Tragjedia ndodhi në Kolumbinë Britanike, në një institucion shkollor në veri të Vankuverit. Autorja e dyshuar është mes viktimave, me gjasë e vetëvrarë. Motivi mbetet i panjohur, por besohet se mund të jetë i lidhur me gjetjen e dy trupave në një banesë aty pranë. Kryeministri Carney: "Jam i shkatërruar nga kjo dhunë e madhe".
Mbeten ende për t'u sqaruar rrethanat e sulmit me armë zjarri të kryer nga një grua në një shkollë kanadeze në Tumbler Ridge, një qytezë me vetëm 2400 banorë në veri të Kolumbisë Britanike, në orën 13:20 të së martës, 10 shkurt (22:20 në Shqipëri/Kosovë). Raportohet për 8 persona të vdekur, 7 brenda institucionit dhe i teti gjatë transportit për në spital, përfshirë sulmuesen, e cila supozohet se i ka dhënë fund jetës. Dy trupa të tjerë u gjetën në një banesë aty pranë, fakt që hetuesit e konsiderojnë "të lidhur me incidentin". Më shumë se 25 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre dy në gjendje shumë të rëndë.
Hetimet mbi motivin
Autorja e sulmit të dhunshëm është identifikuar nga policia, e cila megjithatë nuk ka bërë të ditur emrin. Për momentin mbeten të panjohura motivi pas këtij akti dhe lidhjet mes viktimave dhe autores së masakrës, skenar mbi të cilin kanë nisur hetimet. "Jam i shkatërruar nga të shtënat e tmerrshme", deklaroi në platformën sociale X kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili shprehu afërsinë e tij me familjet e viktimave dhe siguroi lutjet e tij. Të gjitha udhëtimet e tij institucionale të planifikuara janë pezulluar: zyra e tij njoftoi anulimin e vizitës në Halifax, në Nova Scotia, ku duhej të shpallte strategjinë e shumëpritur industriale për mbrojtjen, dhe më pas në Mynih të Gjermanisë, për Konferencën e Sigurisë./Radio Vatikani