Qeveria amerikane po shqyrton mundësinë e një bllokade afatgjatë të porteve iraniane, duke shtuar presionin mbi ekonominë globale në një kohë kur çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë në katër vjetët e fundit.
Konflikti i armatosur që shpërtheu më 28 shkurt, pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Republikës Islamike, ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban, dhe ka pasoja të rënda për tregjet ndërkombëtare.
Armëpushimi i shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump më 8 prill, pas 40 ditësh luftime, nuk ka sjellë ende një zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa Uashingtoni duket se po përgatitet për një bllokadë shumëmujore të porteve iraniane si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, përmes së cilës kalon një e pesta e hidrokarbureve të konsumuar globalisht.
Çmimi i naftës Brent ka kaluar 119 dollarë për fuçi, duke reflektuar nervozizmin e tregjeve, ndërsa analistët paralajmërojnë për një “ngërç të zgjatur”.
Teherani akuzon SHBA-të se synojnë rrëzimin e Republikës Islamike përmes presionit ekonomik dhe nxitjes së përçarjeve të brendshme.
Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Trumpin për pasojat e dëmshme që mund të sjellë një veprim i ri ushtarak kundër Iranit, jo vetëm për rajonin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar.
Në SHBA, Sekretari i Luftës është përballur me kritika të ashpra nga demokratët, të cilët e kanë cilësuar konfliktin si një “katastrofë gjeopolitike” dhe “rrugë pa krye”.
Ai ka deklaruar se lufta ka kushtuar rreth 25 miliardë dollarë, duke e justifikuar me nevojën për të siguruar që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.
Ndërkohë, monedha iraniane ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1979, duke shtuar vështirësitë ekonomike për popullsinë.
Në Teheran, qytetarët shprehin pesimizëm për një zgjidhje përmes negociatave, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë kërcënon të zhysë mbi 30 milionë njerëz në varfëri në mbarë botën, sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.
Raundi i parë i bisedimeve në Pakistan më 11 prill dështoi, dhe palët ende nuk kanë rënë dakord për rifillimin e dialogut.
Në Liban, ku Izraeli po lufton kundër Hezbollahut, bombardimet e fundit kanë shkaktuar viktima të reja, përfshirë civilë dhe ushtarë.
Presidenti libanez Joseph Aoun ka bërë thirrje për respektimin e armëpushimit dhe për nisjen e negociatave të drejtpërdrejta, ndërsa Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se mbi një e pesta e popullsisë së vendit rrezikon pasiguri akute ushqimore.
Trump ka deklaruar se i ka kërkuar kryeministrit izraelit Netanyahu të kufizojë sulmet në operacione “kirurgjikale” për të shmangur një përshkallëzim të plotë të luftës me Hezbollahun, duke argumentuar se neutralizimi i Iranit do të sillte automatikisht dobësimin e Hezbollahut.