Sot ministrat e BE-së do të diskutojnë një letër të ekspertëve franko-gjerman, përmes të cilës paraqiten propozime për reformën e Bashkimit Evropian. Në tetor pritet të mbahet samiti i ardhshëm i liderëve të BE-së, ku do të diskutohet edhe çështja e zgjerimit, ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ekspertët franko-gjermanë paraqitën të martën një propozim për një reformë gjithëpërfshirëse strukturore të Bashkimit Evropian, duke u koncentruar në katër pika, në një kohë kur presioni po rritet për pranimin e anëtarëve të rinj.
Ministrat e BE-së do të diskutojnë letrën sot si përgatitje e terrenit për samitin e ardhshëm të liderëve në tetor, ku do të diskutohet edhe çështja e zgjerimit.
Është e qartë se zgjerimi dhe reforma e BE-së shkojnë paralelisht dhe duhet të fillojmë me reformën tani, tha ministrja gjermane për çështje evropiane, Anna Luhrmann.
Liderët e BE-së do t’i diskutojnë këto gjetje kur të mblidhen në Spanjë me 6 tetor.
Propozimi është bërë nga një grup prej 12 ekspertësh, të cilët propozojnë reforma rrënjësore të strukturës së BE-së, duke përfshirë një numër më të vogël të komisionarëve dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian, si dhe heqjen e të drejtës së vetos.
Teksti jep gjithashtu opsione se si të menaxhohet një BE më e madhe, duke përfshirë një buxhet më të madh, duke lidhur pagesat me rregulla më të rrepta dhe duke futur votimin e shumicës në vend të sistemit aktual që kërkon unanimitet në Këshillin Evropian.
Në një lëvizje që mund të rezultojë e diskutueshme për Francën dhe Gjermaninë, ekspertët po sugjerojnë gjithashtu që në Këshill të Evropës votimi të shpërndahet edhe te vendet më të vogla të BE-së për të balancuar humbjen e vetos kombëtare.
Javën e kaluar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Strasburg ka përmendur të ardhmën evropiane të Ukrainës, vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe Moldavinë.
Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Forumin Strategjik të Bled-it të mbajtur në Bled të Sllovenisë në gusht, kërkoi që viti 2030 të caktohet si afat deri në të cilin duhet të pranohen vendet kandidate që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
Më 16 tetor, Shqipëria do të jetë nikoqire e samitit të radhës të Procesit të Berlinit, i cili u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit në BE.
Nga Samiti i Selanikut të mbajtur në vitin 2003, nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Kroacia është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim vite më parë i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa vitin e kaluar negociatat i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi me BE-në, e nënshkruar në vitin 2015.