Paqja fillon me Dinjitet. Thirrje për t'i dhënë fund trafikimit". Dita, e themeluar në vitin 2015 nga Papa Françesku, festohet çdo vit më 8 shkurt. Në Romë, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një sërë takimesh formimi dhe ndërgjegjësimi, që do të arrijnë kulmin me pjesëmarrjen në Lutjen e Engjëllit të Papës Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit.
Plagë e thellë globale
"Trafikimi i njerëzve, shpjegon Motra Abby Avelino, koordinatore e Ditës dhe e rrjetit ndërkombëtar kundër trafikimit Talita Kum - mbetet plagë e thellë globale, që e shkel dinjitetin njerëzor dhe e minon paqen e shoqërive tona, veçanërisht në një botë të shkatërruar nga konflikti, lufta dhe migrimi i detyruar. Duke e vënë temën e paqes e të dinjitetin njerëzor në qendër të kësaj Dite Botërore, i ftojmë të gjithë njerëzit me vullnet të mirë të shkojnë përtej vetëdijes së thjeshtë dhe të bashkohen në veprime konkrete për t'i dhënë fund këtij krimi. Angazhimi ynë është të ecim përkrah viktimave dhe të mbijetuarve, të dëgjojmë zërat e tyre dhe të bëjnë ndryshime sistematike, që përballojnë shkaqet rrënjësore të trafikimit dhe kontribuojnë në ndërtimin e një bote të themeluar mbi paqe, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë".
27 milion viktima të trafikimit
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, afërsisht 27 milionë njerëz janë viktima të trafikimit në të gjithë botën, kryesisht gra, të mitur, migrantë e njerëz të tjerë, që detyrohen të largohen. Është fenomen i ndërlikuar e dramatik, që merr forma të ndryshme - nga shfrytëzimi seksual - te puna e detyruar, nga skllavëria shtëpiake - te martesa e detyruar, e ndërsa mbetet kryesisht i fshehur e mezi i dukshëm, tani shfrytëzohet edhe në internet. Programi, që u hap me një veprimtari formimi online udhëhequr nga të rinjtë, nxori në pah udhëheqjen e tyre dhe përpjekjet e mobilizimit kundër trafikut.
Dje, e enjte, 5 shkurt, në selinë e Bashkimit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm në Romë filluan takimet, ndjekur nga "Ecja për Njerëzimin" për të rinjtë.
Në orën 17:30, takimi në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere për procesionin me qirinj, me vigjiljen ekumenike të lutjes e edhe me pjesëmarrjen e Kardinalit Fabio Baggio, Nënsekretar i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.
Sot, e premte, 6 shkurt, një shtegtim online kundër trafikimit do të bashkohet në një udhëtim global lutjeje: nga Oqeania - në Azi, nga Lindja e Mesme - në Afrikë, nga Evropa - në Amerikë.
Shtegtimi do të transmetohet drejtpërdrejtë nga ora 11:00
Të shtunën, më 7 shkurt, Dita e Rinisë do të fillojë në mëngjes, me një seminar edukativ, ndjekur nga aktivitete ndërgjegjësimi kundër trafikimit pasdite, në Piazza Pia.
Të dielën, më 8, ngjarja e fundit do të zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit, me lutjen mariane të Papës, e më pas me kremtimin eukaristik kryesuar nga Kardinali Vincent Gerard Nichols./Radio Vatikani