Papa Leoni ka kërkuar këtë të dielë lirimin e menjëhershëm të fëmijëve dhe stafit të rrëmbyer këtë javë nga një shkollë katolike në Nigeri, një nga rrëmbimet masive më të rënda të regjistruara ndonjëherë atje.
Persona të armatosur në Nigeri rrëmbyen nxënës dhe mësues nga shkolla “Shën Maria” në veriperëndim të vendit të premten, tha Shoqata e Krishterë e Nigerisë (CAN), në sulmin më të fundit ndaj shkollave këtë javë që ka detyruar qeverinë të mbyllë 47 kolegje.
CAN tha të shtunën se kishte rritur vlerësimin e numrit të personave të marrë nga shkolla në 315, nga një vlerësim i mëparshëm prej 227.
“U trondita thellësisht kur mësova për rrëmbimet e priftërinjve, besimtarëve dhe nxënësve në Nigeri dhe Kamerun. Ndjej dhimbje të madhe, sidomos për shumë të rinj e të reja që janë rrëmbyer dhe për familjet e tyre të pikëlluara,” tha Papa Leoni në fund të meshës në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Bëj një thirrje të sinqertë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe u bëj apel autoriteteve kompetente të marrin vendime të përshtatshme dhe në kohë për të siguruar lirimin e tyre,” shtoi ai.
“Le të lutemi për këta vëllezër e motrat tona dhe që kishat e shkollat të mbeten gjithmonë e kudo vende sigurie dhe shprese.”, përfundoi papa.
Pesëdhjetë nga mbi 300 nxënësit e rrëmbyer javën e kaluar nga një shkollë katolike në Nigeri kanë arritur të shpëtojnë dhe janë ribashkuar me prindërit e tyre.
Por rreth 253 fëmijë të rrëmbyer, së bashku me 12 anëtarë të stafit dhe mësues, vazhdojnë të mbahen nga rrëmbyesit, tha kryetari i CAN, Bulus Yohanna, një ipeshkv katolik që është gjithashtu pronari i shkollës. / abcnews.al /