Imzot Luis Fernando Rodríguez Velásquez është thellësisht i pikëlluar nga situata, që po e jeton në Luginën Cauca pas tërmetit, por shikon drejt së ardhmes me mirënjohje për gjestin e Papës Leoni: "Ai na dha një shembull bamirësie efektive. Inxhinierë nga lëvizje të ndryshme kishtare po punojnë për të studiuar shkallën e dëmit në ndërtesa. Si Kishë, ne do të përshtasim një strukturë të caktuar për pritjen e emigrantëve e për t'u ofruar strehim të përkohshëm të zhvendosurve".
"Askush nuk e priste që edhe Kolumbia do të goditej nga një ngjarje sizmike, si ajo që sapo përjetuam", pohon Kryeipeshkvi i Calit (Kalit), Imzot Luis Fernando Rodríguez Velásquez, i cili koordinon veprimin baritor dhe shoqëror të Kishës lokale, për të përballuar pasojat e katastrofës. Është i tronditur, veçanërisht duke pasur parasysh tërmetet e dhunshme që shkatërruan Venezuelën në fund të viteve 1990. "Vendi vëlla". Pikërisht Kali, kryeqyteti i Luginës së Caukës, është një nga qytetet më të goditura në Kolumbi, me 115 ndërtesa të shembura dhe 643 dëme strukturale. Vetëm në këtë qytet, 97 vetë vdiqën dhe mbi një mijë të tjerë u plagosën.
Në një intervistë me Radio Vatikanin - Vatican News, Kryeipeshkvi imzot Rodríguez pohon se "të dhënat janë tronditëse dhe shkaktojnë dhimbje të madhe". E i falënderon meshtarët dhe rregulltarët që "janë aty për t’i shoqëruar njerëzit, për t'u lutur dhe për t’i ndihmuar komunitetet brenda kufijve të asaj që na lejohet shpirtërisht, duke i bërë njerëzit e prekur nga tërmeti ta ndiejnë praninë e Kishës". Falënderimet e tij shkojnë për meshtarët që po tregojnë "frymë misionare, apostolike dhe baritore e që po i shtyn të jenë të pranishëm pikërisht kur kanë më shumë nevojë. Kjo është detyra jonë; kjo është ajo që bëri Jezusi kur të sëmurët ishin aty: shkoi t'i përshëndeste, t'i prekte, t'i shëronte dhe të ishte me ta".
Katedralja e Calit e shembur
Keqardhja e Imzot Rodríguez është e thellë: tërmeti dëmtoi rëndë Katedralen e Shën Pjetrit Apostull, që "pësoi dëme shumë të mëdha strukturore.
Edhe pse të dhënat nuk janë ende përfundimtare, duket se do të na duhet të ndërtojmë një Katedrale të re, pasi kupolat kryesore do të duhet të shemben. Është e dhimbshme, sepse është një pjesë e trashëgimisë kolumbiane". Edhe Kisha e La Merced, "ku u themelua qyteti i Calit, 490 vjet më parë", pësoi dëme të rënda. Kryeipeshkvi theksoi se afërsisht 38 Kisha në të gjithë qytetin u dëmtuan dhe afërsisht 25 u shkatërruan plotësisht në juridiksione të ndryshme, në Luginën veriore të Caucës, si Buenaventura, Palmira, Buga, Cartago dhe Cali. "Ato u shembën plotësisht" komentoi ai.
Bamirësia e frytshme e Papës
"Realitet me dhimbje të madhe, por edhe me shpresë të madhe. Ati i Shenjtë Leoni XIV na dha shembullin e bamirësisë efektive: ai lutet dhe vepron.
U lut, na dërgoi bekimin e tij dhe na ofroi fjalë inkurajimi. Për më tepër, po na ndihmon konkretisht: morëm tashmë lajme për një kontribut prej afërsisht 100,000€ të cilat, përmes Caritas-it të Konferencës Episkopale Kolumbiane, do t'u ndahen atyre që kanë më shumë nevojë", thotë imzot Rodríguez, duke falënderuar Papën Leoni XIV për gjestin solidar dhe për afërsinë. Imzot Rodríguez Velásquez thekson gjithashtu edhe angazhimin e bërë përmes 28 bankave ushqimore për të ndihmuar njerëzit më të dëmtuar: "Tani për tani, ne tashmë kemi 278 ton gati për t'ua shpërndarë më të varfërve; së pari në Cali, natyrisht, por ne e dimë se ka zona edhe më të prekshme, të tilla si Buenaventura ose Pereira, ku do ta çojmë këtë ndihmë".
Një provë feje, Meshët të kremtuara në parqe
"Unë besoj se është provë feje. Ungjilli i së dielës së kaluar, e dielës së 19-të nga Mateu (14,22-33), na tregoi se si apostujt u frikësuan në varkë, të kërcënuar nga erërat e forta. Por Krishti Zot u duk e u tha atyre: 'Mos kini frikë, jam unë, nuk jam fantazmë'. Kur Jezusi hipi në varkë, era u qetësua. Kjo është pikërisht ajo që po përjetojmë edhe ne: guximi që na jep feja për t'i duruar këto realitete të dhimbshme", thotë prelati. "Njerëzit në përgjithësi e edhe besimtarët tanë, janë thellësisht të prekur, sepse kemi rreth 20 Kisha të rrënuara plotësisht, në të cilat hyrja është e pamundur. Pra, meshtarët e famullisë, me zgjuarsi të madhe, kërkuan mënyra për të vazhduar kremtimin e Meshës Shenjte. Është gjë e bukur: pushtuan parqet për të kremtuar Meshën, për të thënë Rruzaren dhe për të shprehur fenë e tyre. Njerëzit që i besojnë Zotit janë të guximshëm, rezistentë dhe të aftë për t’i kapërcyer vështirësitë", thekson prelati.
Strehim i përkohshëm, mbështetje psikosociale
Argjipeshkvi i Kalit thekson se një nga shqetësimet e tij kryesore është mbështetja e priftërinjve si udhërrëfyes shpirtërorë të popullit të tyre, si dhe plotësimi i nevojave themelore të popullsisë: "Kemi një strukturë të destinuar për t’i strehuar përkohësisht emigrantët, por do ta përshtasim atë në mënyrë që shpëtimtarët ose njerëzit që kanë mbetur fjalë për fjalë pa një vend për të jetuar, të mund të gjejnë strehim të përkohshëm". Një iniciativë tjetër e Kryeipeshkvisë së Kalit ishte krijimi i një komiteti emergjence, së bashku me një grup inxhinierësh katolikë nga lëvizje të ndryshme kishtare për të vlerësuar gjendjen e strukturave të dëmtuara. "Kështu po organizohemi, vazhdon Kryeipeshkvi, për të formuar një ekip ndërdisiplinor me psikologë dhe punonjës socialë, që të mund të ofrojnë mbështetje psikosociale në strehimore. Kisha do të jetë e pranishme atje për të ndihmuar në procesin e zisë: si për ata që kanë humbur të dashurit, ashtu edhe për ata që humbën gjithçka, duke përfshirë edhe shtëpitë e tyre".
Kisha qëndron pranë të plagosurve
Imzot Rodríguez tregon se, gjatë vizitës së tij në zonat e prekura, mundi të qëndronte pranë pacientëve të një spitali të shembur, që tani po kujdesohen ndër barela, në rrugë: "Ne arritëm t'i vizitonim dhe t'u jepnim guxim e shpresë; kjo është prania e Kishës në këto situata. Por tragjedia është e madhe dhe do të zgjasë për shumë vite, sepse ndihma e parë dhe shpëtimi i jetëve njerëzore janë një gjë, ndërsa rindërtimi psikologjik dhe strukturor i ndërtesave të qytetit do të jetë një gjë tjetër".
Kryeipeshkvi i Caliti përfundoi me një mesazh të mëtejshëm inkurajimi: "I bëj jehonë mesazhit që Papa Leoni na dërgoi, duke na ftuar të mbështetemi gjithnjë te Zoti, i cili mund të bëjë gjithçka. Është mesazhi im inkurajues për shpëtimtarët, punonjësit e kujdesit shëndetësor, stafin administrativ, mjekët dhe vullnetarët e përkushtuar për të shpëtuar jetë. Është gjithashtu edhe mesazhi im inkurajues për Shtetin dhe autoritetet, në mënyrë që ata të mund të organizojnë më së miri ndihmën humanitare. E është edhe mesazhi im për të gjithë ata që humbën pasuritë e tyre, në mënyrë që, ju lutem, të mund të vazhdojnë të besojnë në Zotin"./Radio Vatikani