Kardinali Fabio Baggio, pro-prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në përfundim të edicionit të njëmbëdhjetë italian të Festivalit të Migracionit, nga 5 deri më 15 nëntor 2026 në Carpi, nënvizoi se "dinjiteti i migrantëve vjen përpara çdo gjëje tjetër. Ai nuk e humbet vlerën kur personi kalon kufirin, nuk varet nga fakti nëse ai ka apo jo dokumente dhe nuk mund të pezullohet në emër të sigurisë apo të interesit kombëtar”.
“Migrantët nuk janë numra, dosje apo probleme për t'u administruar, por janë njerëz. Edhe kur detyrohen të lënë gjithçka pas, edhe kur kalojnë shkretëtirën apo detin, ata nuk e humbasin kurrë dinjitetin e tyre”.
Kështu u shpreh dje kardinali Fabio Baggio, pro-prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në përfundim të edicionit të njëmbëdhjetë italian të Festivalit të Migracionit, i cili u mbajt nga 5 deri më 15 nëntor 2026, në Carpi. Gjatë reflektimit të tij me titull “Migracionet dhe migrantët: mësimet e Papës Leoni XIV”, mbajtur në kishën e Shën Injacit, ku ndodhet Muzeu Dioqezan, kardinali vuri në dukje se dinjiteti i personit migrant është boshti i mësimeve të Papës.
“Dinjiteti – nënvizoi ai – vjen përpara çdo gjëje tjetër. Ai nuk e humbet vlerën kur kalon kufirin, nuk varet nga fakti nëse ke apo jo dokumente dhe nuk mund të pezullohet në emër të sigurisë apo të interesit kombëtar”.
“E drejta për të migruar – u shpreh kardinali Baggio – nuk mund të bëhet justifikim për të pranuar një botë në të cilën miliona njerëz detyrohen të largohen nga vendi i tyre, sepse aty nuk gjejnë paqe, siguri, punë, drejtësi apo një të ardhme”. “Drejtësia e vërtetë – shtoi ai – nuk kufizohet vetëm në administrimin e mbërritjeve, por përballet me shkaqet që i detyrojnë njerëzit të largohen”.
Në përfundim, në përputhje me temën e këtij edicioni, kushtuar grave migrante, kardinali u ndal edhe te situata e tyre. Ato shpesh përfundojnë “pre e rrjeteve kriminale dhe organizatave mafioze të paskrupullta”. “Gratë – pohoi ai – nuk janë vetëm viktima që duhen mbrojtur, por protagoniste të afta për të krijuar shpresë, dialog ndërkulturor dhe ripërtëritje kishtare”. Sepse, përfundoi ai, “asnjë person nuk mund të reduktohet në mall, në mjet apo në objekt shfrytëzimi”.
Këtë vit, Festivali regjistroi rreth 5 mijë pjesëmarrës në 40 aktivitete, të zhvilluara në trembëdhjetë qytete të gjashtë rajoneve italiane. Aktivitetet përfshinë konferenca dhe seminare universitare, takime të shoqatave dhe të komuniteteve, si dhe shfaqje teatrale./Radio Vatikani