Leoni XIV në fluturim drejt Francës: nis udhëtimi i pestë apostolik
Leoni XIV në fluturim drejt Francës: nis udhëtimi i pestë apostolik 25.09.2026 | 02:16
Nga Roma në Paris, pastaj Lourdes e Metz: katër ditë në Francë për Papa Leonin XIV, mes takimeve me autoritetet, vizitës në UNESCO, kremtimit në Notre-Dame dhe takimit me të rinjtë në Vigjiljen e lutjes në Stade de France.
 
Një përshëndetje e fundit me dorë nga pista e aeroportit të Fiumicinos, në Romë, dyert e avionit që mbyllen dhe, në orën 7:58, ngritja në qiell.
 
Kështu nisi mëngjesin e 25 shtatorit udhëtimi i pestë apostolik ndërkombëtar i Papa Leoni XIV, që do ta çojë gjatë katër ditëve në zemër të Francës, me moton "Që bota të ketë jetë".
 
Avioni Airbus A321 u nis nga Roma me drejtim Parisin. Pas më shumë se dy orësh fluturim, Papa do të zbresë në Orly, për të nisur një ditë të ngjeshur me takime dhe momente lutjeje. Parisi është ndalesa e parë e këtij udhëtimi, që më pas vizita e Papës do të vijojë në Lourdes, zemrën mariane të Francës, dhe në Metz, qytetin e lidhur me kujtimin e Robert Schumanit, një prej etërve themelues të Evropës.
 
Është një udhëtim, ai i Leonit XIV në Francë, që vendoset në vazhdën e vizitave të paraardhësve të tij. Shën Gjon Pali II e vizitoi Francën shtatë herë, tetë nëse llogaritet edhe ndalesa në La Réunion, në vitin 1989. Papa Françesku udhëtoi tri herë në vend, në Strasburg, Marsejë dhe Korsikë, ndonëse në asnjë rast nuk bëhej fjalë për një vizitë zyrtare.
 
Për Leonin XIV, kjo është një vizitë e ngjeshur me takime institucionale, por edhe me momente të forta kishtare, shpirtërore dhe baritore.
 
Përballë autoriteteve dhe shoqërisë franceze
 
Në Pallatin Élysée, rezidenca zyrtare e Presidentit Emmanuel Macron, Papa do të takohet me autoritetet franceze, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe Trupin Diplomatik. Aty do të dëgjohet edhe fjalimi i parë në frëngjisht i këtij udhëtimi – pjesë e një programi që parashikon gjithsej 15 fjalime të Papës gjatë katër ditëve në Francë.
 
Pas drekës në Nunciaturën Apostolike, programi do ta çojë Papën në një tjetër vend simbolik të dialogut ndërkombëtar: selinë e UNESCO-s, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Atje Papa do të mbajë fjalimin e dytë, këtë herë në gjuhën angleze.
 
Notre-Dame, një kishë që ringrihet nga hiri
 
Nga UNESCO-ja, udhëtimi i Leonit XIV do të vijojë drejt zemrës së Parisit. Notre-Dame do të presë Papa Leonin XIV për kremtimin e lutjeve Mbrëmësore me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët e rregulltaret, personat e kushtuar Zotit dhe seminaristët.
 
Do të jetë një moment i veçantë: Ati i Shenjtë Leoni XIV do të jetë Papa i parë që hyn në Katedralen e rindërtuar pas zjarrit të vitit 2019, që e goditi rëndë një nga simbolet më të njohura të krishterimit dhe të historisë së Parisit. Nga hiri te rindërtimi, Katedralja Notre-Dame mbetet edhe sot një dëshmi se ajo që duket e humbur mund të ringrihet.
 
Mbrëmja me të rinjtë në Stade de France
 
Dita e sotme e Papës në Francë do të përfundojë në stadiumin Saint-Denis. Në orën 21:00, Papa Leoni XIV do të takohet me të rinjtë francezë në Vigjiljen e lutjes në Stade de France, stadiumi i njohur edhe për fitoren e Francës në Kampionatin Botëror të futbollit të vitit 1998 kundër Brazilit.
 
Këtë herë, në qendër nuk do të jetë një ndeshje, por lutja. Në një stadium që ka njohur brohoritjet e turmave, do të ngrihen zërat e të rinjve në lutje drejtuar Zotit.
 
Lutja e Papës për Francën dhe paqen
 
Gjatë fluturimit nga Roma drejt Parisit, Papa Leoni XIV i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Në të, Ati i Shenjtë Prevost ia beson udhëtimin e tij në Francë Virgjrës Mari, duke shkruar: “Ndërmjetësimit të saj i besojmë dëshirën për paqe dhe pajtim ndërmjet popujve”. Papa i përcolli Presidentit italian përshëndetjet e tij dhe shprehu urimet më të mira për mbarë Italinë.
 
Mattarella: një udhëtim që sjell shpresë për më shumë harmoni
 
Në përgjigjen e tij, Presidenti Sergio Mattarella falënderoi Papën dhe u ndal te roli historik i Francës në Evropë dhe në botë. Sipas kreut të shtetit italian, Franca, gjatë historisë së saj mijëravjeçare, ka dhënë një “kontribut thelbësor” në afirmimin e të drejtave dhe lirive individuale, si edhe të idealeve universale që qëndrojnë në themel të demokracive.
 
Presidenti italian Mattarella iu referua edhe motos së udhëtimit apostolik të Papës në Francë: “Që bota të ketë jetë”. Këto fjalë, theksoi ai, nxisin “unitetin dhe kohezionin” dhe një angazhim të orientuar drejt së mirës së përbashkët dhe shërbimit ndaj personit njerëzor. Në mesazhin e tij, Presidenti italian përmendi edhe Robert Schumanin, një prej etërve themelues të Evropës, duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit evropian dhe të një rendi shumëpalësh të bazuar në rregulla.
 
Në një botë të shënuar nga konflikte dhe tensione, sipas mesazhit të presidentit italian Mattarella, bëhet gjithnjë më e rëndësishme ndarja e drejtë e burimeve, përdorimi i tyre etik dhe ruajtja e ekuilibrit ndërmjet popujve dhe brezave. Në fund, urimi për udhëtimin e Papës në Francë lidhet me vetë thelbin e mesazhit të tij: që fjala në mbrojtje të dinjitetit të çdo qenieje njerëzore dhe të bashkëpunimit ndërmjet popujve të pranohet si një shenjë shprese për një të ardhme me më shumë harmoni.
 
Nga Roma drejt Parisit, e më pas drejt Lourdes-it dhe Metz-it, udhëtimi i Papës sapo ka nisur. Katër ditë në Francë, katër ditë takimesh, lutjeje dhe dëshmie, me një pyetje që e shoqëron Leonin XIV në këtë udhëtim: si të ndërtohet një botë ku jeta, dinjiteti njerëzor dhe paqja të kenë gjithnjë vendin e parë?/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.