Leoni: vizita në Amerikën Latine, një përvojë takimi, feje dhe shprese me popujt
Leoni: vizita në Amerikën Latine, një përvojë takimi, feje dhe shprese me popujt 18.11.2026 | 02:18
Pas kthimit në Romë nga udhëtimi i gjatë apostolik dhe tejet i bukur në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, Papa Leoni XIV ndau me besimtarët kujtimet, emocionet dhe përjetimet shpirtërore të këtyre ditëve, të shënuara nga takimet me popuj, kultura dhe bashkësi të ndryshme, por të bashkuara nga dëshira për të jetuar fenë dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit.
 
Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Papa Leoni XIV riktheu në kujtesë udhëtimin e tij të gjatë e tejet të bukur apostolik në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen e popujve dhe për dëshminë e tyre të fesë. Ati i Shenjtë theksoi veçanërisht lidhjen e tij të veçantë me Perunë, ku kishte jetuar për shumë vite si misionar dhe më pas si ipeshkëv, si dhe dëshirën për të vizituar Argjentinën, atdheun e Papës Françesku, për të takuar popullin që ai e kishte dashur aq shumë.
 
Uruguai: Besimi që bëhet burim shprese dhe paqeje
 
Duke folur për etapën e parë të udhëtimit, në Uruguai, Papa kujtoi moton: «Po ju kumtoj një gëzim të madh» (Lk 2,10), fjalët me të cilat engjëlli u shpalli barinjve të Betlehemit lindjen e Jezu Krishtit. Ati i Shenjtë shpjegoi se kishte shkuar në këtë vend për të shpallur Krishtin, Zotin e bërë njeri, që i dhuron njerëzimit plotësinë e jetës në të vërtetën dhe në dashuri.
 
Papa u shpreh i lumtur për pritjen e ngrohtë dhe pjesëmarrjen e popullit uruguaian, duke theksuar se vizita i dha mundësinë të kujtonte rëndësinë e fesë në Zot, vlerën e jetës njerëzore dhe rolin e besimit në përballimin e vështirësive të jetës e në ndërtimin e paqes.
 
Argjentina: një Kishë mikpritëse dhe misionare
 
Në Argjentinë, motoja e vizitës ishte: «Të gjithë jeni të mirëpritur. Shkoni dhe shpallni Ungjillin». Në këto fjalë, Leoni XIV njohu jehonën e mësimit të Papës Françesku, birit të këtij vendi të Amerikës së Jugut. Leoni XIV rikujtoi vizionin e Kishës që Papa Françesku i kishte përcjellë bashkësisë katolike: një Kishë mikpritëse, e hapur për të gjithë, ku secili ndihet si në shtëpinë e vet, pranohet në dinjitetin e tij dhe ndihmohet të pajtohet me Zotin, me vetveten dhe me bashkësinë. Një Kishë, njëkohësisht, tërësisht misionare, e cila gjen identitetin dhe gëzimin e saj në shpalljen e Ungjillit.
 
Papa kujtoi pjesëmarrjen entuziaste dhe të bashkuar të popullit të Zotit në Argjentinë, si dhe atmosferën e jashtëzakonshme të dashurisë për Papën, që tha se do të mbetej e paharrueshme për të. Në këtë kontekst, ai i nxiti besimtarët të kultivonin bashkimin në pasurinë e dallimeve dhe të angazhoheshin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e solidare, sipas parimeve të Doktrinës Shoqërore të Kishës.
 
Peruja: të hapim zemrën për Krishtin
 
Etapa e tretë, në Peru, pati një domethënie të veçantë për Papën Prevost, i cili shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj popullit të Zotit në këtë vend, ku kishte shërbyer për shumë vite. Motoja e kësaj vizite ishte: «Ta hapim zemrën». Ati i Shenjtë theksoi se për të ndjekur Krishtin është e nevojshme t'ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, duke ndjekur shembullin e shenjtërve.
 
Në këtë drejtim, përmendi Shën Toribio de Mogrovejon, Shën Rozën e Limës, Shën Françesk Solanon, Shën Martinin e Porresit dhe Shën Gjon Macíasin, duke nënvizuar se historia e Perusë nuk mund të kuptohet pa praninë dhe veprën e tyre. Përmes fesë, shpresës dhe dashurisë, këta shenjtorë përhapën respektin për dinjitetin njerëzor, shenjtërinë e jetës, pajtimin dhe paqen, duke ndihmuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.
 
Papa vuri në dukje se dëshmia e tyre mbeti e gjallë dhe se edhe sot kishte burra e gra që, me zemër të hapur ndaj Zotit dhe të afërmit, angazhoheshin për një Peru më të drejtë dhe më vëllazërore. Ai u shpreh se kishte përjetuar një gëzim të veçantë duke i inkurajuar këto bashkësi me hirin e shërbimit të tij si Pasardhës i Shën Pjetrit. Në këtë kuadër, përmendi edhe takimet personale me disa viktima të abuzimeve, të cilave u kishte shprehur afërsinë dhe përkujdesjen e Kishës.
 
 Chiclayo, vendi ku Papa u ndie si në shtëpinë e tij
 
Një vend të veçantë në kujtimet e Papës zuri  Chiclayo, ku ai tha se ishte ndier si në shtëpinë e vet. Atje rizbuloi fenë e thjeshtë dhe të sinqertë, të gjallëruar nga përshpirtëria popullore, ndjeu përqafimin e popullsive fshatare të Andeve dhe ritakoi njerëz që kishin lënë gjurmë të thella në jetën e tij. Me zemër të mbushur me mirënjohje, u shpreh se kishte qenë një dhuratë e madhe të gjendej mes këtyre bashkësive, për t'i forcuar në fe dhe në shpresë.
 
Leoni XIV kujtoi gjithashtu vizitën në Cusco, ku vazhdonin të dukeshin frytet e veprës së mrekullueshme të inkulturimit të Ungjillit, të realizuar nga misionarët. Ai përmendi edhe udhëtimin në rajonin e Amazonës, ku takoi popuj të pasur me kulturë tradicionale, por të plagosur nga padrejtësitë dhe dhuna.
 
Kisha, shenjë dhe mjet bashkimi në botë
 
Duke nxjerrë përfundimet shpirtërore të këtij udhëtimi, Papa theksoi se vizitat apostolike u japin mundësi barinjve të Kishës të shohin nga afër bukurinë e Popullit të Zotit në shtegtimin e tij, pavarësisht vështirësive dhe rrethanave historike.
 
Leoni XIV nënvizoi se në çdo vend u bë e dukshme mënyra se si Shpirti Shenjt e ndihmon Kishën të jetë shenjë dhe mjet i bashkimit, përmes dëgjimit të Fjalës së Zotit, kremtimit të Mistereve të Shenjta dhe shërbimit të dashurisë.
 
Maria, prania që e shoqëroi udhëtimin apostolik
 
Një vëmendje të veçantë Papa Leoni XIV i kushtoi edhe pranisë së Virgjërës Mari, e cila e kishte shoqëruar çdo etapë të udhëtimit. Ati i Shenjtë kujtoi se Maria Virgjër është pjesë e historisë së këtyre popujve, ecën me ta, i udhëheq dhe i ngushëllon. Për këtë arsye, shprehu mirënjohjen për mbrojtjen e saj dhe ia besoi ndërmjetësimit të Nënës së Zotit të gjithë ata që e kishin pritur dhe mbështetur gjatë këtij misioni.
 
Në përfundim, Ati i Shenjtë Leoni XIV rinovoi falënderimet ndaj ipeshkvijve, autoriteteve civile, meshtarëve, rregulltarëve dhe të gjithë besimtarëve që kishin marrë pjesë në vizitë, fizikisht apo shpirtërisht.
 
Papa e përfundoi dëshminë e tij me një urim lutjeje për popujt e këtyre tri vendeve: Zoti, që i kishte dhuruar hirin e madh të këtij udhëtimi apostolik, i bekoftë gjithmonë dhe i udhëheqtë në udhën e paqes, të drejtësisë dhe të vëllazërisë./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.